• |
ide | kryesore

Thyerja e ambasadave/ 3 dëshmitë që zbulojnë çfarë ndodhi 30 vjet më parë

-Instant, Arkiva, Dossier



2 korriku është një datë e shënuar në historinë e Shqipërisë si “dita e rrëzimit përfundimtar të murit të Berlinit”, që ndante bllokun lindor komunist nga ai perëndimor. Më 2 korrik 1990, mijëra shqiptarë u futën në ambasadat perëndimore në Tiranë, ngjarje të cilat u shoqëruan dhe me përleshje mes kundërshtarëve të regjimit dhe pushtetit të diktaturës komuniste 45-vjeçare, të përfaqësuar në këtë përleshje, prej Sigurimit të Shtetit.

Qershori i vitit 1990, u shoqërua me disa të plagosur, ndërkohë që jo zyrtarisht, u deklarua se pati edhe një numër të vrarësh që tentonin të kalonin kufirin. Këto tashmë janë konfirmuar si të vërteta, paçka se regjimi i vitit 1990-1991, tentoi t’i fshihte këto krime njerëzore, që e kishin emrin “demokraci” dhe “liri individi”.

Ish-ambasadori gjerman: Ramiz Alia planifikoi sulm ushtarak mbi ambasadë

Ish-ambasadori gjerman i asaj kohe në vendin tonë, Verner Daum, kujton: “Shqiptarët e parë shkuan në ambasadën greke. Sipas tij, ata ishin 15 deri në 25 veta, ndërkohë që disa të tjerë shkuan në ambasadat egjiptiane, italiane, por edhe franceze. Ambasadori gjerman Daum gjatë intervistës së tij, rrëfen se në atë kohë i ka kërkuar punonjësit të sigurimit të kufirit federal që të linte të pakyçur derën e Ambasadës, në mënyrë që të vihej re nga njerëzit dhe ata të fillonin të futeshin aty.

Pasi kjo u vu re, një “Skoda” shembi murin rrethues të godinës së Ambasadës Gjermane, duke u futur brenda me një numër shtetasish shqiptarë që kërkonin azil politik. Veprimi u përshëndet menjëherë nga qeveria e Bonit, e cila i konfirmoi mbështetjen azilkërkuesve shqiptarë. Dy apo tri vite më parë, kam mësuar nga ambasadori shqiptar në Londër, që asokohe ka qenë shef i kabinetit të Reis Maliles, se qeveria e Ramiz Alisë kishte vendosur ta sulmonte ushtarakisht ambasadën gjermane si dhe ambasadat e tjera, por vihej theksi mbi atë gjermane.

Nëse do të ndodhte kjo, atëherë unë nuk do të isha këtu përpara jush, por do të kisha ndoshta një monument në Tiranë. Qeveria ishte e vendosur për këtë sulm, por Reis Malile kishte kërcënuar se do të jepte dorëheqjen publikisht dhe do t’i bënte publike të gjitha detajet. Pra, ai arriti ta bllokojë këtë vendim”, deklaron ish-ambasadori Daum, për radio “DW”. Por, si fakt njihet se tentativa e parë “e hyrjes” brenda selive të përfaqësive të huaja diplomatike, u shënua më 20 qershor.

Autobusi fizarmonikë me targë TR 00301, i drejtuar nga 30-vjeçari Bujar Alikaj dhe Edmond Vokshi ndaloi “rastësisht” rreth orës 07:40 pranë mureve të ambasadës greke. Pas kësaj, dy djemtë e rinj hapin baxhon e sipërme të autobusit, e prej andej hidhen në territorin e brendshëm të ambasadës greke, duke e zënë në befasi policinë shqiptare. Më 23 qershor 1990, kamioni “Liaz” i drejtuar nga Fatos Kaceli, shpërtheu portën hyrëse të ambasadës italiane, ndërsa të nesërmen rreth orës 22:00, “Skoda” e drejtuar nga Kastriot Mano çau murin e ambasadës gjermane, duke e shembur atë.

Në makinë, përveç shoferit ndodheshin edhe Burhan Kalaja, Gëzim Tota, Ilia Miri e disa të tjerë. Por, “spektakli” më i madh ishte shembja e murit të ambasadës turke me një makinë plehrash dhe disa persona të veshur si punëtorë të komunales. Të vetmet ambasada që nuk pranuan bujtësit e terrorizuar nga regjimi komunist, ishin ambasadat kubane dhe ajo kineze. Hyrja në ambasadat e huaja në Tiranë vijoi edhe pas datës 2 korrik, nën vëzhgimin e policisë, e cila për disa ditë rresht kishte marrë urdhër të mos reagonte.

Ramiz Alia: U zumë në befasi

“Futja e 5 mijë vetëve në ambasadat e huaja është një ngjarje që padyshim ka lënë vragë në jetën politike të vendit. Ngjarja e 2 korrikut ishte një paralajmërim, që situata në vendin tonë po acarohej. Natyrisht kjo qe një gjë e papritur, ajo dyndje masive e njerëzve. Edhe shqetësim ngjalli. Problemi ishte që ajo duhej kapërcyer me qetësi.

Në mënyrë që të mos ndodhte asnjë konflikt me masën e njerëzve, që të çonte në përdorimin e forcës. Ky ishte dhe shqetësimi kryesor ato ditë. Prandaj ne u morëm vesh në atë kohë me Sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Peres de Kuilar, i cili dërgoi një person të ngarkuar zyrtar të tij, që u mor vesh me ambasadat e huaja për të hyrë ato në marrëdhënie me qeverinë. Pra me ndërhyrjen e zotit de Kular u bë e mundur që ambasadat e ndryshme të na dorëzonin emrat e të gjithë shqiptarëve, që kishin hyrë nëpër ambasadat e huaja dhe qeveria jonë përgatiti pasaporta për të gjithë, të gjithë u pajisën me pasaporta shqiptare në mënyrë që largimi i tyre, i cili u bë në mënyrë të organizuar, të ishte jo më si refugjatë ilegalë, por si njerëz me pasaporta dhe ata shkuan në vendet ku ata dëshironin.

Në këtë mënyrë mori fund si të thuash ajo etapë. Por kjo nuk do të thotë që situata në Shqipëri nga ky moment ndryshoi në kuptimin as pozitiv, as negativ. Fakti është ky: U zumë në befasi, menduam se shqiptarët do besonin partinë. Por edhe duar lidhur nuk qëndruam, sepse fundja ne kishim pushtetin. Por çdo gjë kishte mbaruar, kishte dalë jashtë kontrollit.

Si Ylli Bodinaku çau murin e ambasadës gjermane

Ishte Ylli Bodinaku, ai që më 2 korrik, çau me kamionin e tij tip “Skoda” murin e ambasadës gjermane. Ai kujton si sot, atë mbrëmje, kur i ra murit mbrapa të ambasadës gjermane dhe hyri brenda me kamionin e tij brenda të cilit kishte gruan dhe dy djemtë, njërin 11 vjeç dhe tjetrin foshnjë dy muajsh, po kështu mbi karroceri kishte shokë, miq, gjithsej 36 persona.

Dhjetëra të tjerë vërshuan më pas në ambasadën gjermane, nga muri që ai rrëzoi. Atë mbrëmje, në Bon të Gjermanisë, u raportua se në ambasadën gjermane në Shqipëri, ishin futur menjëherë 86 vetë. “Punonjësit e ambasadës, kujton Ylli Bodinaku, na mblodhën dhe na lexuan një faks, që kishte dërguar Genscher, ku shkruhej: “Shoferi bashkë me të tjerët janë heronj të demokracisë shqiptare. Ata shembën murin e Berlinit të Shqipërisë”.

Shembjen e atij muri Bodinaku e kishte projektuar në ëndrrat e tij më të guximshme, që nuk e thyen prej torturave të Sigurimit të shtetit në Tiranë. Ideja se një ditë ai do t’i binte atij muri e mbajti gjallë më pas në qelinë e burgut famëkeq të Spaçit, ku regjimi e çoi si të burgosur politik.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *