E treta në kampionat, në katër më të mirat e Kupës së Shqipërisë e 90 minuta të hapura larg finales së kompeticionit dhe Europës, Teuta e Edi Martinit, pas rifillimit të futbollit është praktikisht e pandalshme, ka vetëm një stop me Bylis, por me një formë në rritje aq sa i shkaktoi humbjen e vetme Tiranës së Egbo e sa barazimi pa gola me Kukësin i rri ngushtë.
0-0 në shtëpinë e Kukësit, nëse mund të quhet kështu, nuk është rezultat që favorizon pritësen e kthimit, me peshën e golit në fushën kundërshtare, por soliditeti difensiv i treguar nga bregdetarët gjatë gjithë kampionatit, si mbrojtja më e mirë e kampionatit me 26 gola të pësuar, por sidomos pas rifillimit me 5 gola të pësuar në 8 ndeshje mes kampionatit e Kupës, është arma më e mirë e Teutës. Kështu, për Martinin detyra kryesore ishte korigjimi i shënjestrës dhe të tijtë në gjysëmfinalen e parë të Kupës e vunë përpara një vështirësie të madhe Kukësin, që në disa raste iu desh Xhika në formë brilante për të mos kapitulluar.
Tani durrsakët kanë krijuar identitet loje dhe formacioni, një freski fizike që po bën diferencën, e një strategji që I ka bërë të marrin 6 rezultate positive radhazi. Tani duhet një gol e të mos pësojnë për të shkuar në finale e për të arritur objektivin Europë: gjysma e dytë nuk është e pamundur për Teutën, tek e para kërkohet edhe pak fat…