• |
ide | kryesore

Komisioneri për zgjerimin e BE: Për Shqipërinë thelbësore mbetet sundimi i ligjit

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit
viza



Komisioneri për zgjerimin e BE, Olivér Várhelyi prezanton në një intervistë për Deutsche Welle përmbajtjen e draft-kuadrit për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.  Várhelyi deklaron se qëllimi i negociatave është që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut të adaptojnë EU Acquis në tërësinë e tij, ta zbatojnë atë plotësisht dhe përforcojnë zbatimin e tij gjatë procesit të hyrjes në BE.

Ai e cilëson arritje marrëveshjen ndër-partiake për reformën zgjedhore, me pjesëmarrjen e të gjitha gjitha partive politike, brenda dhe jashtë parlamentit.

“Kjo tregon përkushtim, dëshmon gjithashtu se Shqipëria po jep rezultate edhe në kohë nga më të vështirat”, deklaron ai.

DW: Z. Komisioner Várhelyi, çfarë rëndësie ka hartimi i draftit të kuadrit të negociatave për anëtarësim në BE, për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, të cilin Komisioni Europian, ia vuri në dispozicion javën e kaluar, Këshillit Evropian? Çfarë qëllimi arrihet me hartimin e tij?

Olivér Várhelyi: Prezantimi i draftit të kornizave negociuese për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në Këshillin e BE shënon një hap të rëndësishëm në rrugëtimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut drejt Bashkimit Evropian. Propozimet tona bazohen në metodologjinë e rishikuar të zgjerimit, që kemi paraqitur në shkurt, për ta bërë procesin e pranimit më të besueshëm, më dinamik, më të parashikueshëm dhe me një orientim më të fuqishëm politik. Pres me padurim diskutimet me shtetet anëtare dhe mbajtjen sa më shpejt që të jetë e mundur të Konferencave të Para Ndërqeveritare me dy vendet. E ardhmja e tyre qëndron qartë në Bashkimin Evropian dhe unë jam i sigurtë që ato do të vazhdojnë të zbatojnë reformat në rrugën e tyre drejt BE, siç kanë bërë deri tani.

Cilat janë direktivat dhe parimet kryesore në draft- kuadrin e negociatave për Shqipërinë?
Çdo kuadër negociues vendos direktiva dhe parime për negociatat e hyrjes në BE për secilin vend kandidat dhe është i ndarë në tri pjesë: në pjesën e parë janë parimet drejtuese, kryesore të negociatave të hyrjes në BE; në pjesën e dytë thelbi i EU acquis; në të tretën procedura e negociatave. Qëllimi i negociatave është që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut të adaptojnë EU Acquis në tërësinë e tij, ta zbatojnë atë plotësisht dhe përforcojnë zbatimin e tij gjatë procesit të hyrjes në BE.

Draft-kuadret negociuese përpilohen duke u mbështetur në përvojën e zgjerimeve të mëparshme të BE dhe të negociatave të pranimit në vazhdim e sipër. Ato integrojnë metodologjinë e rishikuar të zgjerimit, marrin parasysh evolucionin e EU Acquis, dhe reflektojnë si duhet meritat e vetë vendeve dhe situatat e tyre specifike.

A janë këto direktiva dhe parime, që ju sapo prezantuat, të njëjta si për Shqipërinë ashtu edhe Maqedoninë e Veriut?

Draft-kuadret e bisedimeve për të dy vendet janë shumë të ngjashme me njëri- tjetrin, por ato marrin parasysh situatat specifike të secilit prej dy vendeve.

Si ka gjetur vend në draftin e kuadrit të negociatave për të dyja vendet metodologjia e rishikuar e zgjerimit?
Metodologjia e rishikuar synon ta bëjë procesin e zgjerimit më të besueshëm, me një orientim më të fuqishëm politik, më dinamik dhe të parashikueshëm. Besueshmëria është përforcuar përmes një përqendrimi edhe më të fortë në reformat themelore, duke filluar me sundimin e ligjit, funksionimin e institucioneve demokratike dhe administratën publike, si dhe ekonominë e të dyja vendeve.

Propozimet parashikojnë gjithashtu një drejtim më të fortë politik të procesit dhe më shumë dinamizëm duke organizuar kapituj negociues në grupime tematike. Parashikueshmëria e procesit të anëtarësimit mund të përmirësohet cilësisht nga më shumë qartësi për pasojat pozitive që mund të sjellë progresi i reformave si edhe nga pasojat potenciale negative në rast të mungesës së progresit, ngecjes për një kohë të gjatë ose rrëshkitjes pas në zbatimin e reformave dhe përmbushjes së kërkesave të procesit të hyrjes në BE.

Cilat mund të konsiderohen nga Komisioni Europian situata specifike në Shqipëri dhe si pasqyrohen këto situata në draftin përkatës të kuadrit të negociatave?
Çështjet që pasqyrohen në draft kuadrin e negociatave të anëtarësimit për Shqipërinë janë të renditura në mënyrë specifike në konkluzionet e Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme, të Këshillit të BE, të Marsit 2020.

A është Shqipëria në rrugën e duhur për të përmbushur në kohë dhe me cilësi këto çështje, të përcaktuara në konkluzionet që sapo përmendët, të kërkuara edhe nga Bundestagu gjerman, pra para Konferencës së Parë Ndërqeveritare?
Në përgjithësi dhe pavarësisht nga sfidat që paraqet shpërthimi i COVID-19, Shqipëria ka vazhduar të tregojë angazhimin e saj dhe të arrijë rezultate të prekshme dhe të qëndrueshme në fushat kryesore, të identifikuara në konkluzionet e Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme të Këshillit Evropian, të marsit 2020. Në mënyrë të veçantë, Shqipëria ka bërë tanimë përparim në përmbushjen e kushteve që duhen plotësuar para Konferencës së parë Ndërqeveritare.

Arritja e fundit ishte marrëveshja ndër-partiake për reformën zgjedhore, me pjesëmarrjen e të gjitha gjitha partive politike, brenda dhe jashtë parlamentit. Kjo tregon përkushtim, dëshmon gjithashtu se Shqipëria po jep rezultate edhe në kohë nga më të vështirat. Ne kemi besim se Shqipëria do të vazhdojë të zbatojë me sukses reformat e nevojshme. Ende nuk është caktuar asnjë datë për Konferencën e Parë Ndërqeveritare, e cila duhet të thirret sa më shpejt që të jetë e mundur pas miratimit të kuadrit të negociatave nga Këshilli Europian.

Çfarë hapash duhet të ndërmarrë Shqipëria për të shmangur prapambetjen në zbatimin e reformave ose ngecjen në çështje të tilla si sjellja para drejtësisë të ish-zyrtarëve të lartë publikë të korruptuar ose atyre aktualë, abuzues me detyrën në pushtetin local duke patur parasysh parashikueshmërinë e procesit të pranimit?
Është shumë e rëndësishme, është thelbësore që Shqipëria të mbështetet në arritjet e fundit dhe të vazhdojë përparimin e reformave, në fushat e sundimit të ligjit, gjyqësorit, luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Komisioni do të vazhdojë të monitorojë dhe mbështesë autoritetet shqiptare në përpjekjet e tyre. /DW/



2 Comments

  1. Ditën e djeshme Partia Demokratike doli me një deklaratë për shtyp ku akuzoi se Kryeministri Edi Rama i ka dhënë landfillin e Vlorës Klodian Zotos, por mesa duket kjo akuzë ka dalë “blof” pasi tenderi është hapur nga KFW dhe nuk investohet asnjë lek nga buxheti i shtetit.

    Tashmë bëhet e ditur se ndërtimi i landfillit të Vlorës do të realizohet më fonde të Bankës Gjermane dhe jo shqiptare.

    Agjencia për zhvillim ekonomik e Gjermanisë dhe Banka gjermane që lëvron fondet (KFW) ka realizuar një tender ndërkombëtar për ndërtimin e Landfillit të mbetjeve në Vlorë ku morën pjesë firma të huaja dhe shqiptare.Bllofe te njepasnjeshme nga partia qe do pushtet kjo ishte shpifja e rradhes nga pd e salihut

  2. Thesi, biznesi, humbja, fitimi, oferta, afera, janë belbëzimet e një dite të zakonshme për cilindo mandatdjegur të Partisë Demokratike. Ata që morën sa deshën, që zhvatën sa deshën, ata që edhe veglën muzikore të ahengut familjar e blinin në Moskë me qindra e mijëra euro, ata që edhe në “opozitë” prishnin çdo muaj 4-5 mijë euro për sorrollatje dhe qejfe, sot na janë kujtuar se “koha e re na thërret, ndaj hajdeni të mbushim listat dhe të bëhemi sërish deputetë”.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *