• |
ide | kryesore

Derbi i heshtur i kryeqytetit: Partizani-Tirana humb spektaklin e tribunave

-Instant, Sport



Në pritje të rezultateve të tamponeve për lojtarët e Partizanit, pas pozitivitetit të Boldor e Feratit, e frikës nëse Partizani-Tirana do të luhet normalisht, derbit do ti mungojë zëri. Dy rivalët e përjetshëm do të sfidohen në heshtje, atë heshtje që do të prishet vetëm nga zërat e lojtarëve në fushë, apo britmat e trajnerëve në pankinë…

Supersfidës do ti mungojë adrenalina, do ti mungojë ngacmimi, sarkazma, emocioni: nuk është kurrë njësoj të shtysh përpara në nxitjen e Selman Stërmasit apo stadiumit të ri e të duhet të gjesh motivin në zbrazëtinë e ekon e zërave që e varfërojnë panoramën deri në mbijetesë… Partizani e Tirana do të luajnë për fitoren, për të ngjyrosur rezultatin me markën e tyre të fabrikës, por një humbje e kanë pësuar pa nisur ende 90 minutëshi i ndeshjes: kanë humbur tifozët, kanë humbur imagjinatën, kanë humbur tensionin. Beteja përpara betejës, atë që Guerrils e Fanatics ndërtonin në shkallët e stadiumit, ishte epike, me inteligjencë për të ngacmuar plagën me pikat e dobëta të kundërshtarit, duke rritur nervozizmin.

Ishte aq bukur të shihje koreografinë që i bënte ziliqare të gjithë skuadrat e tjera të Superiores, të mësojë intepretimin e një filozofie përmes banderolave e të emocionoheshe në tymnajën që pushtonte stadiumin. Ishte e bukur, nëse mund të thuhet kështu, edhe konfrontimi mes tyre, sepse një derbi ka edhe gjuhën e tensionit. Ndërsa tani do të duhet ti kthehemi kujtimeve të 27 shtator 2014 në atë 0-0 ku një pjesë e shihnin ndeshjen tek Selvia e një pjesë në Laprakë. Pikërisht në lagjet simbolike luhet derbi i tifozëve, atë që në fushën e shurdhët do ta luajnë dy skuadrat e kryeqytetit…

Nuk ka rëndësi nëse luan për mbijetesë, për kampion, apo sa pikë i ndajnë dy skuadrat: ajo që tifozët nuk falin është humbja në derbi dhe kjo mbetet në fuqi edhe me stadiumin bosh.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *