• |
ide | kryesore

Alarmi i agjentëve britanikë: Pandemia dhe izolimi rritën kërcënimin nga terrorizmi

Arkiva, Lajme, Të fundit



Në mbrëmjen e 20 qershorit, në një ditë e bukur me diell vere, terrorizmi goditi Britaninë e Madhe pa paralajmërim. I armatosur me thikë, 25-vjeçari Khairi Sadallah u fut në një park në qytetin Reading dhe sipas të dhënave të prokurorisë “sulmoi egërsisht me thikë” tre vetë që gjendeshin në atë park.

Për Neil Basu, shefi i Policisë Britanike kundër Terrorizmit, sulmi vdekjepurës nuk ishte i rastësishëm. Ai sheh një lidhje me krizën e Coronës dhe kufizimet e rrepta për të dalë. Sipas ekspertit të terrorizmit ekstremizmi është si një sëmundje që është “shfaqur” përsëri pas rënies së pandemisë.

Efektet e izolimit

Basu dhe ekspertë të tjerë mendojnë se sidomos njerëzit pa punë dhe të izoluar dhe të pafavorizuar nga pikëpamja sociale kanë kaluar shumë kohë në internet gjatë karantinës – dhe kështu mund të jenë bërë pre e lehtë për grupet radikale ose individët në internet.

Neil Basu Chef der britischen Anti-Terror-Polizei (picture-alliance/empics/D. Lipinski)
Neil Basu, shefi i Policisë Britanike kundër Terrorizmit

“Izolimi mund t’i përkeqësojë rrethanat negative dhe t’i bëjë njerëzit më të prekshëm ndaj radikalizmit,” mendon Nik Adams, specialist për luftën kundër ekstremizmit. Ekstremistët e dinë se në një situatë të tillë është më e lehtë për të joshur persona të prekur dhe për këtë “ata përdorin shpesh çështje aktuale si grep për t’i tërhequr ata”.

Fundamentalistët islamikë i përdorën për shembull mediat sociale për ta interpretuar shfaqjen e virusit Corona si zemërimin e Allahut kundër Perëndimit. Ata i nxitën mbështetësit e tyre që të sulmonin në kohën e pandemisë, sepse qeveria ishte e angazhuar me problemet urgjente të shëndetit publik dhe jo me sigurinë, kjo është logjika.

Po ashtu për shkak të masave të izolimit në Britaninë e Madhe nuk qe e mundur të vazhdohej programi “Prevent”, pjesë e strategjisë anti terror, në të cilin angazhohen mësues, punonjës socialë apo krerë të grupeve fetare.

Shtim i rrezikut ekstremist të djathtë

Kërcënimi prej ekstremizmit të djathtë u rrit gjatë masave të karantinës në mënyrë alarmante jo vetëm në Britaninë e Madhe por dhe në vendet e tjera evropiane. “Ekstremistët e djathtë, në veçanti, kanë bërë një punë të shkëlqyeshme për të shfrytëzuar teoritë e ndryshme të komplotit dhe konspiracionit si dhe ndjenjat raciste të lidhura me virusin Corona,” thotë Jessica White, eksperte për terrorizmin në institutin Royal United Services.

Sipas autoriteteve, kjo formë e propagandës së djathtë ka marrë shumë forma. Ato shkojnë nga pretendimi se infeksioni është përhapur më shpejt nga disa grupe etnike deri në teori për përfshirjen e kinezëve në krijimin e virusit.

Studiuesit argumentojnë se njerëzit që e prekur nga papunësia dhe mungesa e perspektivave janë shpesh më të ndjeshëm ndaj këtyre lloj dezinformatave. Ekspertët kanë frikë se rënia ekonomike pas përfundimit të pandemisë mund ta rrisë më tej rrezikun e radikalizmit, sepse varfëria dhe privimi mund të kontribuojnë gjithashtu në radikalizim, thotë White. /DW



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *