• |
ide | kryesore

Basha pas takimit me Metën: Rama po prish marrëveshjen e negociuar nga SHBA-BE

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit

Kreu i PD-së Lulzim Basha, ka reaguar pas takimit me presidentin Ilir Meta. Basha thotë se Edi Rama po tenton të prishë një marrëveshje të negociuar me ndërmjetësimin e SHBA, BE dhe Britanisë Madhe, për t’i hapur rrugë zgjedhjeve me një klimë sadopak normale.

Sipas Bashës, vendi ndodhet në situatë kritike, ku shqiptarët po mbeten të izoluar për shkak të keqmenaxhimit të pandemisë.


Postimi i Bashës:

Sot u takova me Presidentin e Republikës Ilir Meta, me të cilin ndava së pari shqetësimin për situatën jashtë kontrollit të pandemisë shoqëruar me shifrat e larta të ditëve të fundit të qytetarëve të prekur me Covid-19. Është e qartë se dështimi më i madh i qeverisë është kthimi i spitaleve në qëndra infeksioni, ndërkohë që vazhdon përpjekja e përgjegjësve të kësaj situate të rënduar, për t’u fshehur dhe për t’ia lënë këtë faturë qytetarëve.

Për shkak të keqmenaxhimit të pandemisë, vendi vazhdon të mbetet në listën e kuqe të Bashkimit Europian, duke i izoluar shqiptarët.

Kriza e thellë ekonomike, që po kap dimensione të panjohura për Shqipërinë në këto 23 vitet e fundit, ishte gjithashtu në qëndër të bisedës së sotme me Kreun e Shtetit.

Kriza e menaxhimit të pandemisë dhe ajo ekonomike, i ka rrënuar shqiptarët dhe zbrazur xhepat e tyre. Pikërisht në këtë situatë, Edi Rama po tenton të prishë një marrëveshje të negociuar me ndërmjetësimin e SHBA, BE dhe Britanisë Madhe, për t’i hapur rrugë zgjedhjeve me një klimë sadopak normale.

Pasojat e një hapi të tillë, do të jenë shumë të rënda për stabilitetin dhe integrimin europian të vendit. Bundestagu gjerman, që është autoriteti, i cili hap ose nuk hap dritën jeshile për negociatat, u shpreh fare qartë dje. Po kështu, është shprehur edhe Komisioneri për Zgjerimin. Prej frikës së Edi Ramës nga zgjedhjet dhe humbja e pushtetit, Shqipëria po rrezikon një izolim të dytë.

Opozita e Bashkuar do të bëjë gjithçka që faturën, e cila do të jetë shumë e rëndë, të mos e paguajë Shqipëria dhe shqiptarët, por ta paguajnë ata që janë përgjegjësit e kësaj situate. Ndryshimi që duan shqiptarët është i pandalshëm dhe rotacioni politik i pashmangshëm.

I rikonfirmova Kreut të Shtetit se Opozita e Bashkuar mbështet plotësisht qëndrimet e qarta të Sekretarit Amerikan të Shtetit, Mike Pompeo, Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Europian, Joseph Borrel, Komisionerit për Zgjerimin, Oliver Varhelyi dhe Bundestagut dhe i qëndron plotësisht kodifikimit pa asnjë ndryshim dhe pa ndryshime të njëanshme kushtetuese, të Dakordësisë së 5 Qershorit.

2 Comments

  1. Ndërkohë që ne e njohim plotësisht rolin e Parlamentit për të miratuar elementë shtesë të reformës elektorale për ndryshimin e sistemit, ne inkurajojmë të gjitha palët të përfshira për të vazhduar diskutimet dhe dialogun me të njëjtin shpirt bashkëpunues dhe një mekanizëm gjithëpërfshirës të treguar gjatë marrëveshjes së 5 qershorit. Gjithëpërfshirja është thelbësore kur bëhet fjalë për reformën elektorale”, tha ai.

    Këto deklarata ambasadori Soreca i bëri nga Vlora, gjatë lançimit të fushatës “Europa është këtu”.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Kthehu