• |
ide | kryesore

Nga Mema tek Egbo, duke kaluar tranzit nga Ahmataj: ja si e fitoi Tirana titullin kampion

-Instant, F1, Sport



Tre trajnerë, një projekt, dy interpretime dhe në fund një titull kampion e një finale Kupe për të luajtur. Në 34 javë Tirana nuk ishte perfekte, por u tregua më e mira e të tjerave, duke kaluar luhatjet, duke bërë serinë shpërthyese të rezultateve në kohën e duhur e duke shfrytëzuar dashamirësinë institucionale për të mos i patur gjërat kundër. Jo Tirana nuk i vodhi askujt asgjë: mori atë që i takonte, duke shfrytëzuar një sezon të cuditshëm, dy herë të ndërprerë, e duke thyer për herë të parë pas 6 vjetësh hegjemoninë e frikshme të Partizanit në derbi.

STARTI I MEMËS – Presidenti Halili e donte këtë titull në 100 vjetorin e klubit. E donte fort, sa lëvizi para të gjithëve në merkato, duke bërë goditjet më të mirë në supermarketin e klubeve në vështirësi. Batha, Kale, Torassa të gjithë nga Flamurtari pa rroga, Vangjeli në ikje nga Skënderbeu i dënuar e Osmani që la Durrësin për kryeqytetin. Të gjitha këto të pikasur e të orientuar nga Ardian Mema. Tekniku mori pjesë në zgjedhje, por nuk i mori dot rezultatet e shpresuara, të një skuadre që u ndërtua për trofe. Ndoshta shumë të dëmtuar, ndoshta një preferencë antipatike për Cobbinah e një ‘mishelë’ që nuk ishte gatitur ende, bënë viktimë teknikun me gabimet e një sezoni më parë, edhe pse gjëra të mira bardheblutë treguan…

NGA SHIU NË BRESHËR – Drejtuesit e klubit mezi pritën ta heqin Memën dhe zgjodhën Julian Ahmataj për ti nxjerrë në dritë. Vetëm se ranë nga shiu në breshër. U kuptua shumë mirë që në fillim. Me tre ndeshje nuk gjykohet askush, por nëse Tirana ka menduar të ndryshojë drejtimin e pankinës për të përmirësuar situatën në renditje, apo nivelin e performancës, tre javët e para nuk i kanë dhënë të drejtë. Julian Ahmataj mori dy pikë më pak se Ardian Mema, që u largua për mungesë rezultatesh dhe Tirana e pa kreun më larg se asnjëherë më parë në 11 javët e para të Superiores. Fundi i teknikut ishte i shëmtuar, me akuzat e tërhequra për drejtuesit, me një humbje tjetër pasuese e një ikje pa lavdi pas 5 ndeshjesh, duke e lënë skuadrën para derbit, me mungesa e në kaos të plotë…

ZOTI E EGBO – Pikërisht në këtë pikë erdhi Egbo, atëherë kur askush nuk do ta merrte skuadrën në ngarkim, para derbit me Partizanin që ishte në krye. Nigeriani erdhi nga trajneri i harruar i portierit në ballë të skuadrës, duke thyer paragjykimet e duke nisur ndryshimin e kursit… me vullnetin e Zotit. Interpretimi taktik është krejtësisht ai i Memës, pranuar edhe nga lojtarët, por ndryshe nga mendjemadhësia taktike e Ahmatajt. Ah, po, ka një ndryshim: nigeriani i dha besim Cobbinah e lojtari u bë lojtari më i mirë i sezonit të bardhebluve. Rezultatet erdhën breshëri, me një seri fitoresh të papara, që e katapultuan skuadrën kryeqytetase në vendin e parë me diferencë nga ndjekësit. 20 ndeshje, dy barazime e një humbje i vendosën fatet, aq sa luhatjet e fundit nuk i bënë dëm, sepse në derbi Muci vendosi vulën e tij me një gol që vlente praktikisht titullin…



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *