• |
ide | kryesore

Manovrat e Ramës për të penguar partitë e reja dhe dobësuar opozitën

-Instant, Arkiva, Blog



Ndryshimet Kushtetuese dhe propozimet për reformën zgjedhore në Shqipëri rrezikojnë të krijojnë një prag elektoral të dyfishtë që pengon edhe më shumë alternativat e reja dhe e shndërron edhe më tej Kuvendin në një organ dypartiak. Ndërkohë, duket që palët nuk po këmbëngulin për votën e shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit.
1. Propozimi aktual për ndryshime kushtetuese që vjen nga Kuvendi kërkon që një subjekt politik të kalojë një prag kombëtar. Propozimi është që ky prag të jetë 5 %, por mbetet për t’u parë në fund se në ç’nivel do të jetë ky prag nëse bëhen ndryshime në ligjin për Kodin Zgjedhor.
2. Sistemi aktual elektoral në Shqipëri është proporcional rajonal. Kjo do të thotë se çdo rajon ka pragun e vet elektoral. Për shembull në Tiranë ky prag përllogaritet aktualisht (marrë parasysh zgjedhjet e fundit) rreth 3%, dhe përkthehet në rreth 13.000 vota. Ky prag konsiderohet si prag “natyral” për Tiranën që ka aktualisht 34 mandate deputetësh.
3. Me propozimin aktual për ndryshime kushtetuese, nëse një subjekt politik fiton 5 mandate në Tiranë (pra rreth 65.000 vota, ose rreth 4% të votave totale në Shqipëri të përllogaritura në bazë të zgjedhjeve të fundit), dhe nuk garon në asnjë zonë tjetër zgjedhore, atëherë nuk merr asnjë mandat në Kuvend, pasi nuk ka kaluar pragun kombëtar 5%, dhe i humbet të 5 mandatet e fituara në Tiranë, që u shkojnë dy partive të mëdha.
4. Absurditeti i këtij propozimi qëndron tek tentativa për vendosjen e një pragu kombëtar, ndërkohë që sistemi mbetet proporcional rajonal me 12 zona zgjedhore. Nëse pragu që do caktohet është kombëtar, pse sistemi elektoral mbetet rajonal? Kjo nuk ka asnjë arsye tjetër përveç rritjes së pengesave ndaj alternativave të reja politike dhe synimit për bipolarizimin e Kuvendit.
5. Heqja e koalicioneve parazgjedhore në emër të listave pjesërisht të hapura gjithashtu penalizon alternativat e reja politike. Kjo pasi në propozim thuhet se vetëm 2/3 e listave do jenë të hapura, 1/3 mbetet në diskrecionin e partisë, e cila do ketë edhe të drejtën e renditjes së kandidatëve. Pra, një alternativë e re politike që nuk garon më vete, do mbetet në dorën e dy partive të mëdha të cilat do caktojnë se ku do i vendosin në listë kandidatët.
6. Fiksimi që listat e hapura në vetëvete do na rregullojnë demokracinë në Shqipëri është një efekt “placebo” – një ilaç i rremë. Listat ishin të hapura në Kosovë dhe sistemi aty ka qenë proporcional kombëtar, por asgjë nuk ndryshoi përmbajtësisht deri sa në zgjedhje u fut Lëvizja VETËVENDOSJE!. Lëvizja VETËVENDOSJE! në Shqipëri është shprehur në disa raste për një sistem zgjedhor proporcional kombëtar me lista të hapura edhe në Shqipëri, por me vetëdijen se as ky sistem nuk e ndryshon situatën nëse nuk ka alternativa përmbajtësore në zgjedhje.
7. Sistemi që po propozohet me një prag të dyfishtë dhe pa koalicione parazgjedhore jashtë një liste të përbashkët, më së shumti i intereson partisë në pushtet për të penguar alternativat e reja, si dhe për të dobësuar opozitën që do detyrohet të futet e gjitha në një listë, duke ulur numrin e kandidatëve opozitarë që do mund të garonin me sistemin aktual. Këtu PS nuk ka në mendje të mirën e vendit dhe kërkesat e qytetarëve, por pushtetin.
8. Vota e bashkatdhetarëve tanë në mërgatë duhet shtyrë përpara me këmbëngulje për zgjedhjet e radhës, sigurisht duke vendosur garancitë e nevojshme për parandalimin e manipulimeve. Nuk ka më justifikime për përjashtimin sistematik që u bëjnë bashkatdhetarëve. Debati nuk do duhej të zhvillohej vetëm për koalicionet, listat e hapura, pragun, komisionerët dhe identifikimin biometrik, por edhe veçanërisht për realizimin pa vonesa të së drejtës së mohuar të votës së shqiptarëve që jetojnë në emigracion, që në zgjedhjet e radhës!
Rezultati i gjithë zhurmës së krijuar për reformën zgjedhore duket se do mund të jetë rritja e pengesave për alternativat e reja dhe vazhdimi i përjashtimit të mërgatës.



3 Comments

  1. Te dy partite e madhe historikisht jane munduar qe te mos lejojne parti te reja . Dhe sot eshte e njejta histori, nen zhurmen se po bejme ligj te mire ne fakt ligj per te fituar vete nuk harojne te llogarisin qe askush te mos i zevendesoj ne hapsiren politike shqiptare. Toke e zanun!

    1. Ore Astrit trimi !
      Po na e thuaj se ku e ke parë ti që opozita e ka miratuar këtë maskaradë të Ramës, që po na flet për “dy parti të mëdha” ?
      Apo mos e ke fjalën për Lym Murrizin e Rudinën e i zë këta të dy si përfaqësues të PD ?
      Po ku mer vesh Lymi nga sistemi zgjedhor ?

  2. Kjo dihet prej kohesh . Keta duan mbreteri me rrotacion te dyanshem . Keta kane frike nga e reja dhe e verteta .
    Po shume shpejt kane me emarre reston . Te shohim se çdo gatuajne . Litari i Gijotines eshte terhequr , mjafton ta leshosh . Gjithçka varet prej ketyre pushtave te politikes .

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *