Quique Setien e kishte siguruar besimin e klubit për të drejtuar skuadrën në Champions, por kjo vetëm përkohësisht. Ashtu si ishte menduar edhe po rezulton, sepse ish-trajneri i kombëtares së Francës Laurent Blanc është favoriti për tu ulur në pankinën e Barcelonës për sezonin e ardhshëm, në vend të Quique Setien.
Lajmin e ka bërë publik mëngjesin e sotëm l’Equipe, sipas të cilëve teknikut francez i është ofruar klubit blaugrana nga menaxheri i tij i ri Jorge Mendes. Në ditët e kaluara, Blanc është përfolur edhe për një kalim tek Valencia, duke parë raportet e mira mes menaxherit portugez e pronarit të klubit Peter Lim.
Gjithnjë sipas L’Equipe, Blanc ka që tani aprovimin e sekretarit teknik Eric Abidal e është i gatshëm të firmosë edhe për vetëm një sezon në mënyrë që të mos kondicionojë projektin e pasuesit të Josip Bartomeu në presidencën e Barcelonës.