Opozita e Bashkuar i është përgjigjur ftesës së kryeministrit Rama për mbledhjen e Këshillit Politik pasditen e sotme. Në një njoftim që mban firmat e Oerd Bylykbashit dhe Petrit Vasilit thuhet se e përshtatshme është që ky takim të shtyhet për të enjten në orën 17:00, ose të premten ora 11:00. Në mbledhje nuk do të marrë pjesë sërish kreu i PD-së Lulzim Basha.
“Në Rendin e Ditës së mbledhjes siç kemi rënë dakord në Marrëveshjen e 5 Qershorit, duhet të përfshihet vijimi i punës së Këshillit për zbatimin e pikave 11 dhe 12 të saj, ku specifikohet se:
“11. Masat shtesë: Këshilli Politik do të vazhdojë të diskutojë në mirëbesim dhe të përpiqet të arrijë zgjidhje të përbashkëta ku dhe kur është e mundur të adresohen rekomandimet kryesore të ODIHR lidhur me:
(1) blerjen e votës;
(2) presionin ndaj votuesve dhe administratës publike;
(3) keqpërdorimin dhe abuzimin me administratën publike;
(4) marrëveshjet e fshehta me grupet kriminale;
(5) lirinë dhe sekretin e votës; dhe
(6) manipulimin dhe falsifikimin e rezultateve zgjedhore.
Në rast të mosprogresit këto propozime NUK do të ndërhyjnë apo vonojnë një marrëveshje dhe kalimin në parlament të masave të dakordësuara në pikat 1-9.
12. Hyrja në fuqi: Pikat 1, 2, 3, 7, 9, 9, 10 dhe 11 më sipër dhe dy shënimet poshtë do të hyjnë në fuqi për zgjedhjet e ardhshme (parlamentare dhe vendore). Pikat 4, 5 dhe 6 më sipër do të hyjnë në fuqi pas zgjedhjeve të ardhshme zgjedhore dhe parlamentare.”.
Në lidhje me ndryshimin e formatit të përbërjes së Këshillit Politik, nëse ju keni vlerësuar si të përshtatshme zgjerimin e përfaqësuesve të partive politike në Grupin e Punës së Këshillit Politik, atëherë ju bëjmë me dije se Opozita e Bashkuar do të përfaqësohet përveç nesh, edhe nga Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike z. Gazment Bardhi” – thuhet në njoftim.