• |
ide | kryesore

Raporti Europian: Trafikantët e drogës në Shqipëri të lidhur me politikën dhe zhvatin biznesin

Arkiva, Lajme, Të fundit



Organizatat kriminale shqiptare kanë lidhje me politikën, dhe kjo e fundit ndërhyn duke neutralizuar zbatimin e ligjit përmes emërimit të personave të besuar ose militantëve të partisë.

Forma më e njohur e bashkëpunimit midis organizatave kriminale dhe organeve shtetërore është korrupsioni, veçanërisht në sistemin e drejtësisë, thotë raporti i Qendrës Europiane për Monitorimin e Drogave (EMCDDA) “Një vlerësim i shtrirjes së organizatave kriminale shqipfolëse të përfshirë në furnizimin me drogë në BE: karakteristikat, roli dhe niveli i ndikimit” për vitin 2019.

Organizatat e drogës i shërbejnë politikes në Shqipëri duke zhvatur bizneset përmes gjobave, mbështetje të kandidatëve në zgjedhje ose frikësimin e kundërshtarëve politikë, shkatërrimin e opozitës, prishjen e tubimeve partiake, manipulime të rezultateve të zgjedhjeve dhe financimin e fushatave elektorale në shkëmbim të imunitetit nga ndjekja penale, thuhet në raport.

Partitë politike në Shqipëri kanë përfituar fonde nga rrjetet kriminale, theksohet në raport. Ekziston një prirje shqetësuese e organizatave kriminale që përdorin biznesin si ‘fasadë’ për të fshehur veprimtarinë kriminale. Ky fenomen shfaqet më e përhapur në trafikun e kokainës. Në rajone të ndryshme të vendit, rivaliteti midis bandave te armatosura për të zgjeruar kontrollin shpesh shfaq prirje politike. Anëtarët e grupeve kriminale kanë shërbyer si komisionerë në qendrat e votimit. Pavarësisht mungesës së hetimeve ose vendimeve gjyqësore, anëtarët e parlamentit dhe ministrat kanë qenë në fokus të akuzave publike për lidhjet e tyre me krimin e organizuar.

Krimi i organizuar ka arritur të neutralizojë shoqërinë edhe për sa i përket lirisë së fjalës, duke shkelur kështu rëndë kulturën e raportimit të lajmeve, thotë raporti.

Raporti tjetër, “Tregu i drogave 2019”, një publikim, që bëhet një herë në tre vjet nga Qendra Europiane e Monitorimit të Drogave (EMCDDA), në funksion të së cilës është dhe raporti i mësipërm i dedikuar për Shqipërinë, e përmend Shqipërinë si prodhuesen më të madhe të kanabisit të trafikuar në Bashkimin Europian, paratë e të cilës transportohen cash me makina drejt Shqipërisë dhe investohen në pasuri të paluajtshme, ndërtim dhe turizëm.

Organizatat kriminale shqipfolëse, të përfshira në trafikun e kanabisit bimor përdorin gjithashtu korrierët e parave cash, të cilët zakonisht kontrabandojnë para me makinë në Shqipëri nga BE me makinë. Në Shqipëri, paratë cash përdoren për të investuar në pasuri të paluajtshme, ndërtim dhe turizëm”.

Raporti përmend fuqizimin e grupeve shqipfolëse në tregun e trafikimit dhe shpërndarjes së kokainës, krahas kolumbianëve dhe italianëve, që kanë pasur historikisht një rol kyç. /Monitor



2 Comments

  1. Servilat socialist nuk jane dakort Kombi po pellcet si tullumbac nga bolleku i pa pare me pare.
    Ja kemi kaluar gjithe botes per mireqenje te droges dmth.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *