Ka mbaruar pas 5 orësh diskutime mbledhja e Këshillit Politik, por pa arritur një marrëveshje mes palëve për hapjen e listave dhe çështjen e koalicioneve parazgjedhore. Opozita propozoi hapjen e listave 100%, pa ndryshime të tjera në formulën e koalicioneve dhe shpërndarjes së mandateve.
Damian Gjiknuri tha pas mbledhjes se nuk pati asgjë të re nga opozita e bashkuar e cila sipas tij vijon me të njëjtin qëllim për bllokimin e miratimit të ndryshimeve kushtetuese.
“Oferta e tyre nuk ofron kompromis, por kërkesa e tyre është një sabotim për këtë proces që sapo ka nisur. Doli e qartë dhe ndryshimet kushtetuese nuk pengojnë hapjen e listave dhe atë të koalicioneve dhe e dyta në frymën e bashkëpunimit të marrëveshjes së 5 qershorit jemi të hapur për tu ulur me PD-në për të vendosur se si do të hapen listat dhe si do të formohen koalicionet. Fatkeqësisht ato nuk po gjejnë atë model për të mbajtur koalicionet, nuk kanë asnjë model të vendeve evropiane dhe u kemi thënë që të gjejnë një model të tillë” – tha Gjiknuri.
Ndërsa përfaqësuesi i Partisë Demokratike në Këshillin Politik, Oerd Bylykbashi, tha në fund të mbledhjes se për 5 orë me radhë i kërkoi Gjiknurit, motivet pse e refuzojnë propozimin për hapjen 100% të listave, por nuk kanë marrë përgjigje.
Bylykbashi u shpreh se nëse nesër miratohen ndryshimet kushtetuese, do të vritet marrëveshja politike e 14 janarit dhe e 5 qershorit, duke minuar procesin e gjatë politik, që do të mundësonte zgjedhje me standard.
“Pas një propozimi shumë konkret që bëri opozita e bashkuar për hapjen e listave 100%, jemi ndeshur për gjithë këto orë nga refuzimi konstant i mazhorancës. Ajo që kërkon mazhoranca është krejt tjetër. Ne kemi kërkuar motivet e refuzimit dhe PS ka refuzuar. PS ka për synim të ndryshojë rregullat e lojës në mënyrë të njëanshme, vetëm gjashtë muaj para zgjedhjeve.
Ne e bëmë të qartë se me veprimin e njëanshëm, që janë gati të ndërmarrin nesër me ndryshimet kushtetuese të PS, do të vritet marrëveshja politike e 14 janarit dhe ajo e 5 qershorit, duke minuar një proces kaq të gjatë politik, që do të mundësonte zgjedhje me standard.
Propozimi jonë ka qenë shumë i qartë, që do të çonte në kompromis, që listat të ishin 100% të hapura dhe më pas ndryshimet të bëheshin në Kodin Zgjedhor. Shqiptarët nuk kanë kërkuar asgjë nga ato që po përpiqet të bëjë Edi Rama. Propozimi ynë qëndron ende mbi tryezë, nëse pranon PS, që t’iu afrojmë shqiptarëve mundësinë të vendosin me fuqinë e votës së tyre”, tha Bylykbashi.