• |
ide | kryesore

Trump propozon shtyrjen e zgjedhjeve: Do jenë më të manipuluarat në histori

-Instant, Arkiva, F1, Planet

Presidenti Donald Trump hodhi për herë të parë të enjten idenë për t’i shtyrë zgjedhjet presidenciale të nëntorit, pas aludimeve të tij se votimi me postë do të rezultojë në manipulime, aludime që nuk duket të kenë ndonjë bazë.

Presidenti Trump shkruante të enjten në Twitter se “Me votimin e përgjithshëm me postë zgjedhjet e 2020 do të jenë zgjedhjet më të pasakta dhe më të manipuluara në histori. Do të jetë një turp i madh për SHBA. A duhen shtyrë zgjedhjet në mënyrë që njerëzit të mund të votojnë siç duhet???,” shkruante presidenti në Twitter.


Datat e zgjedhjeve federale përcaktohen nga Kongresi dhe Kushtetuta nuk parashikon asnjë dispozitë për shtyrje të ceremonisë së inagurimit të Presidentit më 20 janar 2021.

Presidenti Trump edhe më parë ka lënë të kuptohet se nuk do t’u besonte rezultateve të zgjedhjeve, e ngjashme kjo me ankesat e ngritura prej tij në prag të zgjedhjeve të vitit 2016. Megjithatë, asnjëherë më parë ai nuk kishte hedhur aq drejtpërdrejt idenë për ndryshimin e datës 3 nëntor.

Presidenti ka hedhur dyshime mbi legjitimitetin e fletëvotimeve me postë, të cilat janë përdorur në një numër shumë më të madh gjatë primareve në kushtet e pandemisë. Ai gjithashtu ka bërë aludime të pabazuara se votimi do të manipulohet dhe nuk ka pranuar të thotë nëse do t’i pranonte rezultatet zyrtare të zgjedhjeve nëse humbet.

REAGIMET

Kryetari i shumicës republikane të Senatit, Mitch McConnell tha se data e zgjedhjeve 3 nëntor është e vendosur përfundimisht. Në të kaluarën, tha ai, janë bërë zgjedhje edhe në kohë krizash.

Ligjvënësi demokrat Dan Kildee shkruante në Twitter: “Një president përhap gënjeshtra dhe propozon shtyrjen e zgjedhjeve për të mbajtur veten në pushtet. Mos lejoni që kjo të ndodhë. Çdo amerikan, republikan, i pavarur dhe demokrat, duhet të flasë hapur kundër mosrespektimit të ligjit dhe mospërfilljes së plotë të Kushtetutës nga ky president”.

Senatori Tom Udall, gjithashtu demokrat, tha: “Nuk ka asnjë mundësi që Presidenti i SHBA të mund t’i shtyjë zgjedhjet. Ne nuk duhet ta lejojmë atë të na zhvendosë vemendjen nga paaftësia që tregoi me COVID-19″.

Prokurori i Përgjithshëm William Barr u pyet në dëshminë e dhënë në Kongres në fillim të kësaj jave nëse Presidenti Trump mund të ndryshonte datën e zgjedhjeve. “Asnjëherë më parë nuk jam pyetur për këtë. Nuk e kam shqyrtuar ndonjëherë këtë,” tha ai.

Zoti Barr tha gjithashtu se në dijeninë e tij, një president nuk mund t’i kundërshtojë rezultatet e zgjedhjeve nëse votat janë të qarta. /VOA

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Kthehu