• |
ide | kryesore

Covid i merr jetën biznesmenin të njohur amerikan, ish-kandidatit për president të SHBA

Arkiva, Planet, Të fundit



Herman Cain, një republikan konservator dhe biznesmen i njohur, i cili kryesoi për pak kohë garën partiake për zgjedhjet presidenciale të vitit 2012, vdiq të enjten nga koronavirusi. Ai ishte 74 vjeç.

Zoti Cain ishte shtruar në spital për një muaj në qytetin Atlanta dhe fillimisht u duk se po përmirësohej, por shëndeti i tij u keqësua gjatë ditëve të fundit. Zoti Cain mori pjesë në tubimin politik të Presidentit Trump në Tulsa të Oklahomës me 20 qershor, ku pati raste të shumta infeksioni.Por zoti Cain, i cili u pa se nuk kishte vënë maskë gjatë tubimit, tha se ai kishte bërë udhëtime të shumta rreth së njëjtës kohë. Nuk dihet se ku u infektua nga virusi që deri tani ka shkaktuar më shumë se 150 mijë të vdekur në Shtetet e Bashkuara.

Zoti Cain ishte drejtues i grupit afrikano-amerikan që mbështet Presidentin Trump “Black Voices for Trump”. Vitin e kaluar, presidenti e emëroi zotin Cain si anëtar të Bordit të Rezervës Federale (Banka Qendrore), por ai u tërhoq pas shtimit të kundërshtimeve ndaj tij.

“Po sulmohem sepse kandidova si republikan për president dhe për Senatin e Shteteve të Bashkuara dhe sepse jam një zë i fuqishëm i konservatorizmit, një zë i fuqishëm për kushtetutën dhe ligjet”, pati thënë zoti Cain.

Gjatë karrirës së tij, zoti Cain shërbeu në disa poste të larta korporatash. Ndër më të rëndësishmet, ai sherbeu si shef ekzekutiv i korporatës “Godfather’s Pizza”, një rrjet kombëtar restorantesh që u transformua në sukses pasi gjendej në prag të falimentimit.

Në vitin 2011, ndërsa bënte fushatë për të fituar emërimin republikan për zgjedhjet presidenciale të vitit 2012, ai bëri thirrje për një reformë të gjerë të sistemit të taksave.

Për pak kohë, ai u rendit para kandidatit eventual republikan Mitt Romney, sipas anketave politike një vit para zgjedhjeve. Ai u tërhoq nga gara në dhjetor të vitit 2011 pasi dy gra e akuzuan atë për ngacmim seksual gjatë kohës që ai drejtonte Shoqatën Kombëtare të Restoranteve nga viti 1996 deri në vitin 1999. Ai hodhi poshtë akuzat ndërsa bashkëshortja e tij Gloria e mbështeti atë duke thënë se, “Ai i respekton tërësisht gratë”.

Përmes një postimi në Twitter, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Kayleigh McEnany u shpreh se, “Herman Cain mishëronte ëndërrën amerikane dhe përfaqësonte më të mirën e shpirtit amerikan”. Ajo po ashtu shtoi, “Zemrat tona pikëllohen për të dashurit e tij, dhe do të jenë pjesë e lutjeve tona gjatë kësaj kohe. Ne kurrë nuk do ta harrojmë kujtimin e tij si mishërim i fisnikërisë, atdhetarisë dhe besimit”./VOA



2 Comments

  1. Ishte një njeri i mrekullueshëm që në vend se të luante rolin e qaramanit shfrytëzoi oportunitetin e “american dream “me sukses gjatë gjithë jetës që i fali zoti. U prehfsh në paqe!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *