• |
ide | kryesore

Kriza e vërtetë ekonomike do të nisë në shtator

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit



Nga Dr. Klodian Muço

Në një krizë të tillë nevojitet të mbështetet punësimi dhe konsumi, e jo gjenerimi i fitimeve dhe pasurisë për pak firma të mëdha duke rritur borxhin publik (borxhin e të gjithëve) për më tepër duke investuar në infrastrukturë që dihet se nuk ka ndikim real në ekonomi në periudhën afatshkurtër…

Në 31 korrik numri i të prekurve nga Covid-19 në botë kaloi 17 milionë të infektuar, nga të cilët më tepër se gjysma janë infektuar në tre muajt e fundit e mbi 6.5 milionë janë infektuar vetëm në korrik.

Progresioni i virusit vazhdon të përshpejtojë çdo ditë e më tepër: në katër ditët e fundit në botë ka pasur më tepër se 1 milionë të infektuar të rinj.

Dr. Klodian Muço / Lecturer – FASTIPKanë kaluar vetëm 6 muaj nga përhapja e këtij virusi dhe masat e marra për ta frenuar janë duke patur efekte shkatërruese në ekonominë globale, me miliona vende punë të humbura, me një rënie të ndjeshme të konsumit dhe investimeve.

Gjermania, që konsiderohej vendi me ekonominë më të shëndoshë në Bashkimin Europian në tremujorin e dytë ka pasur një rënie me 10.1%, më e madhja që nga vitet ’70.

Në SHBA rënia për tremujorin e dytë pritet që te jetë me -35%.

Ndërsa tek ne pritet që tremujori i dytë të mbyllet me një rënie prej 5%.

Shumë njerëz mendojnë se fundi i ‘lockdown’ përcakton edhe fundin e krizës ekonomike e nga shtatori e në vijim do të kemi një rritje ekonomike e kthimin e ekonomisë në normalitet.

Në realtitet, kriza ekonomike do të nisë pikërisht tani.

Sa më tepër kalon koha, aq më tepër del në pah ndjesia se sektori financiar nuk e ka kuptuar impaktin dhe implikacionet e periudhës afatgjatë që do të ketë pandemia në ekonominë reale.

Ekonominë globale, përfshirë këtu edhe atë Shqiptare, e gjeti kjo pandemi në një situatë aspak të mirë, me ide skarse për mbështetjen e zhvillimit ekonomik të qëndrueshëm dhe me një nivel shumë të lartë të borxhit publik. Pandemia në këtë rast pati një efekt katalizator si për borxhin publik po ashtu edhe për një sërë problemesh që ishin evidente prej kohësh.

Tek ne edhe qeveria pranoi problemin e madh të punësimit në të zezë apo nivelin e lartë të evazionit fiskal dhe korrupsionit. Po ashtu në nivel global përfshirë ketu edhe Shqipërinë, shihet se kemi një ngurtësim të pagave, një nivel të lartë borxhi spekulativ, pak investime në ekonominë reale dhe një rritje të borxhit publik shumë më të shpejtë se rritja e të ardhurave që shkon për pagesën e borxhit.

Që të gjitha këto bëjnë që të kemi një model ekonomik që nuk qëndron. Në Shqipëri kemi po ashtu një rritje të frikshme të çmimeve në sektorin imobiliar e një shtim të ofertës për këtë sektor, kjo e pa shoqëruar me zgjerim të kërkesës. Po ashtu tek ne vihet re se në vitet e fundit kemi një rritje të ndjeshme të borxhit për të mbështetur konsumin dhe investimet publike në infrastrukturë që rezultojnë çdo ditë e më tepër si inefikase për të gjeneruar zhvillim.

Tek ne qeveria si zgjidhje për krizën e shkaktuar nga Coronavirusi, mendon investime në infrastrukturë dhe vepra publike me ane të borxhit, mendon po ashtu se injeksioni i likuiditetit në treg me anë të kësaj forme do të gjeneronte stabilitet dhe zhvillim. Në të vërtetë kjo formë likuiditeti shkon te ata pak njerëz që s’kanë nevojë për të.

Qytetarët e thjeshtë, apo bizneset e vogla, që kanë realisht interes për këtë lloj likuiditeti nuk kanë mundësi të përfitojnë për mungësë garancish apo për arsye të mungesës së optimizmit për të nesërmen. Kjo është tipike e krizave financare, që likuiditeti u jepet personave që nuk kanë nevojë dhe që rritet masa monetare M2 e kjo rritje shoqërohet me një tkurrje të ekonomisë reale. Pra, kriza e vërtetë do të ndodhë pikërisht në vijim kur një pjesë e konsumatorëve dhe bizneseve do të binden se nuk do të jenë në gjendje të paguajnë për financimet e së kaluarës apo s’do të kenë mundësi të marrin financime të tjera.

Likuiditeti, që qeveria mendon të injektojë në ekonomi nuk do të trasformohet në kredi në periudhën afatshkurtër e kjo do të gjenerojë credit crunch[1].

Sot në vendet e zhvilluara në botë, por edhe në Shqipëri, po vihet re një tendencë rritëse e falimentimit të bizneseve dhe një tkurrje e kredive për konsum apo investim. Kemi një shtim të ndjeshëm të papunësisë ku një pjesë këtyre të papunëve ka edhe hua nëpër banka.

Vihet re po ashtu një tkurrje e konsumit, por duke qënë që ai është i korreluar me përfitimet e ndërmarrjeve private, kjo do të çojë në një krizë likuiditeti edhe për kompanitë private e një “ngrirje” të financimeve bankare. Po ashtu varfëria dhe papunësia që ka shkaktuar Coronavirusi do të shoqërohet në vijim me instabilitet. Për të konkluduar mund të thuhet se politikë-bërësit (policy- maker) duhet të kuptojë se për të dalë nga kjo krizë nevojitet politika të tipit të New Deal (Marrëveshje e Re), pra rritja e prezencës së shtetit në ekonomi. Po ashtu nuk ka sens që zhvillimi ekonomik të bazohet në zëvendësimin e investimeve private me anë të investimeve publike në infrastrukturë, pasi kjo konsiderohet arrogancë e pastër financiare.

Dihet se në një krizë të tillë nevojitet të mbështetet punësimi dhe konsumi, e jo gjenerimi i fitimeve dhe pasurisë për pak firma të mëdha duke rritur borxhin publik (borxhin e të gjithëve) për më tepër duke investuar në infrastrukturë që dihet se nuk ka ndikim real në ekonomi në periudhën afatshkurtër.

[1]Credit crunch i referohet një rënieje në aktivitetin e huadhënies nga institucionet financiare si rrjedhojë e një mungese të papritur të fondeve /Monitor.al



1 Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *