• |
ide | kryesore

U shkarkua pas 34 vitesh/ Apartamenti që bleu prokurori Kosova në 1998

-Instant, Lajme, Të fundit

Vendimi i arsyetuar i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit për subjektin Adnan Kosova, ish-prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme, tregon se trupa gjykuese u nda në një shumicë që vendosi se provat e paraqitura prej tij për blerjen e apartamentit nuk ishin bindëse sepse kishin vetëm “vlerë deklarative” ndërsa dy anëtarë në minorancë i gjykuan këto prova si të mjaftueshme.


Kosova u shkarkua si prokuror pas një karriere 34 vjeçare në 13 mars 2020 me vendim të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, ku nga pesë gjyqtarët e trupës, tre votuan shkarkimin ndërsa dy, Sokol Çomo dhe Ina Rama, votuan kundër.


Trupa gjykuese u nda në lidhje me peshën e provave të ofruara nga Kosova për burimin e blerjes së një apartamenti në Tiranë në vitin 1998 me vlerë 2.6 milionë lekë. Sipas Kosovës, burimi i blerjes së apartamentit ishte shitja e apartamentit të tij në Korçë me vlerë 2.5 milionë lekë si dhe kursime të familjes.

Por të ardhurat në masën 2.5 milionë lekë ishin realizuar, sipas Kosovës ishin realizuar në dy pjesë, një pjesë në masën 1.5 milionë lekë dhe një tjetër në masën 1 milionë lekë. Problemi i Kosovës është se kontrata për shitjen e apartamentit në Korçë mban shumën 1 milionë lekë dhe nuk përmend një kapar prej 1.5 milionë lekësh, të cilin Kosova thotë se e ka marrë katër vjet para se të dorëzojë apartamentin e tij te blerësi dhe të marrë apartamentin e ri në Tiranë.

Kolegji i Posaçëm i Apelimit thotë në vendimin e shumicës se Kosova nuk ka prova shoqëruese për të mbështetur ngjarjen që ai e ka deklaruar si të ndodhur. Provat e ofruara nga Kosova është deklarata e tij e pasurisë e vitit 2003, në të cilën vlera e apartamentit deklarohet në masën 2.5 milionë lekë dhe një deklaratë noteriale të bërë nga blerësi gjatë procesit të rivlerësimit në vitin 2018.

Kosova u përball gjithashtu me pikëpyetje nëse mosdeklarimi i kaparit në kontratën e shitjes lidhej me shmangien apo jo të një detyrimi fiskal për të ardhurat e krijuara nga shitja e pronës. Kosova deklaroi se në informacionin e disponuar prej tij në lidhje me regjimin fiskal në kohën e shitjes, mbi këtë të ardhur nuk kishte detyrime tatimore pasi edhe vetë ligji për të ardhurat personale i përket vitit 1999, pra periudhës pas marrjes së kaparit. Shumica e gjeti jo bindës këtë argumentim.

“…trupi gjykues i Kolegjit vëren nga njëra anë ekzistencën e një dokumenti zyrtar të pakontestueshëm, lehtësisht i verifikueshëm – kontrata e shitblerjes e datës 10.06.2002 – që i vendos të ardhurat e subjektit të rivlerësimit nga shitja e apartamentit në vlerën 1.000.000 lekë dhe, nga ana tjetër, deklaratën periodike të vitit 2003,” thuhet në vendim.

Në vendim shkruhet gjithashtu se kolegji “vëren se pretendimi i subjektit të rivlerësimit do të ishte bindës nëse në momentin e nënshkrimit të kontratës, palët do të kishin referuar kaparin e dhënë. Në mungesë të marrëveshjes së kaparit në vitin 1998 apo të referimit në kontratë të një shume të konsiderueshme në formën e kaparit katër vjet përpara kontratës së shitjes nga ana e blerësit, ky pretendim mbeti deklarativ.”

Ndryshe nga sa gjykon treshja në shumicë, Natasha Mulaj, Rezarta Schueltz dhe Ardian Hajdari, gjyqtarët në minorancë thonë se të dhënat plotësuese, përfshirë deklarimin e shumës së plotë të të ardhurave në vitin 2003 janë të mjaftueshme për të krijuar bindjen mbi vërtetësinë e deklaratës së Kosovës dhe konfirmimin e tij në detyrë.

“Pakica ka bërë një vlerësim dhe çmim të ndryshëm nga shumica të rrethanave të faktit që lidhen me provueshmërinë e përfitimit të një shume prej 1.500.000 lekësh prej subjektit,” shkruhet në vendimin e pakicës. Gjyqtarët pakicë mendojnë gjithashtu se kuadri fiskal shqiptar në fund të viteve ’90 ishte i tillë sa nuk mundej t’i ngarkohej përgjegjësia Kosovës për pagesën apo jo të një detyrimi fiskal.

“…gjendet i besueshëm edhe shpjegimi që subjekti i rivlerësimit ka bërë për sa i përket arsyes së mosdeklarimit të të gjithë shumës në kontratën e shitjes, por vetëm shumën e marrë në atë moment, referuar konfuzionit dhe paqartësisë mbi legjislacionin tatimor në Republikën e Shqipërisë në ato vite, i cili kishte pësuar ndryshime, të cilat, në mungesë të akteve normative që do të mund të detajonin rregullimet e ligjit, çmohet si një arsye e pranueshme për t’i dhënë shpjegim mospasqyrimit në kontratën e shitblerjes së të gjithë vlerës së çmimit.”

Kosova kishte filluar punë në sistemin e drejtësisë në vitin 1987.

/Birn/

2 Comments

  1. Edhe sot e kësaj dite një pjesë e madhe e shqiptarëve në shitblerje veprojnë me para kesh e jo me veprime bankare.
    Paska shitur një aprament në Korçë ky zotëria e ka blerë me ato para një apartaent në Tiranë , e ngaqë ka haruar se përpara i ka dhënë një kapar blerësit, pezullohet nga pprofesioni që e ka ushtruar 34 vjet, me akuzën “abuzime me deklarimin e parave” .
    Edhe unë kam shitur e kam blerë një apartament pikërish në ato kohë, e as e mbaj mend fare se sa e shita e sa e bleva apartamentin tjetër.

  2. Po pse nuk bere si prokuroret e SPAK o plak? Fundja cte kushtonte te gjeje nje noter i cili te te bente nje deklarate noteriale te 1998 qe sikur i kishe marre parate nga nje tjeter. Pse o lumadh, si te tjeret dhe ti. Komplet budalla.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Kthehu