• |
ide | kryesore

Durrësi, i gjunjëzuar nga tërmeti dhe pandemia

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit



Tetë muaj nga tërmeti i 26 nëntorit dhe 5 muaj pas shfaqjes së pandemisë Covid-19, ndihet sikur Durrësi, ka kaluar nga njëra luftë në tjetrën. Rindërtimi është ende larg, pasi nuk ka përfunduar procesi i vlerësimit të banesave të dëmtuara, ndërsa shembja e 1050 objekteve, ku 260 janë pallate, pret vulën nga Tirana. Ndërkohë pushteti vendor ku ka dyndje të interesuarish, punon me personel të reduktuar pas karantimit për shkak të rasteve pozitive me Covid mes punonjësve. Ndërkohë që buzë detit pushohet, një “luftë” e tretë përballohet nga punonjësit e vijës së parë, lufta ndaj panikut dhe kaosit që mund të sjellë në jetën e të gjithëve infektimi masiv nga Covid-19.


Covid-19 ka mbërritur herët në Durrës. Nëpër korridoret e institucioneve shëndetësore në qytetin bregdetar, emri i virusit u artikulua qëkur u shfaqën rastet e para të të infektuarve në Kinë. Personeli mjekësor në Durrës ka nisur të trajnohet prej asaj kohe. Dhe dy ekipet e Operatorit të Kujdesit Shëndetësor duket se ia kanë marrë dorën numrit të lartë të telefonatave apo të referimeve nga mjekët e familjes

“Praktikisht puna jonë ka filluar shumë herët këtu tek ne. Ka filluar qëkur dolën rastet në Kinë. Ne kemi patur një protokoll të ndryshueshëm, që nga rasti i parë që u konstatua në Shqipëri”- tha për “Faktoje” Drejtuesja e Operatorit të Kujdesit Shëndetësor Durrës, Aurora Hyka.

Aurora Hyka, Drejtuesja e Operatorit të Kujdesit Shëndetësor Durrës

Por Drita Ziskoja, nuk duket shumë e shqetësuar nga pandemia. Ajo prej ditësh endet dyerve të zyrave në Bashkinë e Durrësit. Pas tërmetit të 26 nëntorit i cili shkaktoi 24 viktima dhe la afro 10 mijë të pastrehë në këtë zonë, Drita shkoi në Greqi dhe qëndroi tek njerëzit e saj. Ajo është kthyer të gjejë zgjidhje për apartamentin në pallatin 11-katësh në lagjen 13, Plazh, i vlerësuar me DS3, dhe për lokalin. Ulur tek shkallët e bashkisë ajo pret, por kjo zyrë është kthyer vetëm për pritje të kërkesave me shkrim, dhe nuk të mundëson takime me përfaqësues të bashkisë.

“Nëse një qytetar më parë trokiste te dera e nënkryetarit, tani për shkak të Covid-19, i kemi centralizuar të gjitha tek zyra e pritjes së popullit. Eshtë reduktuar kontakti i drejtëpërdrejtë me të gjithë administratën. Qytetarët duhet të bëjnë kërkesën dhe do presin përgjigje me shkrim.”- thotë nënkryetari i bashkisë Florian Tahiri.

Florian Tahiri, nënkryetari i Bashkisë Durrës

Drita Ziskoja mëson se emri i saj nuk do të shënohet në listat e përfituesve nga Programi i Përfitimit, sepse ajo zotëron më tepër se një çertifikatë pronësie.

“Nuk e kuptoj këtë gjë, lokali doli jashtë funksionit. Unë me atë ushqehesha, mbaja familjen. Pse nuk duhet të ndihmohem unë? Nuk përfitova as pagën e luftës, sepse kryetarja e Njësisë Bashkiake më tha mbylle liçensën”-tregon gruaja. Këtu në Bashkinë me më shumë se 200 mijë banorë, me 220 pozitivë dhe 16 viktima nga virusi, “hallet e Dritës janë luks”.

Dyndje në sportelet e aplikimit

50 metra larg nga bashkia në një tjetër ndërtesë ka dyndje njerëzish. E mërkura e 15 korrikut, ishte dita e fundit e aplikimit të rihapur për dëmet nga tërmeti dhe pranë Zyrës së Rindërtimit tek Prefektura ka radhë. Nuk respektohen distancat fizike për t’u mbrojtur nga infektimi i Covid-19, edhe pse u është shpërndarë një numër aplikimi. Policia bashkiake herë pas here u bën thirrje dhe përpiqet të shpërndajë grumbullimin.

Zyra e aplikimit

“Natën e kaluar është punuar deri vonë. Prefektura po ndihmon bashkinë me ambjente dhe me punonjës, pasi për shkak të situatës së Covid ka vonesa në kohë për procedurat e dëmshpërblimeve. Këtu janë hapur 4 zyra të aplikimit. Ne po mundohemi që çdo gjë të zhvillohet normalisht”- thotë Prefekti i Qarkut të Durrësit Roland Nasto.

“Kam tre ditë që zë rradhë në ora 5 të mengjesit, për të dorëzuar dokumentet, nuk kemi më afat. Ne presim pranë sporteleve, këta shpërndajnë numra në rrugë!”-tregon Vjollca Domi, banore e Durrësit, shtëpia e së cilës është vlerësuar me dëmtime të mëdha.

Vjollca Domi

“Kjo që po ndodh këtu është skandal. Pse duhet të vendosin afate kur nuk janë respektuar ato të mëparshmet”- proteston Agron Rrapo. Ai është i frikësuar nga qëndrimi ngjitur me të tjerët në radhë, por nga ana tjetër i duhet të dorëzojë dosjen për banesën e tij. Edhe punonjësit janë të përfshirë nga paniku përballë turmës së njerëzve. Një prej tyre u largua duke protestuar për t’u rikthyer pas pak disi më i qetë.

Agron Rrapo

“Si mund të punoj kështu! Është stres, mund të infektohem e kam fëmijë dhe prindër të moshuar në shtëpi. Pse u la e gjithë kjo ngarkesë për ditën e fundit”- ankohet zyrtari që kërkon të mos i publikohet emri, sepse i druhet largimit nga puna pse flet pa lejen e eprorëve.

Covid ul përformancën e pushtetit vendor

Bashkia e Durrësit deri në fund të muajit qershor kishte marrë më shumë se 13 mijë aplikime, në kuadër të programit të Rindërtimit. Shqyrtimi i dosjeve për dëmtimin e banesave të kategorive DS1, DS2 dhe DS3 – të cilat përfshijnë dëmet e lehta deri tek mesataret, sipas titullarëve të bashkisë është bërë. Por procesi i vlerësimit të dëmeve është ende larg përfundimit.

“Për shkak të situatës nga Covid kemi pasur problematika, sa i përket çështjes së rindërtimit. Qytetarët duhet të paraqiteshin pranë njësive administrative për dokumentat e caktuara, por nga ana tjetër ata nuk lejoheshin të grumbulloheshin.  Kjo gjë ndikoi në vonimin e procesit dhe ne si staf i bashkisë lamë menjanë punët tona parësore në këtë drejtim dhe u angazhuam në menaxhimin e situatës së Covid-19 sidomos për t’u ardhur në ndihmë me ushqime e shërbim familjeve të varfra, atyre në nevojë. Për afro dy muaj procesi për dëmet nga tërmeti u pezullua.”- thotë nënkryetari i bashkisë Florian Tahiri.

Për ndërtesat e kategorisë DS4 dhe DS5, që janë planifikuar të shemben, Bashkia e Durrësit ka dërguar për ekspertiza të thelluara në Institutin e Ndërtimit 1050 objekte, nga të cilat 260 janë pallate dhe 790 janë objekte individuale.

“Dëmshpërblimet u vonuan. Tani janë duke u lidhur kontratat për dëmet e vogla dhe të mesme, kurse për DS4 dhe DS5 duhet më tepër kohë pasi si proçedurë është më e ndërlikuar, sepse kemi të bëjmë me shembje banesash dhe rindërtim”- thotë Tahiri

“Covid ka ndikuar në përformancën e punonjësve të bashkisë për shkak të panikut dhe të ndikimit psikologjik. U mor vendimi që nënat me fëmijë të punonin nga shtëpia. Kjo ka patur ndikim të drejtëpërdrejtë në marrëdhëniet me qytetarët. Ata vinin dhe pjesa më e madhe e zyrave ishin të mbyllura. Më vonë patëm rastin e infektimit të dy punonjësve të Urbanistikës dhe kjo e veshtirësoi akoma më shumë rolin tonë. Administrata u përfshi në panik.”- tregon për “Faktoje” numri dy i Bashkisë Durrës.

Në zyrën e hipotekës nuk ka shumë njerëz, por nga këtu hapet rruga për çdo fazë të procesit të rindërtimit. Zyra duhet të konfirmojë statusin juridik për çdo pasuri, kërkuar nga bashkitë e qarkut Durrës. Po ashtu duhet të ofrojë informacion për pasuritë e subjekteve që përfitojnë grantin e rindërtimit, procedurë që do kohë të përfundojë.

Zyra e Hipotekës në Durrës

“Pandemia në zyrën tonë ka ndikuar mjaftueshëm. Nga data 10 mars deri në 15 qershor kemi punuar me staf të reduktuar. Në 1 qershor rezultuan dy punonjëse me Covid për të cilën u karantinuan 20 specialistë që kishin kontakt të afërt me specialistët e infektuar. Kemi patur dhe familjarë të specialistëve me Covid për të cilët është dashur të karantinohen dhe vetë specialistët e zyrës. Dy javët e para të korrikut është punuar jashtë oratit zyrtar, të shtunë dhe të diel deri në orët e vona të natës”- thotë për “Faktoje” Shefja e Zyrës së Hipotekës në Durrës, Albana Hyseni.

Zyra e aplikimit

“Jemi duke punuar me orare të zgjatura, kryesisht me punonjës burra. Eshtë sezon turistik dhe duhet të merremi jo vetëm me problemet e tërmetit, por edhe me plazhet.”-thotë prefekti Nasto.

Roland Nasto, Prefekti i Qarkut të Durrësit

Hallet që la pas tërmeti ia “kalojnë” pandemisë

Në Durrës duket sikur pasojat e tërmetit ia marrin vëmendjen pandemisë. Këtu nuk ka alarm nga pandemia, por nga pasojat e tërmetit. Në farmaci maskat shiten gjithnjë e më pak.

“Ka ulje të numrit të atyre që kërkojnë të blejnë një mbrojtëse”-thotë Alma, famacistja në qendër të qytetit.

Noterët janë ata që nuk pushojnë. Brenda 30 minutave në studion ligjore “Noteri – Avokat Brunilda Ceka” përballë zyrave të Hipotekës, u paraqitën njëri pas tjetrit më shumë se 20 qytetarë. Kryesisht nga bashkia, lagjet dhe insitucionet e tjera të pushtetit vendor u kërkohen dokumente të noterizuara edhe atëherë kur nuk është nevoja.

“Kam ardhur të noterizoj hipotekën e shtëpisë, të aplikoj në bashki për dëmshpërblimin nga tërmeti. Por duhet edhe akt noterial nga bashkëshortja ime. Nuk e kuptoj këtë gjë, kur lehtësisht mund të zgjidhet me ligjin përkatës”- thotë Gëzim Hoxha.

Tamponë vetëm për të infektuarit me shenjat klinike

Çdo mëngjes Drejtuesja e Operatorit të Kujdesit Shëndetësor Durrës, Aurora Hyka njihet me numrin e personave që rezultojnë pozitivë pas testit të Covid.

“Në polici dërgojmë jo vetëm emrat e atyre që pas testimit dalin pozitivë, por edhe emrat e personave të kontaktit të cilët vendosen 14 ditë në karantinë”-thotë Hyka. Dikush telefonon se një person që ka rezultuar me Covid nuk bindet dhe nuk do të qëndrojë në shtëpi. “Njoftoni policinë ta marrë forcërisht.” -u thotë Hyka vartësve të saj.

Aty ku besohej se do të kishte të infektuar, tek personat që qëndrojnë në çadra, për shkak se shtëpitë u janë dëmtuar nga tërmeti, sipas Hykës nuk ka patur raste pozitive. Në Durrës tampon u bëhet vetëm atyre që shfaqin shenja klinike, kurse për personat e kontaktit është proceduar me karantinimin 14 ditësh. Njësoj është vepruar edhe me rastet në institucione. Vetë Hyka nuk ka bërë test. As pjesa tjetër e personelit mjeksor, pavarësisht se tek ky institucion ka patur persona të prekur.

“Bërja e një tamponi nuk të bën imun”-thotë Hyka.

Por jo çdo gjë është e parashikuar dhe realizohet sipas protokollit. Kur ajo po fliste për “Faktoje”, u paraqit një rast urgjent për kryerje të testit. Psikiatri i spitalit të Durrësit e njoftoi për një të sëmurë mendor shumë të axhituar i cili duhej të dërgohej në spitalit psikiatrik në Elbasan. Personeli mjekësor atje nuk pranonte të shtronte personin në krizë pa i bërë testin për Covid. Në këtë rast Hykës i duhet të telefonojë eprorët e saj në Ministrinë e Shëndetësisë.

Policët shërbim 24 orësh

Eshtë i lartë numri i efektivëve të policisë që bëjnë shërbim 24 orësh në ditët e nxehta të korrikut. Telefonatat në sallën operative nuk pushojnë. “Janë me qindra të tilla, sidomos në fundjavë me popullimin e plazheve. Telefonojnë për cdo gjë; nga radhët nëpër dyqane e zyra deri tek distanca e shezlloneve”- thotë punonjësja operative.

“Vetëm fundjavën e shkuar ishin afro një milionë njerëz në Durrës.”- tregon një drejtues i policisë vendore. Sirenat nuk ndalen dhe frika nga infektimi me Covid i punonjësve është një sfidë më vete. “Nëse sëmuren policët, kalojmë në kaos. Nuk do dimë kujt t’i japim prioritet, mbrojtjes së qytetarëve nga kriminelët, kundravajtjeve, zgjidhjes së konflikteve, luftës kundër drogës, kontrollit të të infektuarve nga virusi, mbarëvajtjes së turizmit…”- rendit detyrat një nga oficerët madhorë.

Prefekti Nasto tregoi, i pyetur për “Faktoje”, se jo në pak raste kërkojnë ndihmë nga policia për të ndaluar dasmat. Në periferi traditat vazhdojnë si para kohës së pandemisë dhe në gëzime të tilla bashkohen më shumë se 300 vetë.

“Për shkak të pandemisë në varrime duhet të jenë vetëm familjarët, ashtu edhe në dasma apo ditëlindje. Ka shumë që nuk i respektojnë këto rregulla, ne njoftojmë policinë”- thotë prefekti Ronald Nasto.

“Punonjësit janë në shërbim natë e ditë, të gjithë në gatishmëri. Tirana na ka sjellë forca shtesë për turizmin”- tregon Drejtori i Policisë së Durrësit, Lorenc Shehu.

Lorenc Shehu, Drejtori i Policisë së Durrësit

Në hyrje të godinës së policisë ka shumë njerëz. Të gjithë të shqetësuar që kërkojnë të zgjidhin problemet. Polici roje nuk mund t’u japë sqarime pa pushim dhe herë pas here mbyll portën. Brenda, një tjetër police shërbimi merret me qytetarët. Ajo nuk pushon së apeluari: “qendroni larg njëri-tjetrit, respektoni distancat!”

Godina e Policisë

Nga shkallët e katit të dytë dy burra zbresin me shpejtësi. Hipin në automjet dhe largohen. Pas tyre edhe furgoni me policë. Një telefonatë në sallë njoftoi për sherr në zonën e plazhit….

E gjithë kjo “luftë” zhvillohet larg syrit të pushuesve, që megjithë alarmin nga pandemia po e frekuentojnë plazhin e Durrësit. Në mbrëmje, pranë Adriatikut pak kush kujtohet për tërmetin dhe Covidi-19. /Nga Anila Prifti, Faktoje.al



3 Comments

  1. Megjithate, po ta shofesh holle, qysh kur ka fillu’ te punoje ne Bashki Lul Berisha, ka pak permiresim te situates.
    Edhe Gjushi punon vullnetar, po s’duket se eshte i shkurter…
    Ndaj dhe Lideri Sumprem dhe Barkprem ka vendosur te kandidoje ne Durres, se eshte i gjate dhe duket.
    Kishte nevoje qyteti per nje prezence te gjate…….

  2. Vuajtjet e Durresit shume shpejt do marrin fund. Ja sa te vije specia supreme ngyre mavi, dhe gjithcka do ndryshoje. Psh Vlora nuk njihet! Eshte bere si Miami Beach. Per cudi, ku ka qendruar kjo specie, cdo gje ka lulezuar!

    Fat i madh per Durresin. Ndodh vetem 1 here ne 5000 vjet, atehere kur rreshtohen planetet ne vije te drejte.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *