• |
ide | kryesore

Vetingu shpërfilli qëndrimet e gjykatësve në çështjen e Dritan Dajtit

Arkiva, Kryesore, Lajme

Goditjen e parë për vendimin që i hoqi Dritan Dajtit dënimin me burgim të përjetshëm, tre gjykatësit e Apelit të Krimeve të Rënda e morën pak ditë më pas, kur policia u bastisi shtëpitë.

Por nëse policia mësyu vetëm në banesat e gjykatësve që e favorizuan Dritan Dajtin (Petrit Aliaj, Skënder Damini, Aleks Nikolli), vetingu ka qenë i verbër dhe nuk ka bërë dallime, duke shkarkuar edhe  dy të tjerët, (Fuat Vjerdha, Lindita Hoxha).


Dy gjykatësit nga Shkodra, që nuk pranuan ta favorizojnë Dritan Dajtin nuk e kaluan vetingun, pavarësisht se qëndruan kundër lirimit nga burgu të vrasësit të 4 policëve.

Vendimi u dha në shkurt të vitit të kaluar, kur Dritan Dajtit iu pranua kërkesa për gjykim të shkurtuar, duke prishur automatikisht burgimin e përjetshëm dhe që u konvertua në 25 vite burg.

VETINGU I LINDITA HOXHES

Lindita Hoxha ishte kundër prishjes së dënimit të përjetshëm për Dritan Dajtin, pavarësisht kësaj u shkarkua nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.

Në seancë, gjyqtares nuk iu përmend vendimi i shumëpërfolur i Dajtit, por aty u fol më shumë për marrëdhënien e të shoqit me një kompani sigurimesh dhe për një objekt që bashkëshorti i saj kishte ngritur në fshatin Shtoj të Shkodrës, për mbarështimin e shpendëve.

Parregullsi sipas KPK ishte mosdeklarimi për një makinë të blerë në vlerën e 250 mijë lekëve në vitin 2005 dhe një tjetër 5 mijë euro, 5 vite më pas, në vitin 2010.

“Kam punuar për 27 vite me ndershmëri e shumë sakrifica. Ka qenë shumë e vështirë të ruash emrin e mirë për 27 vite dhe tu bësh ballë presioneve” tha në seancë gjyqtarja Lindita Hoxha mes lotësh, para se të shkarkohej nga detyra.

VETINGU PER FUAT VJERDHEN

Dal kryenaltë nga kjo sallë, ta bëjnë si të duan vetingun” me këto fjalë e la sallën e vetingut, Fuat Vjerdha pasi e shkarkuan, një tjetër gjykatës që kishte qenë kundër prishjes së dënimit të përjetshëm të Dritan Dajtit.

Gjatë vlerësimit të pasurisë së Fuat Vjerdhës, Kryetar i Apelit të Shkodrës, Komisioni pretendoi se në pasurinë e tij nuk justifikoheshin 1.6 milion lekë. Në seancë i përmendën uljen e dënimit për Sokol Mjacajn nga 10 në 4 vite burg, që pas daljes nga burgu vrau dy turistët çekë.

Por Vjerdha tha se më pas, kishte qenë pikërisht ai që e kishte dënuar për të dytën herë Sokol Mjacajn me një dënim akoma më të rëndë.

VETINGU PER ALEKS NIKOLLIN

Aleks Nikollin favorizoi Dritan Dajtin me qëndrimin e tij pro prishjes së dënimit të përjetshëm.  Në vitin 2019, Nikolli u vu nën hetim për korrupsion nga ish-Prokuroria e Krimeve të Rënda, si një nga tre gjyqtarët që vendosi zbutjen e dënimit të Dajtit.

Por ky moment nuk u diskutua fare nga KPK, që u limitua në llogaritë për ndërtimin e një shtëpie në Shëngjin, të cilën Nikolli e ka në pronësi bashkë me tre vëllezërit e tij dhe për shitjen e një dyqani 12 metra katror.

Kriteret e vleresimit, profesional nuk u morën parasysh dhe Nikolli u shkarkua nga detyra. Në seancën e mëparshme ai pati deklaruar:

“Kjo mund të jetë një ditë e lodhshme për Komisionin dhe vëzhguesen ndërkombëtare, por drita e dhomës time fiket në orën 2 ose 3 të mëngjesit. Dosjet e punës sime janë garniturë në tavolinën e bukës. Kam bërë sakrifica në punë dhe sot kam 5 apo 6 sëmundje kronike. E konsideroj vehten si gjyqtar i të varfërve dhe i të pambrojturve,” 

VETINGU PER PETRIT ALIAJ

Në qershor, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit njoftoi shkarkimin nga detyra të gjyqtarit të Apelit të Vlorës, Petrit Aliaj, një nga gjyqtarët që favorizuan Dritan Dajtin për prishjen e dënimit me burg të përjetshëm. Gjyqtari paraqiti 4 raporte mjekësore sikur ishte sëmurë, por nuk e ndali dot shkarkimin.

Aliajt i doli një pallat në emrin e babait, që nuk e justifikonte dot. Pasuri të tjera të pajustifikuara ishin një truall në Delvinë, mosjustifikim të shumës rreth 70 mijë euro për ndërtimin e një ndërtese tre kate dhe mosjustifikim të shpenzimeve për shkollimin e fëmijëve.

Petrit Aliaj është shkarkuar edhe në vitin 2004 nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë, por Gjykata e Lartë e riktheu në detyrë dy vjet më vonë. Në vitin 2005 ai është paguar me 47 mijë dollarë nga vëllezërit Balili, si konsulent ligjor i tyre. Por, Komisioni i Vetingut nuk ia ka konsideruar të ligjshme këto para.

SKENDER DAMINI

Pas vendimit për Dritan Dajtin në shtëpinë e gjykatësit Slënder Damini policia gjeti 17 mijë euro dhe disa plumba të një pistolete. Gjykata ka refuzuar t’ia kthejë me gjithë kërkesën e tij drejtuar Krimeve të Rënda.

Damini favorizoi Dritan Dajtin duke u deklaruar pro prishjes së dënimit me burg të përjetshëm. Këshilli i Lartë Gjyqësor ka nisur hetimin për shkelje të rënda profesionale dhe etike që diskreditojnë pozitën dhe figurën e gjyqtarit gjatë ushtrimit të detyrës.

NGJARJA E VITIT 2009

Forcat Operacionale shkuan të arrestonin Dritan Dajtin, i cili asokohe ishte shpallur në kërkim për vrasjen e biznesmenit Agim Beqo.

Vrasja e biznesmenit Agim Beqo, ka ndodhur në vitin 1999 dhe Dritan Dajti ishte i lirë që pas arratisë në vitin 2004 nga Gjykata e Tiranës.

4 policë mbetën të vrarë në përpjekje për të arrestuar Dajtin, Fatos Xhani, Sajmir Duçkollari, Altin Dizdari dhe Kastriot Feskaj. Sot ata janë shpallur Dëshmorë të Atdheut.

Dritan Dajti qëndron prej vitit 2009 në paraburgim, ndërkohë që gjykimi i tij është zvarritur për gati 10 vite. Gjykata e Lartë e riktheu çështjen për rigjykim në Apel, ndërsa Gjykata e Shkallës së Parë e kishte dënuar Dajtin me 4 burgime të përjetshme.© Lapsi.al

5 Comments

  1. shoket e rame kane dale nga burgu , pritet dritan dajti, dhe zani caushi, shullazin po e bejne gati

    te fala sandrit thoshte rama,

    dhe medoemos fajin e ka PD , Basha dhe Saliu

    Do bejme shtet!

    1. Ky vend ka ik per dreqq
      Rrofte Ripjellha..
      Njerezit te lumtur me jashte qitjen e tyre🤮

  2. Nuk keni njohuri per parimet baze te gjyqesorit si dege e pavarur e qeverisjes, e merrni persiper te beni keto “analiza”.

  3. Clidhje ka kjo me shullazin o kunguj, skaluan vetingun se kan vjedh e nuk justifikojne pasurine apo doni i nxjerr dhe si te ndershem tani.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Kthehu