• |
ide | kryesore

Gjirokastra, pasoja nga emigracioni dhe pandemia e Covid-19

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit



Në Gjirokastrën me histori të hershme, shfaqja e pandemisë së Covid-19 shkaktoi më shumë pasoja me mungesën e turistëve të huaj, sesa me numrin e të infektuarve apo përhapjen komunitare të virusit. Nga 90 struktura hoteliere që operojnë në zonën muzeale,10 përqind raportohet të mos e kenë rinisur aktivitetin pas izolimit, për shkak të pamundësisë për të mbijetuar. Plagët për t’u shëruar në qytetin e gurtë, tani janë rimëkëmbja e biznesit turistik dhe atij artizanal, por edhe pesimizmi i krijuar, nga braktisja e pandalshme e qytetit.

“Qyteti i Gjirokastrës nuk ka infektim komunitar nga Covid-19, të paktën deri në fund të muajit korrik, kur ishin vetëm dy vatra; pjesëtarët asimopatikë të dy familjeve, që pas karantinimit 14-ditor, vazhdojnë jetën normalisht.”- thotë Drejtori i Shëndetit Publik Shpëtim Novi. Që prej shfaqjes së pandemisë, sipas Institutit të Shëndetit Publik në Qarkun e Gjirokastrës ka patur 30 persona të infektuar.

I njohur për arkitekturën fine, ky qytet për shkak të pandemisë ka disa muaj që po përjeton pasoja të rënda ekonomike. Goditjen e fortë e ka marrë turizmi, që deri një vit më parë përbënte shpresë për zhvillimin ekonomik të qytetit, me trashëgiminë unikale kulturore, historike dhe arkitekturore.

Sot, vizitorët në kalanë e Gjirokastrës numërohen me gishta, një lajm i keq për familjet që kanë ngritur biznesin përreth kësaj zone dhe mezi e prisnin këtë sezon.

“Turizmi në Gjirokastër ka shkuar në zero. Kishim parashikuar që këtë vit të arrinim maksimalet përmes kësaj fushe dhe të vilnim investimet që kemi bërë, por përfunduam keq.”- thotë Maksim Hoxha, biznesmen dhe kryetar i Dhomës së Tregtisë së Gjirokastrës.

“Në periudhën janar-korrik në 2019, kishim pritur gjysmën e totalit të turistëve që llogaritet në 120 mijë”- tregon Hoxha.

“Sivjet sipas statistikave të vizitave në muze numri përmblidhet në 1200 turistë për muajin qershor dhe korrik.”- tregon, e pyetur për “Faktoje”, Loena Bakuli, Drejtore e Drejtorisë së Koordinimit të Integrimit Evropian dhe Turizmit në bashki.

Loena Bakuli, drejtore e Drejtorisë së Koordinimit të Integrimit Evropian dhe Turizmit në Bashkinë Gjirokastër

Të dhënat historike në Drejtorinë Rajonale të Kulturës tregojnë se para 400 vjetësh Gjirokastra kishte 2200 shtëpi, nga të cilat 200 në zonën e kalasë; 280 dyqane, 9 xhami, 3 teqe, 3 kisha, 5 kroje dhe shumë depo uji. Nga viti në vit e nga shekulli në shekull qyteti rritej e forcohej dhe mori rolin e trashëgimtarit të qytetërimeve të lashta të luginës dhe trojeve përreth.

Sot qendra historike mbulon një sipërfaqe prej 1.2 km katrorë, përfshirë kalanë dhe strukturat e ndërtuara deri në shekullin XIX. Zona e mbrojtur si një vend i trashëgimisë së UNESCO-s përfshin 1400 ndërtesa. Qyteti ka mbi 800 ndërtesa historike. Pjesë e kësaj bashkie është edhe Parku Arkeologjik i Antigonesë, me një sipërfaqe prej 92 hektarësh.

“Gjirokastra është dashuri me shikim të parë. Si vendi i lindjes së shkrimtarit shqiptar me famë botërore Ismail Kadare, por dhe i diktatorit famëkeq Enver Hoxha, qyteti është aq intrigues dhe kontrovers, pasi ruan mirë gjithë fazat e historisë. Ka shumë për të parë, jo vetëm në këtë qytet unik, por në gjithë rajonin.” – shkruhet në faqen zyrtare të Shoqatës së Turizmit në qytetin me afro 60 mijë banorë.

“Ky është qytet që jeton me turizmin e huaj dhe për sa kohë kufijtë janë mbyllur dhe nuk ka asnjë turist, Gjirokastra është dramë!”-thotë drejtuesi i Dhomës së Tregtisë për Gjirokastrën, Maksim Hoxha.

Maksim Hoxha, kryetar i Dhomës së Tregtisë për Gjirokastrën.

Por prefekti Astrit Aliaj është nga të paktët optimistë.

“Kemi bërë thirrje që turistët shqiptarë të vijnë në Gjirokastër. Ky është vit ku janë rritur kapacitete jo vetëm në qytet, por edhe në fshat. Për këtë gjë kemi komunikuar me kryetarët e bashkive të tjera, po mundohemi të joshim të rinj e të reja duke treguar resurset. D.m.th të nxisim turistin vendas, të pijmë kafenë te njëri-tjetri.”- thotë prefekti Aliaj.

Astrit Aliaj, prefekt i qarkut të Gjirokastrës

Banorët këtu hodhën kursimet për të rritur cilësinë e investimeve në pronat e tyre, me qëllim për të pritur më shumë turistë për 2020-n.

“Të huajt kanë qenë më shumë vizitorë për pak orë, kanë shpenzuar pak para, por kjo ka ndihmuar gjirokastritët të mbijetojnë. Sot turisti i huaj mungon, çka do të thotë më pak frymëmarrje për biznesin e hotelerisë, kryesisht për biznesin familjar.”- thotë gazetarja Orjana Çenko, administratore e një televizioni lokal.

Orjana Çenko, administratore e një televizioni lokal në Gjirokastër

Vitin e kaluar sipas shifrave të bashkisë këtë territor e vizituan afro 300 mijë turistë.

“Vjet në këtë kohë në dyqanin tim hynin më shumë se 250 vetë në ditë. Sot ke ardhur vetëm ti!”- thotë Sedat Çani, tregtar në Qafën e Pazarit.

Goditet hoteleria dhe tregtia e artizanëve

Pazari i Gjirokastrës i ndërtuar në shekullin XIX me një stil oriental, është një nga atraksionet dhe qendër e bizneseve turistike, nga më uniket në rajon. Gjatë rijetëzimit të tij u restauruan fasada, mure, çati, vetrata, taraba, ndriçuesit e kompleksit karakteristik, duke i dhënë hov tregtisë, zejtarisë, artizanatit, hotelerisë, haneve, bujtinave të lëna pas dore. Sot aty nuk ka as blerës e as vizitorë, ndërsa tregtarët kalojnë orë dhe ditë të tëra në pritje të një klienti.

“Gjendja është shumë e keqe. Ne presim stinën e verës për xhiron, por po të tregoj se dje p.sh ishim zero, nuk shitëm asgjë. Sot shpresojmë të blesh ti! Këtu punojmë burrë e grua.”- tregon Kastriot Adrami, tregtar tek Gjashtëkëndëshi në Qafën e Pazarit, dyqani i të cilit dallon nga një veçori interesante, një pus i 400 viteve më parë.

Kastriot Adrami, tregtar tek Gjashtëkëndëshi në Qafën e Pazarit

Këta janë të paktët tregtarë që takon në Qafën e Pazarit. Një pjesë e bizneseve të shërbimit, artizanatit, qendrat e përgatitjes dhe tregtimit të suvenireve në zonën muzeale kanë mbyllur aktivitetet, si kurrë më parë.

“Dhe pse nuk po fitoj asgjë nga dyqani, mua më mbajnë djemtë që i kam me punë të mirë. Problemi është për ata që s’kanë asnjë mundësi.”- thotë Sedat Çani.

Sedat Çani, tregtar në Qafën e Pazarit

Në qytetin e gurtë ushtrojnë aktivitetin rreth 90 biznese për akomodimin e turistëve. Por sipas të dhënave të pushtetit vendor sivjet një pjesë e tyre nuk funksionojnë.

“Nga anketimet e realizuara rezulton që një 10% strukturash akomoduese të ketë pezulluar aktivitetin edhe pse në korrik kemi patur grupe vizituese nga Bjellorusia”- thotë Loena Bakuli, zyrtare e bashkisë.

“Në hotelin tim nuk kam asnjë dhomë të zënë. Në këto kushte isha i detyruar që nga 25 punëtorë të bëja shkurtime dhe të mbaja vetëm 8 prej tyre, nuk mund t’i paguaj. Xhiron në lokal po e shikoni, vetëm dy vetë po pinë kafe. Shumë biznese kanë vepruar kështu, ose i kanë mbyllur dyert”- thotë kryetari i Dhomës së Tregtisë, Maksim Hoxha.

Kur e pyesim nëse e sheh si zgjidhje garancinë sovrane, Hoxha na thotë:

“Ne nuk kemi nevojë për kredi, jemi të zhytur në kredi. Nëse nuk subvencionohen paketat turistike, të huajt do t’i shikojmë në këtë vend ndoshta vetëm pas katër vitesh. Nuk ka shpresë!”

Nga ana tjetër mosrespektimi i masave anti-covid në Gjirokastër është një tjetër kosto.

“Vërejmë se bizneset e vogla dhe qytetarët nuk po ndërgjegjësohen për t’u mbrojtur. Kemi vendosur gjoba nga 5 milionë lekë të reja. Me hyrjen në fuqi të Aktit Normativ, vetëm këto tre ditë kemi marrë 73 masa nga dy mijë lekë të reja për qytetarët që nuk respektojnë rregullat anti-covid dhe bëhen rrezik për pjesën tjetër të popullatës”-thotë Edi Sinojmeri, kryeinspektori i ISHSH në Gjirokastër.

Edi Sinojmeri, kryeinspektori i ISHSH në Gjirokastër

Covid, emigracioni dhe firmat e mëdha

Për prefektin e Gjirokastrës, gjendja ekonomike nuk u rëndua me shfaqjen e pandemisë së Covid-19.

“Largimi i vazhdueshëm i njerëzve e ka çuar Gjirokastrën në një gjëndje të tillë. Edhe para pandemisë kanë lënë tokën pa punuar, edhe para pandemisë këtu në qytet nuk janë bërë shumë gjëra.”- thotë për “Faktoje” prefekti Aliaj.

Në fakt, një raport i INSTAT i dy viteve më parë parashikonte tkurrjen e popullsisë me rreth 30% deri në vitin 2031.

Dy dekadat e fundit më shumë se 10 mijë banorë të Gjirokastrës janë larguar në emigrim. Lidhjet më të ngushta janë me Greqinë, edhe për shkak të distancës së shkurtër. Për gjirokastritët, Janina, vetëm 30 km larg, është qyteti ku kryejnë shumë punë.

“Tani që u mbyllën kufijtë është problem, familja ime bën pazar në Janinë. Për qejf aty dua ta pi dhe kafen më shpesh.”- tregon Flori Sinoimeri.

Si Flori mendojnë edhe shumë banorë të tjerë me të cilët biseduam. Aktualisht kalimi i kufirit bëhet ende i kufizuar dhe në bazë të një protokolli të veçantë sigurie.

“Shqiptarë e të huaj me leje qëndrimi greke, shtetasit grekë dhe minoritarët që do të udhëtojnë drejt Greqisë duhet që brenda 48 orëve para udhëtimit të marrin leje përmes një kërkese online drejtuar autoriteteve greke. Qytetarët e vendeve të BE-së apo të vendeve të treta nuk lejohen të kalojnë kufirin. Transporti i mallrave vazhdon”- na thotë shefi i policisë kufitare në Kakavijë.

“Pandemia nuk bëri gjë tjetër vetëm theksoi problemet që kishin nisur nga largimi masiv. Frika ndali çdo investim dhe të menaxhosh një televizion ku askush nuk reklamon më asnjë gjë, bëhet mision i pamundur”- thotë me pesimizem administratorja e televizionit lokal, Çenko.

Megjithatë Gjirokastra mbetet qendra e aktivitetit për një numër kompanish me emër dhe që prej aty shpërndajnë në gjithë Shqipërinë dhe më gjerë, produktet dhe shërbimet e tyre.

Prej më shumë se një dekade aty operojnë mbi 10 kompani të mëdha, biznese të prodhimit e paketimit të ujit e pijeve freskuese, fabrika të përpunimit të qumështit dhe prodhimit të djathrave me emër, fabrika të tregtimit dhe përpunimit të drurit, të prodhimit të inerteve dhe ndërtimit, reparte të prodhimit të veshjeve dhe këpucëve për tregjet e huaja, punishte të nxjerrjes dhe përpunimit të gurit për ndërtim dhe dekorativ etj.

Kompania Agna ka të punësuar më shumë se 400 vetë, banorë të zones, prej të cilëve siç raporton, nuk ka larguar asnjë për shkak të pandemisë. Edhe pagat nuk kanë lëvizur.

“Punëtorët janë ndihmuar me ndihma dhe me kujdes shëndetësor edhe gjatë kohës së izolimit.”- thotë K. Sotiri, zv. President i Agna Group.

K. Sotiri, zv. President i Agna Group

“Kontrollet e task-forcës janë të përditshme, kryesisht aty ku ka dhe prezencë të punëtorëve, më shumë ku dhe mund të na krijohej një vatër e madhe infeksioni” -thotë prefekti Aliaj.

“Firmat me më shumë punonjës janë treguar rigoroze në respektimin e protokollit anti-covid. Nuk kemi gjetur shkelje dhe kjo është pozitive” – tregon Edi Sinojmeri, kryeinspektori i ISHSH.

Dëmet nga pandemia janë zinxhir, pavarësisht se një biznes është prekur më pak se një tjetër. Por pavarësisht se nuk kanë larguar punëtorë, përfaqësuesit e kompanive të mëdha tregojnë se pasojat e pandemisë po u rëndojnë.

“Ne nuk kemi bërë shkurtime dhe po punojmë me kapacitetet tona ekonomike –financiare. Nuk kemi kredi dhe kjo na ndihmon në periudha të tilla. Por nëse në fund të muajit duhej të paguanim shuma të mëdha në banka, atëherë do dorëzoheshim”-thotë K. Sotiri, zv. President i Agna Group.

Sotiri arsyeton se kjo është një situatë problematike globale, ndaj biznese apo kompani të niveleve të tilla duhet të shfrytëzojnë kapacitetet e tyre për të minimizuar dëmet në ekonomi.

“Të gjithë jemi të shqetësuar. Nuk dimë sa do zgjasë kjo situatë dhe se deri ku shkojnë pasojat si në shëndet, ashtu edhe në ekonomi”- thotë sipërmarrësi K. Sotiri. /faktoje.al



1 Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *