• |
ide | kryesore

Fethullah Gulen ka përgjegjësinë e tij mbi situatën e vështirë ku ndodhet Turqia

-Instant, Arkiva, F1, Planet



Imami në mërgim ka rolin e tij në gjymtimin e demokracisë në Turqi.

Ju mund të kishit krijuar përshtypjen se sot, Turqisë i kishin mbaruar prangat. Pavarëisht se vala e arrestimeve të grushtit të shtetit të dyshimtë që tronditi vendin në verën e vitit 2016, është ngadalësuar tashmë, ajo nuk ka ndalur plotësisht. Cdo javë duket se sjell arrestime të reja të anëtarëve të dyshuar si pjesë e komunitetit Gulenist, ose pjesë e Cemaat, lëvizjes islamike, të cilën Presidenti Rexhep Tajip Erdogan e fajëson për rolin që pati në grushtin e shtetit. Të paktën 41 persona, shumë prej tyre ushtarë, u arrestuan në 27 korrik. Fletëarrestet për mbi dy duzina të tjerë, u lëshuan javën e kaluar.
Gati 600,000 njerëz, shumica e tyre të dyshuar si gulenistë, janë hetuar qysh prej grushtit të shtetit; Gati 100,000 janë arrestuar. Shumica nuk ishin të lidhur ngushtësisht me lëvizjen, disa prej të arrestuarve kishin thjesht një llogari bankare në bankat në pronësi të Fedulla Gulen. Disa prej tyre janë torturuar gjatë burgosjes së tyre. Por, ndërsa ekziston keqardhje mes turqve për disa prej viktimave të spastrimeve të Z. Erdogan, nuk ekziston dicka e tillë për lëvizjen Cemaat në tërësi, dhe aq më pak për udhëheqësin e saj, Fethullah Gulen, një imam i moshuar që jeton i mërguar në Pensilvani. Pyesni pothuajse të gjithë në Turqi, përfshirë armiqtë më të betuar të Z. Erdogan, dhe do të dëgjoni që krahasuar me Z. Gulen, udhëheqësi i Turqisë është e keqja më e vogël. Z. Erdogan është autokrat që bullizon . Por askush nuk e ndihmoi atë të shkatërronte demokracinë e Turqisë më shumë sesa Z. Gulen dhe sekti i tij.
Lëvizja e Gulenit është një kockë e fortë. Nga vitet 1970 e tutje, ajo tërhoqi qindra mijëra ndjekës, kryesisht nga mesi i studentëve të varfër dhe të devotshëm, që studionin dhe jetonin në shkollat dhe konviktet, të financuar nga lëvizja. Pas përfundimit të luftës së ftohtë, ajo filloi ta reklamojë veten si pishtari i një Islami modern, duke ngritur baza jashtë vendit dhe duke fituar simpatinë e qarqeve të ndryshme në perëndim. Mirëpo, lulëzimi i saj lidhet me kohën e ardhjes në pushtet të zotit Erdogan dhe partisë së tij, Drejtësi dhe Zhvillim. Simpatizantët e lëvizjes ishin inflitruar qysh herët në burokracinë dhe administratën turke. Me inkurajimin e Z. Erdogan, ata morën drejtimin e shumë insitucioneve. (Sipas një vlerësimi, Gulenistët drejtonin 30% të instancave të larta gjyqësore dhe 50% të rradhëve në polici.) Me miratimin e tij, ata orkestruan arrestimet e mijëra aktivistëve kurdë, oficerëve të ushtrisë, qytetarëve laike dhe gazetarëve. “Gulenistët luajtën një rol vendimtar në konsolidimin e pushtetit të Erdoganit ,” thotë Gareth Jenkins, një analist i sigurisë.

Suksesi i Gulenistëve shënjoi fundin e tyre. Deri në fillim të viteve 2010, ata posedonin fuqinë e mjaftueshme për të kërcënuar pushtetin e Erdogan. “Ishte një kohë kur ata praktikisht sundonin Turqinë,” thotë Gokhan Bacik, një akademik i dikurshëm pranë lëvizjes, që jeton në mërgim. Ata shkelën vijën e kuqe duke u përpjekur të minonin bisedimet e paqes me kryengritësit kurd, duke sulmuar shefin e inteligjencës turke në 2012 dhe duke implikuar zotin Erdogan në një skandal korrupsioni një vit më vonë. Njeriu i hekurt i Turqisë u përgjigj duke i shpallur luftë Cemaat-it dhe duke larguar besnikët e lëvizjes nga administrata. Spastrimet u dyfishuan pas tentativës për grusht shteti.

Shumëcka për natën e grushtit të shtetit mbetet e paqartë. Rreth 250 njerëz vdiqën në atë që ngjau më shumë si një rebelim i ushtrisë shoqëruar me një seri sulmesh terroriste, sesa me një grusht shteti tradicional. Versioni zyrtar, sipas të cilit, njësitë e infiltruara Guleniste në forcat e armatosura u aktivizuan për të marrë në dorën vendin në vetvete, duket si përrallë. Deri më sot, qeveria turke nuk ka treguar prova se çfarë planifikuesit kishin planifikuar të bënin sapo të merrnin pushtetin. Vetë grusht shteti duket se ka qenë një akt e një koalicioni të vogël por të larmishëm brenda vetes. Megjithatë, nuk ka dyshim që Gulenistët luajtën një rol të rëndësishëm. Të paktën disa nga oficerët që drejtuan dhunën, u vërtetuan se ishin të diplomuar në shkollat e Gulenit. Dy nga civilët e përfshirë, e kishin takuar zotin Gulen në Amerikë vetëm disa ditë më parë. Analistët pajtohen se nuk ka asnjë shans që operativët gulenistë do të kishin vepruar pa miratimin e liderit të tyre. Z. Gulen e mohon përfshirjen e tij në këtë ngjarje.

Z. Erdogan dhe ministrat e tij thonë se të huajt nuk e marrin parasysh dëmin Gulenistët i kanë bërë Turqisë. Ata kanë pjesërisht të drejtë. “Në shumë vende evropiane, njerëzit mendojnë se fakti se Erdogan është diktator, bën që kushdo që kundërshton atë dhe politikat e tij, të jetë mbështetës i demokracisë,” thotë Bayram Balci, kreu i Institutit Francez të Studimeve Anatoliane në Stamboll. Kjo logjikëe i leverdis Z. Gulen dhe e lejon atë të hiqet si disident.

Askush, megjithatë, nuk duhet të predikojë në lidhje me rreziqet e Gulenizmit, në vecanti Erdogan, qeveria e të cilit dikur ishte bashkuar e lidhur ngushtë më lëvizjen guleniste. Duke burgosur njerëzit e lidhur me të, përfshirë avokatët, mësuesit dhe aktivistët që bëjnë bamirësi, Z. Erdogan ka devijuar nga parimi i sundimit të ligjit,në emër të hakmarrjes së tij personale. Ai nuk e ka legjitimuar “kauzën” e tij, për shkak se ka akuzuar pothuajse të gjithë kundërshtarët e tjerë, që s’kanë lidhje me Gulen, për tradhti ose terror. “Njerëzit [në Amerikë] mund të ishin më të hapur për të besuar versionin e Erdoganit lidhur me ketë histori, nëse ai do të kishte kredibilitet” thotë Gonul Tol nga Instituti i Lindjes së Mesme, një ekspert i Uashingtonit. “Por ai nuk ka aspak kredibilitet.”

Sot Cemaat duket se është një forcë e konsumuar. Brenda Turqisë, nuk ka vend për të marrë frymë. Për shkak se ajo largoi nga vetja shume segmente të shoqërisë turke, nuk ka ngelur njeri që ta mbrojë atë, përveçse një grushti aktivistësh për të drejtat e njeriut. Jashtë vendit, Gulenistët janë në një pozitë më të mirë, por përsëri në rënie. Z. Erdogan ka bindur me sukses disa vende në Afrikë dhe Azinë Qendrore për të ndërprerë lidhjet e tyre me shkollat dhe bizneset e Gulenit. Financimi ka filluar të mpaket. Shumë prej ndjekësve të vjetër po largohen, ndërkohë që po bëhet të pamundur për të rekrutuar aktivistë të rinj. Z. Gulen kërkon bindje të verbër nga ndjekësit e tij. Zëvendësit e tij, thotë z. Bacik, janë të gjithë teologë pa përvojë në jetën jashtë grupimit. Nuk ka femra në pozicione të larta. Për një lëvizje që e portretizon veten si një forcë modernizuese në Islam, kjo nuk është ajo që duhet. Z. Gulen po i afrohet 80 viteve dhe është në në gjendje jo të mirë shëndetësore. Kur ai të vdesë, ajo që do të mbetet nga Cemaat ka të ngjarë që të shkatërrohet.

/The Economist, përktheu në shqip ©Lapsi.al 



2 Comments

  1. Feto eshte nje levizje ekstremiste fetare, si mund te kete lidhje me demokracine? Demokracia eshte nje sistem “symbullyr” ku koncepti i te mires potencialisht ndyshon cdo kater vjet. Ne nje koncepsion fetar vlerat e te mires jane te perhershme dhe te kudondodhura. Demokracia mbijeton vetem ne saje te kompromisit qe vlerat e nje shumice te perkohshme do te imponohen vetem ne sferen publike. Ne jeten private cdo njeri eshte “diktator” si i do qejfi. Nje sistem fetar e ka te pamundur t’i ndaje keto sfera. Nese sistemi demokratik nuk do ishte minimalist do ishte i papranueshem. Sa here shumica tenton te imponohet ne me shume sfera se c’nenkupton demokracia klasike cdo gje degjeneron ne diktature ose revolucion. Nje njeri me vizion politik fetar e gjen veten moralisht te perligjur ne shkerdhimin e demokracise. Per ideologet demokracia eshte e ndotur sepse eshte rezultat i nje kompromisi dhe jo nje vizioni te sinqerte per boten. Gje qe eshte e vertete, demokracia eshte kompromis, por eshte kompromis me peshe morale sepse shmang dhunen, por nje radikali nuk ia ndjen per kete.

    1. Me kte gjuhe perbuzjeje ti flet vetem per myslimanet, kurse per te krishteret (amerikanet psh.) nuk flet, se helbete myslimanet jane orientale dhe kane vetem sensualitet, por jo ide dhe rrahje mendimesh. Mike Pence, psh qe eshte shef i evangjelisteve, nuk ka problem per ty. Kurse mijera e mijera mosmarreveshje, luftra (qofte edhe civile si kjo e ketyre mustaqelive ketu siper), libra kunderpergjigje, etj nuk kane fare vlere, se fundja fundit myslimane jane. Njish je njish fare

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *