Policia ka arrestuar në Kavajë një 19-vjeçar, që ka plagosur me thikë gjyshin e tij, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Menjëherë pas plagosjes së gjyshit, i riu është larguar me vrap, por forca të shumta policie janë vënë në ndjekje të tij, duke e arrestuar pas disa orësh.
Njoftimi i policisë:
Pas njoftimit të marrë se në lagjen Nr.5 Kavajë kishte konflikt në familje , ku nipi kishte goditur me thikë gjyshin e tij, menjëherë shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë, kanë shkuar në adresën e dhënë.
Në përfundim të veprimeve u bë arrestimi i shtetasit D. G., pasi gjatë një konflikti për motive të dobëta goditi me thikë gjyshin e tij shtetasi R. B., i cili ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën.
Në cilësinë e proves materiale u gjet dhe u sekuestrua mjeti prerës (thikë) me të cilën autori kryeu plagosjen.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Dhuna në familje” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”.