• |
ide | kryesore

Thyerja e tabusë së një kryeministri shqiptar në Maqedoni

-Instant, 2, Ide



Në Maqedoninë e Veriut, shqiptari si kryeministër nuk është më temë tabu: një histori suksesi që mund të jetë prijëse në tolerancë, madje jo vetëm në Ballkan Perëndimor

1.

Ç’kanë të përbashkët bisedat për koalicionin e ardhshëm qeverisës në Maqedoni, protestat në Bjellorusi, marrëveshja mes Izraelit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe dhe takimi mes kryeministrit Hoti e presidentit Vuçiq në Shtëpinë e Bardhë në fillim-shtator?

Çdonjëra prej tyre është zhvillim më vete dhe ndikon në vendin ku zhvillohet, por si do të zhvillohet, do të ketë ndikim më të gjerë dhe nuk është pra çudi që do t’i prekë shqiptarët. Dhe mënyra se si reagojnë shqiptarët flet shumë për ta vetë.

Ja si.

2.

Kryeministri i ri i Maqedonisë së Veriut duhet të jetë shqiptar.

Formulimi i kësaj fjalie tingëllonte si një pikë e lartë e fushatës zgjedhore, ndërsa tash pas zgjedhjeve dhe ndërsa zhvillohen bisedat për koalicione me mandatarin, kryeministrin e deritanishëm Zaev, duket si një pozicion i fortë negociator. Në rrethana të bashkimit politik të shqiptarëve, gjasat nuk do të ishin të vogla, në fakt, që Maqedonia e Veriut të kishte një kryeministër shqiptar dhe jodomodoshmërisht nga partitë shqiptare. Në bisedimet mes Z.Zaev dhe A.Ahmetit, dhe përkundër mosbashkimit të faktorit shqiptar, megjithatë, u gjet një formulë që në njëqind ditët e fundit të Qeverisë që po formohet, kryeministri të jetë i propozuar nga BDI-ja, pra nëse propozohet si i tillë, të jetë shqiptar.

Është një ngjarje e madhe për t’u shënuar. Para dyzet vjetësh, kushdo të kishte folur publikisht për nevojën që kryeministri i Maqedonisë të ishte shqiptar, do të shkonte drejt në burg si nxitës i nacionalizmit shqiptar. Para tridhjetë vjetësh, do të akuzohej se po do t’ia fusë thikën Maqedonisë në kohën kur po zhbëhet Jugosllavia. Para njëzet vjetësh, do të merrte përgjigje se Maqedonia duhet të ndahet në pjesë shqiptare e maqedonase dhe pastaj shqiptarët le ta bëjnë kryeministrin në territorin e vet mes Tetovës e Gostivarit, e maqedonasit do ta kishin të vetin. Para dhjetë vjetësh, nga partitë me shumicë maqedonase sërish do të ngrihej zëri për ‘projektin shqiptaromadh’. Sivjet ishte temë bisede mes partive politike dhe objekt marrëveshjeje.

Formulimi i fjalisë se ‘Kryeministri i ri i Maqedonisë së Veriut duhet të jetë shqiptar’ ka gjetur kundërshtarë të natyrshëm. Kundërshtari i njërit pol është logjika e thjeshtë: pse jo të jetë një person i aftë, pse duhet të përcaktohet nacionaliteti? Kundërshtari i polit krejtësisht tjetër pastaj është: pse duhet të jetë shqiptar, kur shumica në shtet nuk është shqiptare?

Pyetjet janë identitare dhe janë zhvilluar në shoqëri të tjera, madje me traditë të gjatë demokratike. Në SHBA dilema e sotme e Maqedonisë së Veriut- por nëpërmjet të një sistemi tjetër zgjedhor – u vendos me presidentin Obama. Me të u vendos një standard i ri në barazi racore kur edhe zezaku, si pjesë e një pakice tradicionalisht të shtypur, merr përkrahjen e shumicës. Një trend i këtillë po vazhdohet edhe në zgjedhjet e tanishme amerikane, me përfshirjen e Kamala Harris, si kandidate demokrate për nënkryetare të SHBA-ve. Në zgjedhjet e kaluara, të njëjtën gjë u përpoq ta bënte Hillary Clinton, në atë që konsiderohet ‘pakicë politike’, pozicioni i grave.

3.

Nëse dikur rishfaqet e njëjta dilemë – për kryeministër shqiptar – zgjedhja e presidentit Obama mund të ndihmojë në dhënien e përgjigjeve ndaj kundërshtarëve në Maqedoninë e Veriut. Pra, me zgjedhjen e tij u vendos një standard i ri i barazisë në Amerikë; po, s’do mend se u zgjodh një njeri i aftë, por në mesin e shumë të aftëve, ishte mu zgjedhja e Obamës që tregoi tejkalimin e barrierave tradicionale racore në këtë vend. Dhe, po, mund të zgjidhet president edhe një person që nuk i përket shumicës.

S’do mend, analogjia nuk do të mund të jetë e plotë, nëse jo për faktin se një personalitet si Obama ende nuk është paraqitur as ndër shqiptarë e as maqedonas. Por, më me rëndësi se analogjia është rëndësia e momentit të pjekurisë së një shoqërie, siç është ajo e Maqedonisë së Veriut, në të cilën çështja e zgjedhjes a jo të një kryeministri shqiptar nuk është problem tabuje, por pjesë e debatit të sajimit të numrave për një shumicë qeverisëse.

Dhe, ky moment nuk ka ardhur vetvetiu.

Është produkt i një fitoreje të një koncepti të stabilizimit të Evropës me besim në vlerat liberale.

Marrëveshja e Ohrit e vitit 2001, që ndërpreu luftën në atë që atëherë quhej Republika e Maqedonisë, u hartua me idenë e një procesi evolutiv që do të krijojë mundësinë për afirmim të barazisë në kushte demokracie. Qe një proces i cili hodhi poshtë, në masë të madhe në sajë të vetë shqiptarëve, ndarjen territoriale të vendit në baza etnike. Qe një proces i cili integroi palët që deri dje kishin luftuar në një ecje të paprecedent: gjatë misionit të NATO-s në Afganistan, në mesin e përfaqësuesve të shtetit maqedonas kishte dhe ish-kryengritës shqiptarë. Njëri prej tyre qe kryetar i Kuvendit të shtetit. Një rrjedhë normale nesër do ta prodhojë edhe një kryeministër shqiptar.

Kisha nderin në atë kohë të bashkëpunoja me Arben Xhaferin dhe Ali Ahmetin, të cilët u bashkuan në Prizren dhe vazhduan së bashku për në marrëveshjen politike në Ohër. Ata kishin parasysh dimensionin e gjerë, implikimet gjithëshqiptare dhe regjionale që përmbanin vendimet e tyre. Dhe, si pjesë e vetëdijshme e vendimeve të tyre ishte ndërlidhja ‘M-M’, pra Maqedonia dhe Mitrovica. Ndarja e Maqedonisë do të hapte rrugën për ndarjen e Kosovës mu në urën e Mitrovicës dhe anasjelltas, një politikë integrimi në Maqedoni do të integronte edhe tërësinë tokësore të Kosovës.

Për Ali Ahmetin, që sot zhvillon negociata për Qeverinë e re dhe që ka inicuar idenë e kryeministrit eventual shqiptar, ky duhet të jetë një moment krenarie, nëntëmbëdhjetë vjet pas, se si një proces evolutiv, përkundër të gjitha pengesave, po jep rezultatet e veta.

4.

Maqedonia ka qenë pikë kritike që nga Marrëveshja e Ohrit. Janë disa faktorë që nuk e duan suksesin e Maqedonisë së Veriut dhe që të gjithë përbashkohen te një pikë: ideja e prishjes së modelit të demokracisë liberale, posaçërisht në një shtet multietnik i cili e ka gjetur rrugën e vet të ndërtimit të kohezionit.

Maqedonia e Veriut ka treguar dhe ka mundësi të dëshmojë edhe më tej se është model pozitiv i konsolidimit demokratik shtetëror, pjesë e shtrirjes euro-atlantike, përballë modelit të pengimit të kësaj shtrirjeje, që e bën në radhë të parë Rusia me veprimet operative të Serbisë në Kosovë, e të udhëheqjes serbe në Bosnjë e Hercegovinë.

Në atë model konsolidimi demokratik shtetëror, Maqedonia e Veriut vendosi edhe një presedencë pa bërë shumë bujë. E la si të legjitimuar marrëveshjen që një ditë, qoftë edhe në njëqinditëshin e fundit të mandatit qeverisës, Maqedonia e Veriut ta ketë një kryeministër i cili jodomosdoshmërisht i përket shumicës etnike të vendit, gjegjësisht një kryeministër që është shqiptar.

Ndërsa të gjithë atyre që avokojnë ndarje territoresh në baza etnike, si në Kosovë, ashtu edhe në Bosnjë e Hercegovinë, u la një mësim se integrimi funksionon.

 

2)Shenja e palexuar kineze

1.

Presidenti amerikan Kennedy citohet të ketë thënë se fjala kineze për krizë përbëhet prej dy shenjave, njëra rrezik e tjetra shans. Ky shpjegim kështu hyri pastaj në shumë fjalime e shkrime deri në ditët e sotme, si ajo puna e ‘mos pyet çka mund të bëjë atdheu për ty…’.

Doli që të mos jetë krejtësisht e vërtetë, sipas gjuhëtarëve, sepse në fakt njëra shenjë ishte me të vërtetë rrezik, kurse tjetra ‘pikë kthese’, e jo drejtpërsëdrejti ‘shans’.

Tej tëhollimit, besoj se hyn në punë edhe në formulimin e vet të saktë gjuhësor, pra se kriza ka rreziqet e veta me efektet dëmtuese dhe njëkohësisht sido të tejkalohet paraqet pikë kthese.

Shqipëria prej vitit 2020 është kryesuesja në detyrë e një organizate, OSBE, e cila ka pothuajse përshkrim të vetin fjalën kineze; pra, si të merret me kriza dhe rreziqet e tyre në kontinentin evropian dhe njëkohësisht si të krijojë mundësi që nga këto kriza të krijohet një pikë kthese.

Kur e mori kryesimin, Shqipëria trashëgoi njërën prej krizave më të mëdha evropiane, de facto okupimin e një pjese të Ukrainës nga ana e Rusisë. Nuk besoj të ketë pasur iluzione, qoftë në Tiranë, qoftë gjetiu, se Shqipëria si kryesuese e radhës do të ndërmjetësonte konfliktin dhe do të gjente rrugë pajtimi mes Ukrainës e Rusisë. Në politikë të jashtme – e besa edhe në të brendshme – Rusia njeh formulimin ‘raporti i forcave’ si raport i forcave fizike, sikur në pyetjen e famshme që bëri Stalini për të diskutuar forcën e Papës në botë: ‘Sa divizione tankesh ka në dispozicion?’. Nga ky këndvështrim, roli eventual historik i Shqipërisë në krizën e Ukrainës është i vlefshëm vetëm për barcoleta.

2.

Megjithatë, pa marrë parasysh forcën e shtetit, kryesuesi i radhës i OSBE-së bën atë që bëri parapraku dhe në masë të madhe atë që do të bëjë i ardhshmi, e kjo është t’i mbajë të gjalla konceptet e misioneve paqeruajtëse – a parandaluese të konfliktit, sido të quhen – derisa të gjendet pjesa e dytë e ekuacionit kinez, derisa të gjendet pika e kthesës. Dhe, këtë vit kryeministri Rama e filloi duke vizituar Ukrainën Lindore, duke lëvduar si arritje të madhe rinovimin e urës te Stanica Luhanska, një vend deri dje i harruar nga Zoti, e me gjasa të vogla që të kthehet në kujtimin e Tij.

Gjatë dhjetë ditëve të fundit, kryeministri i Shqipërisë, në rolin e kryesuesit të radhës së OSBE-së, duhej ta gjente veten duke u konsultuar me kryeministra e diplomatë evropianë, përfshirë rusët, dhe të ishte i pranishëm fizikisht në një vend i cili njihet shumë më tepër se ajo urë e harruar e Ukrainës Lindore dhe ku prania e tij mund të kishte efekt. Duhej të ishte në Minsk, kryeqytetin e Bjellorusisë, ku prej dhjetë ditësh po ndodhë shthurja e një autokracie, pas zgjedhjeve presidenciale që për shumicën demonstruese të popullatës konsiderohen jolegjitime. Pas një deklarate formale për shtyp të lëshuar më 10 gusht, ku kërkohej respektimi i standardeve të OSBE-së për zgjedhje, kryesuesi në detyrë i OSBE-së duhej të udhëtonte në Minsk për të trajtuar një ngjarje të përsëritur, pra një palë zgjedhjesh që nuk kanë legalitet apo legjitimitet, e që kontestohen nëpërmjet demonstratave popullore.

Në tridhjetë vjetët e fundit ka qenë lista e gjatë e ngjarjeve të ngjashme dhe ndër reagimet e para, paralajmërues të brengës ndërkombëtare, ka qenë e ashtuquajtura Trojka, Treshja e OSBE-së e përbërë nga kryesuesi në detyrë, ai i mëparshmi dhe i ardhmi. Në Minsk, pra, gjatë kësaj jave do të duhej të ishin kryeministri i Shqipërisë (a ministri i jashtëm, si zakonisht) dhe homologët e Sllovakisë dhe Suedisë.

Misioni i tyre do të duhej të ishte që nëpërmjet të përkrahjes të të drejtave fundamentale, përfshirë edhe ato të protestës, të krijojnë mundësinë që kjo krizë e Bjellorusisë të shndërrohej në pikë kthese për demokraci. Pra, që nëpërmjet një marrëveshjeje mes pushtetit dhe opozitës, të ndihmuar nga treshja e OSBE-së, anëtare e së cilës është edhe Bjellorusia, të krijohet një rrugëdalje paqësore e demokratike.

Në vend të një iniciative të këtillë politike, Shqipëria u vetëmjaftua me një deklaratë shtypi, të asaj tipike, ‘jemi të brengosur’, ‘respektoni të drejtat e njeriut dhe standardet e OSBE-së’, e kështu me radhë.

3.

Kriza bjelloruse do ta gjejë rrugën e zgjidhjes dhe në fund, kur të bëhet vlerësimi i sjelljes së akterëve ndërkombëtarë, mund të ngjajë që të shënohet mungesa e veprimeve të Shqipërisë. Vendi ka të ngjarë të mbahet mend sikur lojtari i futbollit që e lut trajnerin ta fusë në lojë, por kur më në fund i përmbushet dëshira ai e kalon lojën duke ikur nga topi. Shqipëria fitoi jashtëzakonisht shumë në fushën diplomatike me suksesin e arritur që të marrë përkrahjen e vendeve të mëdha e të vogla për ta marrë kryesimin njëvjeçar të OSBE-së. Tash ka gjasa që ta meritojë zhgënjimin e një komuniteti të gjerë shtetesh të mëdha e të vogla që vunë në sprovë pozitive një Shqipëri që atëbotë projektonte vetëbesim, kreativitet dhe humbje të kompleksit të inferioritetit.

Kjo është njëra anë e efektit negativ që do të pësojë vendi. Ana tjetër është pyetja e thjeshtë të përsesë së ‘ikjes nga topi’. Dhe ja tri përgjigje të thjeshta. Një, kryesimi i OSBE-së nxjerr natyrshëm në pah diplomacinë e një vendi e Shqipëria mbeti pa ministër të jashtëm para se ta merrte kryesimin dhe ende nuk e ka gjetur atë. Dy, Shqipëria edhe vetë ka kriza, madje ciklike, rreth zgjedhjeve dhe gjendet në një të këtillë edhe sot. Është vështirë të shkosh e të predikosh për zgjedhje legjitime në Bjellorusi, ndërsa vetë vendi kushtëzohet nga Gjermania dhe partnerët e tjerë evropianë për t’i mbajtur ato. Dhe tre, Shqipëria nuk ka arritur të krijojë një kohezion funksional mes pushtetit e opozitës. Është vështirë të shkosh në Minsk, apo madje edhe në Prishtinë, e të thuash se si të gjitha forcat politike duhet të bashkohen rreth disa parimeve për të mirën e shtetit, por këtë nuk mund ta bësh brenda Shqipërisë.

Thjesht, është tashmë postulat se politika e jashtme e vendit nuk mund të jetë e shkëputur prej asaj të brendshme. Nuk ekzistojnë dy Shqipëri, njëra për konsum të jashtëm e tjetra për atë të brendshëm.

4.

Është mëkat humbja e rastit për avancimin e namit të vendit. Në OSBE kjo bëhet me shfrytëzimin e fjalës kineze për krizë, të asaj që përmban në njërën anë vështirësitë dhe në anën tjetër pikën e kthesës për dalje nga këto vështirësi.

Ndoshta, çuditërisht, ky shans që po humbet shtyn që Shqipëria të kuptojë se ka nevojë për pikën e vet të kthesës.

3)Kurthi i lehtë i Emirateve

1.

Presidenti Trump para një jave shpalli marrëveshjen “historike” për normalizimin e marrëdhënieve mes Izraelit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe (EBU). Dy vendet, me ndërmjetësimin e presidentit amerikan, do të vendosnin në javët në fillim marrëdhënie të plota diplomatike, vijë ajrore, telekomunikacion, e kështu me radhë.

Reagimi qe përkrahës në nuanca të ndryshme në shumë vende të botës dhe kishte reagime negative sikur Irani, Turqia e Palestina, por kjo nuk është temë për ta trajtuar në këtë shkrim. Tema është se si nuancat janë të rëndësishme në diplomaci, ashtu si në çdo paraqitje pamore, dhe se si dy shtetet e shqiptarëve, Shqipëria e Kosova, operojnë ende ndonjëherë në formate të blloqeve prej çimentoje që jo rrallë mund të nxjerrin edhe rezultat tjetër prej atij të paramenduar.

Pra, Shqipëria nëpërmjet kryeministrit që njëherësh është edhe ministër i jashtëm dhe Kosova nëpërmjet ministres së jashtme, i dhanë përkrahje kësaj marrëveshjeje. Kryeministri i Shqipërisë madje shprehu dëshirën që edhe shtetet e tjera në rajon të bëjnë pak a shumë të njëjtën gjë, ndërsa ministrja e Jashtme e Kosovës shprehu dëshirën që SHBA-ja të jetë ndërmjetësuese e një marrëveshjeje të njëjtë mes Kosovës dhe Serbisë.

2.

Një marrëveshje paqeje – a normalizimi – s’ka si të mos përshëndetet dhe ky ishte rasti edhe me marrëveshjen mes Izraelit dhe EBA. Problemi qëndronte te fjalitë shtesë përtej urimit dhe mundësinë që me to të hyhet në kurthin e lehtë që përmbante kjo marrëveshje.

Kurthi i kësaj marrëveshjeje është një problem i madh që quhet Palestina. Në deklaratën që e ka bërë presidenti Trump për këtë marrëveshje historike, të dakorduar me kryeministrin e Izraelit dhe ministrin e Jashtëm të EBA, ekziston një formulim që mund të shndërrohet në precedent. Në të thuhet se me kërkesë të Trumpit e me përkrahje të EBA, Izraeli do të pezullojë “shpalljen e sovranitetit” mbi disa zona të Bregut Perëndimor, të cilat presidenti Trump ia ka njohur, në formë të njëanshme, Izraelit.

I vënë në deklaratë zyrtare ky formulim mund të jetë një legjitimim i të drejtës së aneksimit të territoreve të pushtuara, madje me pëlqim të një shteti arab, në këtë rast të EBA. Rrjedhimisht, çdo përkrahje modelit të marrëveshjes së normalizimit edhe për shtetet e tjera arabe do të nënkuptonte që ato ta njihnin pezullimin e përkohshëm të “shpalljes së sovranitetit”, duke njohur de facto dhe de iure të drejtën e aneksimit. Pasojat e një precedenti të këtillë me gjasë do të jenë më shumë dhunë e më pak paqe, më shumë mospajtime e më pak zgjidhje. Pasojat mund të jenë më pak gjasa për një shtet palestinez, pra edhe më pak gjasa për paqe bazuar në modelin e dy shteteve.

Për “kurthin palestinez” ka qenë i vetëdijshëm, në urimin e tij, shefi i diplomacisë evropiane, Borell. Edhe ai ka përshëndetur marrëveshjen, por në fjalitë shtesë ka kërkuar që “planet e aneksimit”, siç e ka quajtur ai “pezullimin e shpalljes së sovranitetit”, të braktisen tërësisht. Dhe që të vazhdohen negociatat mes Izraelit e Palestinës në parametrat e njohur të zgjidhjes së dy shteteve.

Një formulim i ngjashëm ka mundur të bëhet nga Tirana zyrtare, jo vetëm ngase politika e saj e jashtme tashmë dakordohet me atë të BE-së – dhe në këtë koordinim Shqipëria prin karshi shteteve të tjera të Ballkanit Perëndimor – por edhe për shkak se Shqipëria nuk ka arsye pse të heqë dorë prej dy pasurive të natyrshme që ka tradicionalisht në politikën e saj të jashtme. Pra, nga njëra anë, respektin për e nga Izraeli, marrë parasysh sjelljen shembullore ndaj hebrenjve në Luftën e Dytë Botërore. Dhe, nga ana tjetër, përcaktimin për shtetin e pavarur palestinez, shumë para se kjo të bëhej politikë zyrtare e BE-së, madje shumë para se Shqipëria fare të ishte në proces integrues të BE-së.

3.

Analogjia me Emiratet nuk i ndihmon gjë Kosovës dhe nuk ka qenë formulim i mençur ai që në të njëjtën fjali ku Kosova, nëpërmjet ministres së Jashtme, uron presidentin amerikan për këtë ndërmjetësim mes Izraelit dhe Emirateve, njëkohësisht uron që SHBA-ja të arrijë një marrëveshje mes Kosovës e Serbinë.

Nuk ka kurrfarë analogjie mes dy “normalizimeve”. Izraeli dhe EBA janë shtete anëtare të OKB-së, nuk janë shtete fqinje dhe nuk kanë pasur luftë të ndërsjellë e cila ende nuk është përmbyllur me marrëveshje paqeje; Izraeli nuk i ka pushtuar Emiratet. Situata është krejt tjetër mes Kosovës dhe Serbisë.

Nëse ka ndonjë analogji, qoftë edhe të largët, Kosova i afrohet në rrëfimin e Lindjes së Mesme më së shumti Palestinës, e kjo nuk është pozitë të cilën e dëshiron Kosova. Për më tepër, nuk është pozitë që e dëshiron as SHBA-ja, që i prin çlirimit, e as BE-ja që është habitati i natyrshëm i Republikës së Kosovës, si dhe tërë Ballkanit Perëndimor.

Rrjedhimisht, Kosova bën mirë që edhe nëse merr pjesë në ngarendjen për të lozur lojën e përkrahjeve diplomatike fillimisht të identifikojë interesin e vet dhe parimet mbi të cilat është e ndërtuar. Interesi i Kosovës, si shtet i përbërë në shumicë prej të përndjekurish, është që të ketë njohje nga Izraeli dhe marrëdhënie të mira me të dhe njëkohësisht të ketë përkrahje për shtetin e Palestinës e dikur edhe përkrahje nga ta. Dhe, ndonëse Izraeli nuk e ka njohur Kosovën e autoritetet palestineze tradicionalisht përcaktohen në krah të Serbisë, politika e këtillë e Kosovës duhet të ndërtohet për shkak të parimeve të shtetit të Kosovës, shtetit të të përndjekurve që gjejnë paqe nën kulmin e vet.

4.

“Kujdes me dëshirat, sepse mund të të realizohen”, është tashmë një sentencë e përsëritur gjithandej. Mund të ishte, në këtë rast, “kujdes me urimet, se mbahen mend”.

Edhe një urim ordiner mund të shndërrohet në precedent të ri politik, të paparamenduar nga uruesit. Për shembull, mbi politikën ndaj Palestinës, në rastin e Shqipërisë. Apo në rastin e Kosovës, me pyetjen: nëse anëtarët e kësaj qeverie kërkojnë që SHBA-ja të ndërmjetësojnë marrëveshjen Kosovë-Serbi, a do të thotë se do ta vënë në plan dytësor apo në harresë ndërmjetësimin e BE-së?

© KOHA



2 Comments

  1. Pasi qënka arritje e madhe kjo komedia e kryeministrit, atëherë propozoni një serb të Mitrovicës për kryeministër të Kosovës. Ndoshta kështu do t’i dëshmoni botës demokratizimin e thellë dhe konceptin liberal të shoqërisë kosovare.
    Por të jeni i bindur se serbët nuk do ta pranonin një propozim të tillë sepse nuk e hanë sapunin për djathë.
    Veç shqiptarët e etur për poste e ofiqe mashtrohen me dokrra të tilla, mu si ata udhëheqësit fisnorë që u dhanë një kontinent evropianëve për pasqyra dhe bizhuteri.
    Ky propozimi i 100 ditëshit është tallje me shqiptarët. Unë e di që ata nuk e mendojnë kaq thellë, por çuditem me ju që u bëni iso …

  2. nuk ka paqe ku mbillet padrejtesi,mos u zhgenjeni ,ajo far qe mbillet ai prollim del padrejtesija fundin e ka tmerr,mos u zhgenjeni mos pranoni ti beni dikujt ate qe nuk ju pelqen tua bej kush juve thotë:

    kushdo qe ne kete bot i fuqishem apo pafuqishem ,perfshihet ne padrejtesi ndaj tjerve,ta din se eshte peng i saj dhe Cmimin e saj nuk e Cmang dot faktet ,ligjet e zotit mallerishem jan te futura ne sistemin e krijimit funksionit gjallesave natyralitetin njerzor,qe ne mas imunitet instinkt koh etj,gje qe u behet sfid dhe kosto ,gjithnje e paperballueshme dhe patejkalueshme moment pas momentit ne synimet e tyre,padrejtesin e urrejn te gjith e duan vetem grupi interresit qe jan krejt pak kurse te verteten per vete e duan te gjith,por harrojn se jeta zgjilljet dobit qe jan fryti ekzistenCes jetes mbi tok u krijuan si unitet funksioni ku domosdoshmerisht,duhen te behen ndihmes dhe plotesues ne dobi,per te dalur tek zgjilljet plotsimi nevojave ,padrejtesija i shkatrron unitetet dobit zgjilljet gjithCka ,ketu fillojn e keqa malle e pakalueshme dhe qe i fundos te gjith,erdhi koha per te kuptuar dhe pranuar domosdoshmerit qe pas te vije angazhimi gjitheve ne dobi,qe qartesija gjallerija shpresa sigurija paqa meshira zgjilljet te vin ne mezin njerzor

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *