• |
ide | kryesore

Video/ Tirana leksion taktik dhe fat në Tbilisi: bardheblutë kualifikohen dhe përplasen me Crvena Zvezda

-Instant, F1, Sport, Video



Tirana nuk zhgënjen pritshmëritë: 0-2 në Tbilisi, në ndeshjen teke për kualifikimin në raundin e dytë të eleminatoreve të Champions League. Dorëzohet Dinamo në golat e Torassa dhe Ismailgecit në fundin e cdo pjese loje, aq sa mjafton për ti lejuar Emmanuel Egbo të shijojë fitoren e parë si trajner në Europë.

Lëvizjet në merkato e kishin corientuar disi lojën e kryeqytetasve, por jo soliditetin difensiv dhe taktik të Tiranës, me teknikun nigerian që kishte zëvendësuar vetëm lojtarët e larguar. Provë e mirë e Tosevski në të djathtë, por edhe Najdovski në qendër, që bëri të harrohet Muca. Sakrifica taktike e Torassa e Kale bëri shumë punë, ndërsa Muci vuajti qendrën e sulmit, jo pozicioni ideal për të riun, që përmirësoi performancën e tij në rastin e golit të dytë, ku ishte vendimtar me goditjen e tij.

Dinamo kërkonte tia bënte Tiranës të paguante për deklaratat euforike para ndeshjes, por pavarësisht një epërsie territoriale nuk vuri dot asnjëherë seriozisht në vështirësi portierin Lika. Tirana nuk është se bëri më shumë, por në goditje standarte e bënte prezencën e saj të ndihej: ngjitur me shtyllën goditja e dënimit e Bathës, por goli i avantazhit në minutën e 41 është krejtësisht fat nga lart, që përmënd gjithnjë Egbo. Gabimi i prapavijës gjeorgjiane dhe Torassa gjen përballë portierin, por topi i kthyer përplaset në trupin e argjentinasit e përfundon në rrjetë.

Mjaftueshëm që bardheblutë të administrojnë, pa rrezikuar shumë prapa e pa ngacmuar shumë para. Egbo ndoshta gjen edhe zëvendësimet, sepse spostimi i Ismailgecit përpara me aktivizimin e Tolit rezultoi vendimtar. Po aq sa goditja e Mucit që gjeti ndihmën e portierit që i shpëtoi topi nga duart, duke i dhënë mundësinë mbrojtësit të ri të shënojë golin e parë europian. Tashmë në raundin e dytë bardheblutë do të kenë përballë serbët e Crvena Zvezda, në një ndeshje më shumë se të nxehtë.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *