• |
ide | kryesore

Dëshmia e nënkolonelit të Sigurimit Mark Dodani: Kjo është e vërteta e vrasjes së “5 Heronjve të Vigut”

-Instant, Dossier



Memorie.al publikon historinë e panjohur të ngjarjes së shumëpërfolur të 22 gushtit të vitit 1944, kur pesë djem të rinj, Ndoc Dedë Marku, Ndoc Mazi, Naim Gjylbegu, Hydajet Lezha dhe Ahmet Haxhia, pjestarë të çetës partizane “Pukë-Mirditë”, teksa ishin duke shkuar për në rrethin e Mirditës, me mision nga Qarkori Komunist i Shkodrës për të përhapur idetë komuniste dhe për të rekrutuar djem të rinj të asaj krahine për në rradhët partizane, mbetën të rrethuar nga xhandarët e Komunës së Kalivaçit. Dëshmia e rrallë e Mark Dodanit, ish-oficer i lartë i Ministrisë së Punëve të Brendëshme me gradën nënkolonel në organet e Sigurimit të Shtetit dhe bashkëluftëtar i tyre në çetën “Pukë-Mirditë”, lidhur me atë ngjarje të bujshme ku mbetën të vrarë “5 Heronjtë e Vigut”, që nga shtëpia ku ata kaluan natën dhe u morrën në besë prej tyre, si u rrethuan ata nga xhandarët e Pjetër Llesh Gjegjanit dhe kush ishte njeriu që dyshohet se i spiunoi ata, përse “Pjetër Mustakuqi”, nuk pranonte që të hiqte pritën edhe pasi aty shkoi paria e pleqësisë së Vigut, si e argumentonte ai Kanunin se pesë të rrethuarit nuk mund të merreshin në besë, vrasja e pesë pjestarëve të atij njësiti partizan dhe marrja e trupave të pajetë nga familjet e tyre, e deri tek hakmarrja e regjimit komunist në vitin 1948 ndaj të akuzuarëve si përgjegjës për atë ngjarje, duke vrarë 20 pjestarë të “bandës së Pjetër Mustakuqit

Nga Dashnor Kaloçi

Plot 76 vjet më parë në pasditen e 22 gushtit të vitit 1944, një njësit i vogël partizan i çetës “Pukë-Mirditë” që përbëhej prej Ndoc Ded Markut, Ndoc Mazit, Naim Gjylbegut, Ahmet Haxhisë e Hydajet Lezhës, të cilët po udhëtonin në drejtim të asaj krahine me një mision të ngarkuar nga Qarkori i Partisë Komuniste të Shkodrës, në afërsi të fshatit Vig, në vendin e quajtur Buzabardh, u rrethuan nga forcat e xhandarmërisë së Komunës së Kalivaçit që komandoheshin nga vetë Kryetari i asaj Komune Pjetër Llesh Gjegjani, i cili urdhëroi vrasjen e tyre, pasi i mbajti tetë orë të rrethuar dhe ata s’pranuan kushtet e tij që ata të dorzonin armët. Ajo ngjarje bëri bujë të madhe dhe që të nesërmen e asaj dite lajmi i vrasjes së tyre u përhap në të gjithë Veriun, e më pas në të gjithë Shqipërinë, pas një trakti që hodhi Partia Komuniste Shqiptare, e cila i shpalli ata “Dëshmorë të atdheut”, duke njoftuar se 5 komunistët kishin rënë duke luftuar më forcat mercenare të Gjon Markagjonit.

Disa vjet pas mbarimit të Luftës, atyre i’u akordua tituli i lartë, “Hero i Popullit” dhe gjithashtu shumë viteve më vonë, atyre ju ngrit një monument i madh në qëndër të qytetit të Shkodrës, i cili njihet nga të gjithë, si monumenti i “5 Heronjve të Vigut”. Po si qëndron e vërteta rreth asaj vrasje të bujshme? Përse ai njësit partizan i përbërë nga pesë djem fare të rinj, po udhëtonte në drejtim të malësisë së Mirditës dhe cili ishte misioni që i’u ishte ngarkuar atyre? Cili ishte itinerari i lëvizjeve që përshkuan ata natën e 20 gushtit dhe tek cila shtëpi u strehuan ata për të kaluar atë natë? Përse burrat e asaj kulle nuk ndodheshin atë natë në shtëpinë e tyre ku bujtën pesë komunistët? Kush ishte personi që zbuloi lëvizjen e tyre në mëngjezin e 22 gushtit dhe përse ai njoftoi Kryetarin e Komunës së Kalivaçit, i cili organizoi dhe rrethimin e tyre? A kishte lidhje familja e Kapidanit të Mirditës Gjon Markagjonit me vrasjen e tyre dhe a është e vërtetë akuza që u është atribuar atyre si të implikuar në atë ngjarje? A qëndron versioni i shumëpërfolur prej vitesh se ata të pestë u prenë në besë nga mirditasit dhe në bazë të Kanunit gjaku i tyre i ngeli në derë Mirditës? Si reagoi pushteti komunist kur erdhi në fuqi me personat e akuzuar si organizatorë të vrasjes së “5 Heronjve të Vigut” dhe kush ishte njeriu që zbuloi dhe organizoi vrasjen e Pjetër Llesh Gjegjanit e 20 pjestarëve të çetës së tij antikomuniste në nëtorin e vitit 1948 në malet e Mirditës?

Lidhur me këto e të tjera ngjarje dhe fakte nga jeta e tyre, na njeh intervista që i kemi marrë para disa vitesh nënkolonelit në pension, Mark Dodanit, njërit prej ish partizanëve të Çetës “Pukë-Mirditë” dhe më pas oficer i lartë i Sigurimit të Shtetit në Ministrinë e Punëve të Brendëshme, i njohur ndryshe edhe si skenarist i disa filmave dhe autor i shumë librave me temë nga arma e Sigurimit të Shtetit gjatë viteve të regjimit komunist. Me dëshmitë e tija që publikohen ekskluzive për Memorie.al, Dodani për herë të parë hedh dritë mbi atë ngjarje të largët, duke ndriçuar shumë nga misteret e vrasjes së “5 Heronjve të Vigut” që kanë ngelur enigmë për më shumë se një gjysëm shekulli me rradhë.

Shoku Mark, çfar lidhje keni ju me “5 Heronjtë e Vigut” dhe në ç`rrethana i keni njohur ata?

Nga fillimi i vitit 1943 pasi u ktheva nga Korça ku isha student në Liceun e atij qyteti dhe i organizuar në Lëvizjen Antifashiste si i ri komunist i strehuar në shtëpinë e Vangjo Vangjelit që ishte bazë e qarkorit të Korçës, unë u lidha me çetën partizane “Pukë-Mirditë”, kur ajo ishte në momentet e riorganizimit të saj, në fshatin Laç-Susaç të Vaut të Dejës. Në periudhën 1943-’44, unë kam njohur së pari Ahmet Haxhinë dhe Naim Gjylbegun.

Ku dhe si i keni njohur ata?

Njohja ime me këta të dy erdhi pasi i deleguari i Qarkorit Komunist të Shkodrës, Nuri Llazani dhe Bardhok Biba (“Hero i Popullit”) që ishin në Çetën “Pukë Mirditë”, në periudha të ndryshme gjatë asaj kohe më dërgonin me detyra në Shkodër tek shtëpitë e tyre në lagjen “Zdrale”, tek nënë Gjylafja (e Naim Gjylbegut) dhe nënë Laja (e Ahmet Haxhisë). Kur kam shkuar për herë të parë, meqënse unë nuk i dija bazat, Nuriu me Bardhok Bibën më rekomanduan që të takoja një shok të quajtur Fadil Hoxha, me pseudonimin “Sedita”, (pas Luftës një nga udhëheqësit kryesor partiak të Kosovës dhe ish-Jugosllavisë), i cili do të më shoqëronte për tek shtëpitë e nënë Gjylafes e Lajes. Tek ato dy shtëpi unë takoja shpesh Osmanin e Nazen (vëllai i Ahmetit dhe motra e Naimit) si dhe Arif Gjylin, Haki Llazanin, Xhavit Gjylbegun (“Picirrukun”) Filip Vaso Pejën, etj. Kurse Ndoc Dedë Markun e kam njohur nëpërmjet Preng Gjin Lleshit nga Rrasi i Butë i Kashnjetit që ishte burri i tezes sime. Dy të tjerët Ndoc Mazin dhe Hydajet Lezhën, nuk i kam njohur fare personalisht.

Cili ishte qëllimi i vajtjes së atyre pesë komunistëve në zonën e Mirditës?

Me porosi të Qarkorit të Partisë së Shkodrës ku bënin pjesë Sadik Bekteshi, (sekretar politik) Arif Gjyli, (sekretar organizativ) Qazim Kapisyzi, Qamil Gavoçi, Seit Bushati, Tuk Jakova, (i deleguar i Komitetit Qëndror të PKSH-së), Nuri Llazani etj., u vendos që Ndoc Mazi, Naim Gjylbegu, Ahmet Haxhija dhe Ndoc Deda, të shkonin me një mision në zonën e Mirditës. Porositë që i’u dhanë atyre nga Qarkori ishin: Do të ndihmonin Çetën partizane Pukë-Mirditë që ajo të shtonte rradhët e saj me partizanë të rinj, me synimin që të bëhej batalion. Do të merrnin takime me familjet më në zë të Mirditës e Pukës, duke ju bërë atyre propagandë që të tërhiqnin në rradhët partizane edhe mercenarët që bashkpunonin me nazistët gjermanë. Dhe qëllimi kryesor i tyre ishte përgatitja e terrenit, që kur të kalonin andej formacionet e rregullta partizane dhe brigadat e Ushtrisë Nacionalçlirimtare për të çliruar Veriun, të mos kishte reaksion dhe të evitohej me çdo kusht vëllavrasja. Këto ishin detyrat kryesore që kishte grupi, sepse veç e veç, ata kishin dhe detyra të tjera që jua kishte ngarkuar Qarkori Komunist i Shkodrës, sidomos Ndoc Mazi dhe Naim Gjylbegu, që kishin peshën kryesore në atë njësit. Këto detyra i kishte dhe si qëllim strategjik Çeta “Pukë-Mirditë”.

Nga ç’drejtim janë nisur ata për të shkuar në krahinën e Mirditës dhe çfar itinerari kanë përshkuar?

Nga shtëpia e Shefqet Begut (babait të Sitkiut që ishte partizan në batalionin “Perlat Rexhepi”), që ishte bazë e Qarkorit të Partisë së Shkodrës ku ata strehoeshin zakonisht, Ndoc Deda, Naim Gjylbegu, Ndoc Mazi dhe Ahmet Haxhija, në datën 19 gusht kanë shkuar në qytetin e Lezhës, ku kanë marrë pjesë në një aktiv të rinisë komuniste të atij qyteti. Aty gjithë kohën janë shoqëruar nga Hydajet Lezha e Refik Resuli dhe në mbrëmje janë strehuar në shtëpinë e tyre, që ishin baza të Luftës. Në mëngjezin e 20 gushtit ata të katërt kanë marrë me vete edhe Hydajet Lezhën dhe janë nisur për në drejtim të Mirditës, duke kaluar në Grykën e Manatisë dhe më pas drejt malit të Velës. Në mbrëmjen e 20 gushtit ata kanë mbërritur në fshatin Rras i Butë i Kashnjetit dhe aty kanë diskutuar me njeri tjetrin se ku do e kalonin natën.

Si vendosën, ku e kaluan natën?

Ndoc Dedë Marku ju ka propozuar shokëve të tij, që ata të shkonin për të bujtur në shtëpinë e Preng Gjin Lleshit që Ndoci e kishte probatin (vëlla gjaku, byrazer). Gruaja e të zotit të shtëpisë Gjin Lleshit, quhej Margjela Gjoka dhe ka qenë tezja ime (motra e nënës). Ata të pestë kanë shkuar në atë shtëpi dhe aty kanë gjetur vetëm gratë, dy kunatat, Margjelën me Mricën, si dhe fëmijët e vegjël, Frrokun me Ndrecën, etj., pasi burrat e asaj shtëpie, Gjini me djalin, Prengën, e nipin Pjetrin, kanë qenë të fshehur në mal, për shkak të një hasmërie. Pasi kanë ngrënë darkë dhe kanë fjetur atë natë aty, të nesërmen në mëngjez, të pesë shokët e njësitit kanë diskutuar me njeri tjetrin dhe Ndoc Dedë Marku që ishte nga Kurbini e njohës i mirë i Kanunit e zakoneve të vendit, ju kërkoi Margjelës dhe Mricës një shoqërues, për t’ i përcjellë. Meqënse në atë shtëpi nuk kishte burra për t’ i shoqëruar dhe fëmijët ishin ende të vegjël, Mrica me Margjelën u thanë atyre, se po t’i pyeste njeri rrugës, do t’i thonin se ishin miqt në bukë të Gjin Lleshit të Rrasit. Po ashtu ato u thanë atyre, se në bazë të zakonit, kur një shtëpi nuk kishte burra për të përcjell miqtë, ata duhet të lidhnin një shami nga të grave të familjes, në majë të një degë peme të thyer nga oborri i tyre, ose në grykë të pushkës. Kjo ishte dhe shenja që tregonte se ata ishin miq të një shtëpie që nuk kishte burra për t’ i përcjellë.

A e zbatuan ata porosi që u dhanë gratë e asaj shtëpie në bazë të Kanunit?

Nuk dihet me saktësi nëse ata e kanë lidhur ndonjë shami në grykë të pushkës, ashtu siç u porositën nga gratë e shtëpisë, por në mëngjezin e 22 gushtit, ata janë larguar nga shtëpia e Gjin Lleshit që ndodhej në fshatin Rras, për të shkuar në pikën e takimit ku i priste Çeta “Pukë-Mirditë”, vend të cilin duhet ta dinte vetëm Ndoc Dedë Marku. Ky vend quhet Buzhalë dhe ndodhet në mes Mnelës e Korthpulës dhe ballë për ballë Vigut. Duke ecur atë mëngjz të 22 gushtit, diku midis fshatrave, Rras dhe Vig, në drejtim të lumit Voma, bri Buzabardhit i njohur si vend me emrin Stanavere, një person i quajtur Dod Marka Gjoka, nga fshati Rras, u takua me pesë shokët e njësitit. Ky takim me këtë njëri, nuk dihet në ishte i rastësishëm, apo ai u është afruar atyre me ndonjë qëllim të caktuar.

Për çfar qëllimi?

Po mundet që lëvizja e tyre si njësit partizan dhe të armatosur siç ishin ata me pushkë, automatikë dhe bomba, të ishte diktuar nga ndonjë njeri dhe Dod Marka Gjoka u është afruar atyre me qëllim të caktuar për të mësuar se kush ishin dhe për çfarë qëllimi kishin shkuar në ato anë, ku ndikimi i bajraktarëve të Mirditës ishte shumë i fortë si antikomunistë. Për koeçidencë apo e organizuar, ky person i quajtur Dod Marka Gjoka, që i shoqëroi ata, ishte një mercenar i forcave qeveritare, nën komandën e Pjetër Llesh Gjegjanit, i cili ishte Kryetari i Komunës së Kalivaçit të Mirditës.

Çfar kanë biseduar ata të pestë me Dod Marka Gjokën dhe deri ku i ka shoqëruar ai?

Nuk dihet me saktësi se çfarë bisedash ka bërë Dod Marka Gjoka me njësitin, por rrugës, ai si duket e ka mësuar se ata ishin partizanë. Duke ecur, njësit arriti në vendin e quajtur Buzabardh, që ndodhet ngjitur me lumin Voma. Në këtë vend ata janë ndaluar për të pushuar dhe thuhet se aty, Doda u ka ofruar atyre ndihmë për t’ i shoqëruar, por ata nuk kanë pranuar, pasi ndoshta ata kanë dyshuar tek ai nga bisedat që kanë bërë rrugës. Në atë vend, Doda është larguar prej tyre dhe ka shkuar tek posta e Milicisë së Komunës së Kalivaçit, vetë ose mund të ketë dërguar ndonjë njeri tjetër që e ka gjetur rrugës dhe brenda një kohe shumë të shkurtër, forcat mercenare të Komunës së Kalivaçit, të kryesuara nga Kryetari Pjetër Lleshi, kanë rrethuar vendin. Mbas rrethimit të parë, duke kaluar koha, rrethimi forcohej akoma më tepër nga njerzit e Pjetër Lleshit, deri sa u bë një rrethim i plotë i gjithë vendit ku ndodhej njësit i pesë partizanëve. Mbasi u krye rrethimi i plotë, thuhet se Pjetër Lleshi me anë të disa njerëzve të tij, u dërgoi fjalë që ata të pestë të dorzonin armët dhe vetëm pas kësaj ishin të lirë të largoheshin.

Si ju përgjigjën ata fjalës që u dërgoi Pjetër Llesh Gjegjani?

Fjalës së Pjetër Lleshit, të pesë komunistët ju përgjigjën duke i thënë se: “ata ishin në besë të shtëpisë së Preng Gjin Lleshit dhe në bukë të tij”. Ndërkaq, nga dikush që ishte me njerzit e Pjetër Lleshit, apo vetë Pjetri, u tha se ata ndodheshin në rrugë të madhe dhe sipas Kanunit në rrugë të madhe pa përcjellës, nuk merrej njeri në besë. Pas fjalëve të Pjetër Lleshit se ata ndodheshin në rrugë të madhe dhe sipas zakoneve të vendit dhe kanunit, në rrugë të madhe ata nuk mund të ishin në besën e askujt, të pesë komunistët përsëritën fjalët, se ata ndodheshin në besë të shtëpisë së Gjin Lleshit të Rrasit, që u kishte dhënë buk si dhe të vigasve në Vig.

Cili ishte reagimi i Pjetër Lleshit pas përgjigjies së pesë komunistëve se ata ishin në besë të shtëpisë së Gjin Lleshit?

Pasi ata ngulnin këmbë se ishin në besë të Gjin Lleshit, Kryetari i Komunës së Kalivaçit, Pjetër Lleshi, që kishte organizuar dhe rrethimin, për të mos u kompromentuar me Kanunin, dërgoi fjalë dhe thirri aty krerët e pleqsisë së fshatit Vig. Nga krerët kryesorë të fshatit Vig që erdhën aty, ishte Preng Marka Gjini, i cili nguli këmbë duke i thënë Pjetër Lleshit, se: ata të pestë që mbaheshin të rrethuar, duhet të liheshin të lirë të kalonin, pasi ishin në besën e një mirditori që ju kishte dhënë bukë dhe sipas zakonit, në asnjë mënyrë nuk duhej të përlyhej besa dhe nderi i Mirditës.

Çfar bëri Pjetër Lleshi pas kësaj?

Pas fjalëve të Preng Marka Gjinit të pleqsisë së Vigut, Pjetër Lleshi përsëri ngulte këmbë në të tijën dhe kapej pas faktit se vendi ku ndodheshin ata të pestë, Buzabardhi, në breg të lumit të Vomës, ishte rrugë e madhe dhe në bazë të Kanunit, aty askush nuk kishte të drejtë të merrte në besë njeri.

Po si u zgjidh kjo gjë?

Debati ndërmjet krerëve të pleqësisë së Vigut dhe Pjetër Lleshit e njerëzve të tij zgjati shumë, deri kur ata i vunë kusht Pjetër Lleshit që të zbatohej Kanuni, ku një pjestar i shtëpisë së Gjin Lleshit, vetë Gjini i zoti i shtëpisë, apo djali i tij, Prenga, ose kushëriri, Pjetri, të vinte aty dhe të deklaronte, duke vërtetur se ata të pesë persona që mbaheshin të rrethuar, ishin miqtë e tij që i kishin ngrënë bukën. Pleqësia e Vigut i vuri kusht Pjetër Lleshit, se pa ardhur një njeri nga shtëpia e Gjin Lleshit, ata të pestë nuk duhet të prekeshin.

A e pranoi Pjetër Lleshi kushtin që i vuri pleqësia e Vigut?

Pjetër Lleshi e pranoi kushtin e pleqsisë së Vigut, sepse ai nuk mund të vepronte jashtë ligjeve e zakoneve të Kanunit dhe njoftoi se ishte në pritje të ardhjes së përfaqsuesit të shtëpisë së Gjin Lleshit, që do të deklaronte, duke vërtetuar se ata ishin në besë të tyre. Pas kësaj përfaqsia e pleqësisë së Vigut, dërgoi personin e posaçëm tek shtëpia ku strehoej Gjin Lleshi, për t’ i kërkuar atij të vinte aty. Pasi ju dërgua fjalë Gjin Lleshit, ai u konsultua me djemtë e tij që ishin të strehuar dhe ata në një shtëpi tjetër, për shkak të hasmërisë që kishin dhe ata autorizuan babanë e tyre Gjinin, që të shkonte në vendngjarje për të sqaruar situatën ku ndodheshin 5 personat që kishin ngrënë bukën e shtëpisë së tyre. Mirpo vajtja e Gjin Lleshit në vëndngjarje në Buzabardh, nuk mund të realizohej lehtë, sepse ai ishte në hasmëri dhe hasmi i tij ishte në pritë me njerzit e Pjetër Lleshit.

Si u zgjidh ky problem, a vajti Gjin Lleshi në vendngjarje?

Problemi i hasmërisë së Gjinit, vërtet ishte një pengesë e madhe, por ai u zgjidh, sepse pleqësia e Vigut, i kërkoi besë hasmit të Gjinit që ishte në pritë dhe ai u dha besën që Gjini mund të vinte aty pa asnjë problem. Pasi kishin kaluar disa orë, Gjin Lleshi erdhi në vendngjarje, në një kohë që debatet në mes pesë partizanëve të njësitit, pleqësisë së Vigut dhe njerzve të Pjetër Lleshit, vazhdonin ende për zgjidhjen e situatës. Sapo Gjin Lleshi erdhi aty, ai u takua me Pjetër Lleshin e njerzit e tij dhe ju deklaroi hapur se: ata pesë djem që mbaheshin të rrethuar, ishin miq në bukës të tij dhe njeri prej tyre, Ndoc Dedë Marku, ishte mik i shtëpisë. Për këtë arsye, ai u tha atyre se ata të pestë, në asnjë mënyrë nuk mund të prekeshin nga asnjeri, se përndryshe ata do të binin në gjak me shtëpinë e tij.

Ç’ndodhi pas fjalëve që u tha ai, a u ra dakort që të hiqej prita?

Me fjalët e Gjin Lleshit, u pajtua dhe e gjith pleqësia e Vigut, duke thënë se pesë të rrethuarit ishin në besë të tij dhe nuk duhet të prekeshin. Ndërsa Pjetër Lleshi ngulte këmbë akoma e më egërsisht, në faktin që ishte kapur që në fillim, se ata të pestë ishin në rrugë të madhe dhe Gjin Lleshi nuk kishte pse t’u dilte zot.

Pas këmbnguljes së Pjetër Lleshit, a u tërhoq Gjini nga marrja në besë që ju bëri pesë partizanëve që kishin ngrënë bukën në shtëpinë e tij?

Jo kurrsesi, Gjini jo vetëm që nuk u tërhoq, por ai duke u ndihmuar dhe nga krerët e pleqësisë së Vigut, që i dolën në mbrojtje, u kap në Kanun në bazë të zakoneve, duke ju kundërvënë ashpër Pjetër Lleshit. Gjini mbahej në fjalën e tij, duke thënë se ishte pikërisht Kanuni ai që e përcaktonte se: miku që dilte prej shtëpisë, duhej të përcillej deri sa t’i dorzohej një miku tjetër në besë dhe kurrsesi, ai nuk mund të lihej në rrugë të madhe.

Po pas kësaj a u tërhoq Pjetër Lleshi nga vendimi i tij?

Pas këtij debati të ashpër që zgjati jo pak, Pjetër Lleshi tepër i nervozuar, nguli këmbë duke thënë se ai ishte qeveri dhe si i tillë, nuk e njihte fare Kanunin dhe miqtë që ishin në rrugë të madhe, prandaj, Gjin Lleshi nuk duhej që t’i merrte në besë ata të pestë.

Pas presionit të Pjetërit si veproi Gjin Lleshi?

Gjini nuk lëvizi nga fjala e tij dhe ndërsa ishte duke u larguar për në kullën e ngujimit, i siguruar në besë të vigasve, ai përsëriti edhe njëherë fjalët e tij të fundit, duke thënë se: ata pesë djem që ishin të rrethuar aty, ishin në besë të tij dhe kush i prekte, do të binte në gjak me të dhe gjithë fisin e tij.

Përse u largua Gjini nga vendngjarja dhe nuk qëndroi aty që të mbronte miqtë që i kishin ngrënë bukën?

Gjini u thirr aty vetëm për të deklaruar se ata të pestë që ishin rrethuar ishin miqtë e tij dhe ai nuk mund të rrinte më tepër në atë vënd, pasi për aq kohë hasmi i tij që ndodhej me njerzit e pritës, ju dha besë pleqësisë së Vigut. Mjaftonte që ai i morri në besë miqtë që kishin bujtur në shtëpinë e tij dhe në bazë të kanunit, ai nuk kishte më detyrime të tjera, pasi ishte dhe vetë në gjak.

Si rrodhën ngjarjet pas largimit të Gjin Lleshit?

Pas largimit të Gjinit, pleqësia e Vigut diskutoi se si mund të zgjidhej ai problem. Aty ndërmjet atyre burrave të asaj pleqësie, diskutohesh, nëse duhet të merreshin në besë të Vigut ata të pestë apo jo. Pleqësia e Vigut u nda në dy pjesë dhe pjesa më e madhe e tyre ishin të mendimit, se ata duhej të merreshin në besë nga Vigu, sepse ata ngeleshin miq të Vigut. Mirpo kjo gjë kundërshtohej gjithnjë e më shumë nga Pjetër Lleshi, që vazhdonte të thoshte se ata ishin në rrugë të madhe. Aty në ato diskutime, pati dhe zëra se qeveria kishte ligjet e veta dhe nuk vepronte me Kanun, prandaj ata duhet të tërhiqeshin nga vendimi për t’i marrë në besë ata të pestë.

Si u vendos pas këtyre dy mendimeve që diskutohej në pleqësinë e Vigut?

Meqënse problemi ishte shumë i ndërlikuar dhe nuk po gjente zgjidhje, në bazë të zakoneve të vendit që ishin të sanksionuara qartë në Kanun, për zgjidhjen e atij problemi duhej pyetur shtëpia e parë e asaj krahine, që në rastin konkret ishte dera princërore e Gjonmarkajve, Kapidanit të Mirditës. Vetëm ajo kishte kopetenca të plota për t’i dhënë zgjidhje atij problemi.

A u pyetën Gjonmarkajt për atë gjë?

Për vetë kushtet dhe diskutimet e gjata që po bëheshin që nga rrethimi i të pesë komunistëve, nuk e di nëse atyre i’u ka premtuar koha që të pyetej dera e Gjonmarkajve. Në atë vend që ishte rrugë kalimi, ishin afruar dhe disa fshatarë që ju kishte rënë rastësisht udha andej. Ndër ata mirditorë që kaluan aty, midis tyre kishte dhe burra që ishin të përkushtuar ndaj besës dhe kanunit.

A ndërhynë për zgjidhjen e problemit ata rrugtarë që kaluan rastësisht aty?

Disa prej atyre fshatarëve, pasi e panë se çfarë po ndodhte aty, përfituan e kaluan pritën dhe u futën në mes të rrethimit e shkuan dhe u takuan me pesë komunistët e rrethuar. Ata ju sugjeruan pesë partizanëve, që ata të kalonin disa hapa në drejtim të një vendi që quhej Kroi Lugjat, me preteksin për të pirë ujë dhe pasi shkonin aty, të lëviznin vetëm disa hapa më tej dhe të hynin në pyllin e Stanaverës, e të dilnin në kufi të Mnelës.

Po përse duheshin bërë këto lëvizje?

Sepse po të dilnin vetëm një hap aty në tokën e Mnelës, në emër të mnelasve, ata do t’ i merrnin ata në besë dhe nuk mund t’i prekte më njeri. Këta persona që ju sugjeruan pesë komunistëve këtë gjë, ishin nga fisi i Bibajve, e disa fise të tjera të Mnelës dhe ishin të gjithë të armatosur. Unë disa prej tryre i kam njohur dhe kam biseduar personalisht me ta, si Frrok Llesh Gjini, Ndue Lazër Markagjegja etj.

A e zbatuan pesë komunistët e rrethuar atë çka u sugjeruan ata fshatarë të Mnelës?

Të pesë partizanët e rrethuar ju thanë mnelasve, se ata kishin besim të plotë, se mirditorët nuk do t’i vrisnin dhe nuk do t’i prtnin në besë. Pas kësaj mnelasit ju thanë përsëri atyre se sidoqoftë që të shkonte puna, ata do t’i prisnin në vendin ku ju thanë. Në këtë koha ora po shkonte rreth 13.00 dhe bënte një vapë e madhe si rrallë ndonjëherë. Nga kjo gjë ata të pestë po digjeshin nga etja për ujë. Në këtë kohë një xhandar nga ata të pritës së Pjetër Lleshit, duke u përvjedhur njerëzve të pritës, u fut brenda zonës së rrethimit dhe shkoi e u takua me pesë partizanët e njësitit. Dy nga ata të pestë, kanë ecur bashkë me xhandarin, deri tek vendi ku ndodhej Kroi Lugjat, që ishte një vend i fshehur dhe i mbuluar me gjethnajë të Stanaveres. Në këtë moment pasi kanë pirë ujë, xhandari ju ka thënë dy partizanëve të njësitit, që ata të iknin kodrës nëpër pyll, në drejtim të kufirit të Mnelës. Xhandari i’u sugjeroi gjithashtu, që ata të fillonin të qëllonin në drejtim të tij dhe ai do bënte sikur po i qëllonte ata, me qëllim që të krijohej ideja se ata po luftonin ndërmjet tyre. Emri i atij xhandarit nuk më kujtohet, por dihet mirë se ai ishte mirditor. Për atë njeri për herë të parë më ka folur shoku i ngushtë i “5 Heronjve të Vigut”, Frano Jakova, i cili në atë kohë ndodhej në Çetën “Pukë-Mirditë” në pritje të atyre pesë shokëve komunistë që ndodheshin të rrethuar nga forcat mercenare të Pjetër Lleshit.

A vepruan ata dy pjestarët e njësitit sipas sugjerimit që u dha xhandari?

Jo, ata dy pjestarët e grupit që nuk dihet se kush kanë qenë, për arsye se jo vetëm xhandari, por asnjeri nga ata njerëz që kishin ngritur pritën aty nuk i njihte, nuk vepruan ashtu siç ju tha xhandari. Ata ju përgjigjën atij, se nuk mund të vepronin ashtu, pasi nuk mund të ndaheshin nga tre shokët e tjerë. Pas kësaj, xhandari u largua nuk dihet se për ku, kurse dy shokët e njësitit u kthyen përsëri mbrapsht dhe u bashkuan me tre shokët e tjerë që ishin duke i pritur dhe ishin të djegur nga etja për ujë.

Shoku Mark, është thënë se atyre ju ka çuar ujë një grua e moshuar?

Po kjo gjë është e vërtetë, duke parë se pesë shokët e njësitit kishin afro tetë orë të rrethuar dhe prej vapës së madhe ishin të djegur nga etja, aty pranë bashkë me fshatërët që ishin mbledhur për të parë se ç’po ndodhte, ishte dhe një grua e moshuar, e quajtur Drane Jaku, e cila ishte nëna e partizanit Gjon Jak Cera, të çetës “Pukë-Mirditë” nga fshati Gomsiqe. Nënë Dranja mori një kotruve me ujë dhe u fut brenda rrethimit të pritës, pa marrë parasysh presionet e njerzve të Pjetër Lleshit që u përpoqën ta pengonin atë për të mos shkuar tek ata. Dranja i’u përgjigj njerzve të pritës, se ata i kishte miq shtëpie dhe shokë të djalit, e nuk e ndaloi hapin edhe pse njerzit e Pjetër Lleshit e kërcënëuan. Ajo vajti tek pesë shokët e njësitit që ishin rrethuar dhe ju dha ujë. Në atë kohe që nënë Dranja shkoi tek ata, duhet të kishte kaluar ora katër e pasdites. Ajo ju tha atyre: Ju lumtë që nuk po dorzoheni, por ruajuni se do t’ ju vrasin. Në çastin kur Dranja do të largohej, ata i thanë se po të kishte mundësi t’ju kryente një detyrë, duke ju dërguar një letër për çetën “Pukë-Mirditë” ku ishte dhe djali i saj Gjoni, ose për në Shkodër. Pasi Dranja i siguroi se e merrte përsipër atë gjë, ata e shkruan shpejt e shpejt letrën që tashmë është e njohur nga të gjithë dhe pasi ajo e futi në gji, u largua duke dalë nga rrethimi për në shtëpinë e saj.

Çfar ndodhi me pesë të rrethuarit pas largimit të asaj gruas që ju dha ujë?

Pas largimit të nënë Dranes, kur ora po shkonte rreth katrës apo pesës së pasdites, njerzit e Pjetër Lleshit që kishin organizuar pritën nga pozicionet që kishin zënë, ju bënë thirrje edhe njëherë pesë partizanëve të njësitit, që të dorzoheshin, ose për ndryshe ata do t’i vrisnin. Pas këtij paralajmërimi që ju bënë njerzit e Pjetër Lleshit, të pesë partizanët e rrethuar, duke mos besuar për asnjë çast se do vriteshin, ju përgjigjën atyre se nuk do dorzoheshin, pasi ishin në besë të shtëpisë së Gjin Lleshit.

Cili ishte reagimi i Pjetër lleshit dhe njerzëve të tij pas kësaj përgjigjie që morën nga të rrethuarit?

Menjëherë pas këtyre fjalëve kanë nisur bataretë e pushkëve.

Kush e nisi pushkën në fillim, pesë partizanët e rrethuar, apo njerzit e Pjetër Lleshit?

Kjo gjë nuk dihet e saktë, jo vetëm nga unë, por besoj dhe nga ata që kanë qenë atë ditë në vendngjarje, pasi në atë pyll vështirë, se mund të merrej vesh se nga vinin plumbat.

Sa ka zgjatur beteja me armë në mes tyre, sepse është thënë se aty është bërë luftë e madhe?

Sapo kanë nisur pushkët e para, të pesë partizanët e rrethuar, kanë qëlluar në drejtim të njerëzve të Pjetër Lleshit, me të gjitha armët që kishin nga pozicionet që kishin zënë. Përpjekja me armë ndërmjet tyre nuk ka zgjatur më shumë se gjysëm ore, për arsye se vendi ku ndodheshin pesë partizanët e rrethuar, ishte krejt i zhveshur dhe ata nuk kishin mundësi për t’u mbrojtur. Ai vend quhet Papardhoku i Buzabardhit të Vig-Kaster, në breg të lumit të Vomës. Për këtë arsye dhe përpjekja me armë nuk zgjati shumë, pasi njerzit e Pjetër Lleshit që kishin organizuar pritën, ishin shumë dhe e njihnin me pëllëmbë vendin.

Kush është vrarë i pari nga ata të pestë?

Nuk dihet me saktësi se kush është vrarë i pari nga ata, por thuhet se Naim Gjylbegu bashkë me Ndoc Dedë Markun, kanë sulmuar të parët në drejtim të njerzve të pritës për të çarë rrethimin dhe ata të dy kanë ngelur të vrarë në fillim. Por kjo gjë është me të dëgjuar, sepse nuk dihet e vërteta se kush u vra më shpejt, e kush më vonë.

Çfar ndodhi pas vrasjes së tyre?

Menjëherë pas vrasjes së tyre, njerzit e Pjetër Lleshit u afruan tek ata dhe ju muarën armët, çantat me çfarë kishin dhe u larguan, duke urdhëruar që ata të mos i varroste njeri, por t’i linin aty, t’i hanin qentë pa varrosur.

Po gjatë gjithë asaj kohe prej tetë orësh që ata të pestë qëndruan të rrethuar, ku ndodhej çeta “Pukë-Mirditë”. A kishte dijeni ajo se ata ishin të rrethuar dhe përse nuk u erdhi në ndihmë?

Çeta “Pukë-Mirditë” e cila në atë kohë komandohej nga Kozma Stefi, ku bënin pjesë dhe shokët e deleguar të Qarkorit të Shkodrës, si Frano Jakova, Emin Reshiti (Emini) si dhe disa partizanë vendas tepër të njohur, si Mat Doda i Gomsiqes, Pren Llesh Çuni i Kalivaçit etj., ditën e 21 gushtit 1944, kur ka ndodhur rrethimi i pesë shokëve, është ndodhur në fshatin Buzhalë, që bie në mes Mnelës, Vigut e Korthpulës, ku ishin në pritje të pesë shokëve. Aty ka qenë një pjesë e çetës, pasi çeta vepronte e copëzuar. Ky vend ndodhet rreth një orë e gjysëm larg nga Buzabardhi, në një distancë që dëgjohen krismat e armëve.

A janë dëgjuar krismat e armëve nga partizanët e çetës atë pasdite kur ndodhi vrasja e tyre?

Po, të gjithë partizanët që janë ndodhur në atë vend, i kanë dëgjuar krismat e armëve, por ato nuk e dinin se nga vinin ato armë dhe çfarë po ngjiste në Buzabardh. Po atë mbrëmje, pasi pushuan bataretë e pushkëve, nga komanda e çetës u aktivizua një fshatar vendali, i quajtur Nikoll Preng Rrasa, nga fshati Bushal, që ishte mik i ngushtë i Mat Dodës, që të verifikonte se çfarë kishin qenë ato pushkë. Pas kësaj, çeta ka qëndruar në pritje gjithë natën për të marrë vesh se ç’kishte ngjarë, sepse ata ishin në pritje të shumë shokëve që do të shkonin të bashkoheshin me çetën, sipas detyrave që kishin marrë nga Qarkori i Shkodrës.

Kur e mësoi çeta lajmin e vrasjes së pesë shokëve?

Të nesërmen, në mëngjezin e 22 gushtit 1944, në vendin ku qëndronte çeta, shkoi djali i Mat Dodës, i cili kishte marrë letrën (që shkruan pesë shokët para vrasjes) nga gjyshja e tij nënë Mrika, së cilës ja kishte dhënë në dorë Drane Jaku, për t’ ja dorzuar Mat Dodës ose të birit të saj Gjon Jakut. Letra ju dorzua në dorë komandantit të çetës, Kozma Stefit, i cili e lexoi atë para të gjithë shokëve që ndodheshin aty, duke njoftuar dhe vrasjen e tyre. Bashkë me atë letër erdhi dhe lajmi tjetër se në Gomsiqe, ishin rrethuar dhe pesë shokë të tjerë partizanë të çetës të cilët i shoqëronte shkodrani Gjon Jak Rasha.

Çfar vendimi mori çeta e drejtuar nga Kozma Stefi, pasi mësoi lajmin e vrasjes së pesë shokëve?

Menjëherë pasi u mësua ajo gjë, komanda e çetës nxorri disa detyra. Detyra e parë ishte që të çohej letra e pesë shokëve në Qarkorin e Shkodrës dhe për këtë u ngarkua partizani Rasim Reshiti (Emini). Së dyti, duhej të sulmohej e të digjej posta e xhandarmërisë së Kalivaçit, me gjithë Pjetër Lleshin dhe duheshin shpëtuar patjetër pesë shokët që ishin të rrethuar në Gomsiqe, të cilët u shpëtuan.

Çfar u bë me pesë trupat e pajetë që ngelën të vrarë në Buzabardh?

Të nesërmen vrasjes së tyre, në mëngjezin e 23 apo 24 gushtit, disa fshatarë që po digjin tjegulla në breg të lumit të Vomës, pasi e kishin parë ngjarjen dhe e dinin se pesë kufomat gjendeshin aty, janë afruar dhe janë kujdesur që ato të mos i hanin egërsirat.

Kur e mësuan familjarët e pesë partizanëve lajmin e vrasjes së tyre dhe a erdhën ata në vendngjarje për t’i marrë trupat e tyre?

Ngjarja e vrasjes së pesë shokëve tanë në Vig, bëri jehonë të madhe në të gjithë Veriun dhe natyrisht atë gjë e mësuan dhe familjet e pesë partizanëve komunistë që mbetën të vrarë atje. Dy tre ditë pas ngjarjes, i pari nga familjarët e tyre, ka ardhur në vendngjarje, daja i Hydajet Lezhës, i cili e tërhoqi trupin e nipit të tij dhe e varrosi në Lezhë.

Po pas tij, kush ka ardhur?

Pas tij kanë ardhur disa djem të familjes dhe fisit të Ndoc Ded Markut nga Miloti, të gjithë të armatosur. Këta, në baz të Kanunit, në fillim i çuan fjalë Komandës së Postës së Xhandarmërisë së Kalivaçit dhe Pjetër Lleshit, duke i thënë që: të mos ngacmohemi gjatë tërheqjes së trupit të vëllait tonë, Ndoc Dedës. Pas kësaj ata e muarën trupin e tij dhe e çuan në Milot, pa pasur probleme me njerzit e Pjetër Lleshit.

Po me trupat e Naim Gjylbegut, Ndoc Mazit dhe Ahmet Haxhisë, çfarë u bë. A erdhi njeri për t’ i marrë kufomat e tyre?

Trupat e atyre të treve, ngelën aty të varrosur provizorisht, nën kujdesin e Dan Velisë dhe të familjes Dodani. Familja jonë i mori nën kujdesje varret e tyre, për arsye se xhaxhai i Naim Gjylbegut nga Shkodra, Rakip Gjylbegu, së bashku me Tefik Bekteshin, (dhëndrin e Naim Gjylbegut) shkuan në Vaun e Dejës tek Fadil Hoxha, me pseudonimin “Sedita” dhe i kërkuan atij që t’i ndihmonte, duke u gjetur njerëz që të kujdeseshin për varrin e nippit, Naimit e të dy shokëve të tij.

A i ndihmoi Fadil Hoxha?

Fadil Hoxha së bashku me Rakipin e Tefik Bekteshin, shkuan në Mjedë tek Dan Velija që ishte Kryetar i Këshillit Nacionalçlirimtar (ilegal) dhe i kërkuan atij ndihmë e mbështetje. Ai i rekomandoi tek familja Dodani, meqënse unë isha partizan i çetës “Pukë-Mirditë”. Pas kësaj, Dan Velija me Rakipin e Tefikun, erdhën në shtëpinë e babait tim, Lleshit, në Naraç dhe i kërkuan ndihmë e mbështetje për kujdesjen e tre varreve që ishin në Buzabardh. Babai im, Lleshi u’a mori përsipër kërkesën e tyre, pas vendimit të vllazërisë, ku vendimin e aporovoi Cub Dodani, babai i Ndrecës. Pas këtij vendimi, babai im, Lleshi, me kushërinjtë, Ndrecën e Cub Dodanin, së bashku me Rakip Gjylbegun e Tefik Bekteshin, shkuan në vendin e vrasjes në Buzabardh dhe aty siguruan e bënë mbulimin me dhe të tre kufomave, duke i siguruar provizorisht ata, me mendimin për t’i marrë sa më shpejt.

Përse kërkuan mbështetjen e familjes Dodani, familja e Naim Gjylbegut?

Rakip Gjylbegu, xhaxhai i Naimit, kërkoi mbështetjen e familjes sonë, Dodani, edhe për arsyen se xhaxhai jonë, Gjon Dodani, ishte komandant i forcave xhandare në Krepin e Naraç-Mnelës dhe duhej shfrytëzuar emri e autoriteti i tij, si mik i bajraqeve të Mirditës, e veçanërisht i Gjonmarkajve. Ata që kërkuan mbështetjen tonë e dinin karakterin e Gjon Dodanit, se ai nuk do e shkelte kurrë Kanunin që të priste në besë shtëpinë e vet (Lleshin e Ndrecën).

Me që përmendët Gjonmarkajt, a kanë lidhje ata me vrasjen e “5 Heronjëve të Vigut”, siç është thënë vazhdimisht gjatë viteve të regjimit komunist?

Unë nuk di hollësira që Gjonmarkajt të ishin urdhërdhënës në vrasjen e “5 Heronjve të Vigut”, por duke qenë se Pjetër Lleshi dhe mercenarët e tij, zbatonin urdhërat e Gjonmarkajve e krerëve të tjerë të Mirditës dhe duke ditur se ata ishin antikomunist të tërbuar, e gjithashtu të lidhur me okupatorin nazist gjerman, kjo gjë u është atribuar atyre. Por unë nuk e di që Gjonmarkajt të jenë implikuar ne vrasjen e “5 Heronjve të Vigut”, them se atë gjë e ka bërë Pjetër Lleshi në kokë të vet, ndoshta pa i pyetur fare Gjonmarkajt.

Sipas kanunit, kujt i ngeli “në derë” gjaku i “5 Heronjve të Vigut” dhe a u muar hak për vrasjen e tyre?

Për të gjetur fajtorët kryesorë të vrasjes së pesë shokëve tanë që ranë dëshmorë në Vig, u caktuan disa shokë, midis të cilëve edhe unë si vendali që isha. Gjaku i atyre të pestëve, së pari i ngeli Pjetër Lleshit të Gjegjanit dhe personit që i kallxoi ata, i cili ishte Dodë Marka Gjoka. Këtë gjë unë e kam mësuar nga Kol Preng Lleshi, që ishte kushëri i dajës sim, Ndrec Marka Gjoka, si dhe prej Preng Marka Leprit, të Kaftallit e Preng Marka Gjinit, dëshmitë e të cilëve, bënin fajtor për vrasjen e pesë shokëve tanë, Dod Marka Gjokën e Rrasit.

Po familja që i kishte marrë ata në besë, pra aty ku ata kishin fjetur natën e fundit, a kërkoi të merrte hak për vrasjen e tyre?

Që nga dita e vrasjes së tyre, më 22 gusht 1944 e në vazhdim, duke e ditur se ata të pestë ishin në besën e familjes së Preng Gjin Lleshit, mbahet mënd se Prenga me të vëllanë, sipas Kanunit, kërkonte patjetër që të merrte hakun e tyre. Këtë gjë e kërkonin dhe partizanët e çetës “Pukë-Mirditë” që qarkullonin dendur në atë krahinë. Disa ditë më vonë, Prend Llesh Çuni, vrau një nga mercenarët e Pjetër Lleshit, në shenjë hakmarrje për vrasjen e pesë miqëve të tij. Në hakmarrje të tyre, mori pjesë dhe Pashko Curri, Pashko Shyti, Pal Gjoni etj., të cilët organizuan luftën tek ura e Brahnjezës në Fush-Arrëz, për eleminimin e atyre që kishin gisht në vrasjen e “5 Heronjve”. Po kështu sipas disa dëshmive, për vrasjen e pesë shokëve tanë, u akuzuan dhe një nga familjet më në zë të Kalivaçit, ajo e Përgjonëve. Për këtë, kur erdhën Brigada e VII-të partizane e komanduara nga Musa Daci, i dogji shtëpinë Përgjonëve. Mirpo implikimi i Përgjonëve në atë vrasje nuk ishte i vërtetë. Ata ishin viktimë e intrigave të ndryshme dhe ajo gjë u korigjua më vonë me ndërhyrjen time tek Musa Daci, i cili lëshoi deklaratë me shkrim se Përgjonët nuk kishin gisht në atë ngjarje.

Vetëm me vrasjen e atij mercenarit të Pjetër Lleshit, ngeli hakmarrja ndaj “5 heronjve të Vigut”, apo ajo vazhdoi më tej?

Vrasja e atij mercenarit prej Prend Llesh Çunit ishte vetëm fillimi. Nga tetori ose nëntori i vitit 1948, një mirditor nga Kaçinari i quajtur Z.D. me pseudonimin “Gjimnazi”, së bashku dhe nën drejtimin e Bardhok Bibës (“Hero i Popullit”) dhe Sulejman Manokut, Shefit të Sigurimit të Mirditës, zbuloi dhe organizoi rrethimin e forcave të rezistencës antikomuniste të Pjetër Lleshit të Gjegjanit e Ludovig Saraçit, ish-qarkomandantit të Xhandarmërisë së Shkodrës. Në atë rrethim, përveç kapobandës Pjetër Lleshi që në filmin “Operacioni Zjarri” unë si autor i skenarit, e kam quajtur “Pjetër Mustakuqi”, ngelën të vrarë dhe 20 pjestarë të tjerë të bandës së tij, duke u kurorëzuar kështu një hakmarrje e shumëfishtë për “5 Heronjtë e Vigut”.

Po trupat e Ndoc Mazit, Naim Gjylbegut e Ahmet Haxhisë, kur u morën nga Buzabardhi për t’i çuar në Shkodër?

Disa muaj pas çlirimit, në prillin e vitit 1945, një grup familjarësh ku ishin dhe tre nënat e dëshmorëve, së bashku dhe me disa shokë bashkluftëtarë të tyre, shkuan në Vig të Mirditës dhe i çvarrosën ata, për t’ i dërguar në Shkodër në Varrezat e Dëshmorëve. Si në Vig ashtu dhe në Shkodër, ku u organizua një ceremoni e madhe për varrimin e tyre, fjalët e rastit i mbajti shoku Nuri Llazani, i deleguari i Qarkorit Komunist të Shkodrës në çetën “Pukë-Mirditë” dhe njëkohësisht shoku e bashkëluftëtari i tyre më i ngushtë. Nëse më lejohet në fund të kësaj interviste, në kujtim të atyre “5 Heronjve” që nuk u dorzuan edhe duke e ditur që do vriteshin, desha që të kujtoj katër vargje, që janë kënduar gjithmonë me çifteli, ku thuhet: “Mbi majë kresë këndoi bilbili / mbi pesë varre mbetur në lëndinë / Lulëzoi kreshtës trëndafili / të pestë vulosën pavdeksinë”.



2 Comments

  1. 5 kokrra komunistesh më pak!
    Por ne 1948, 20 shqiptare më shume ne listen e te shfarosurve nga Komunizmi!

  2. Do me thene edhe historine ja kemi lene ne dore fuksave te sigurimit. Turp per kete vend dhe per kete portal qe i boton!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *