• |
ide | kryesore

Tampone, precedenti-Drita dhe dëshirë për kualifikim: kështu prezantohen skuadrat shqiptare në Europa League

-Instant, F1, Sport



Pas provave të mira të Tiranës, që gjithësesi doli nga Champions në raundin e dytë dhe pret tashmë ti bashkohet raundit të tretë të Europa League, pikërisht në kompeticionin e dytë të UEFA-s do të zbresin në fushë tre skuadrat e tjera shqiptare Kukësi, Teuta e Laci. Nëse dy prej tyre kanë avantazhin e të luajturit në shtëpi, kurbinasit e Cungut duhet të bëjnë goditjen në tranzfertën e Azerbaixhanit kundër Keshlas, duke patur mbi të gjithë parasysh protokollin anti-Covid për të mos patur fatin e skuadrave kosovare si Drita e Prishtina.

TEUTA – BEITAR JERUSALEM
Teuta është gati për sfidën kundër izraelitëve, me shpresën se Niko Dovana do të bëjë diferencën. Me përjashtim të Arbër Çyrbjas, i cili është i dëmtuar, të gjithë të tjerët janë në dispozicion të trajnerit Martini, për takimin që do të luhet në orën 16:30. Frashëri është i sigurt dhe ofron garanci në portë, ndërsa përpara tij Hoxha e Arapi në qendër dhe Todorovski e Kuro, në krahë do të përbëjnë linjën katërshe të mbrojtjes. Aleksi dhe Fabio Beqja priten që të formojnë digën para mesit të fushës, me këtë të fundit që është në balotazh bashkë me Gonçalves. Nën rreshtimin tradicional, 4-2-3-1, në treshen mbështetëse të sulmuesit do të jetë Avdyli dhe Lorenco e Emiliano Vila në linjat anësore të manovrës sulmuese. Në vijën e parë të sulmit do të jetë Krasniqi, që sapo ka mbërritur këtë verë nga Skënderbeu. Klubi ndërkohë ka marrë të gjitha masat e nevojshme që duhet për të zbritur në fushë në respektim të protokollit anti-Covid. Stadiumi “Niko Dovana” i është nënshtruar dje procesit të dezinfektimit, ndërsa në ambientet e brendshme të stadiumit, klubi ka marrë masa për ndarjen e korridoreve në mënyrë që secila skuadër të ketë ambientet e ndara se ku do të kalohet. Ajo që ishte më e rëndësishme ishte përgjigja negative e tamponeve për të gjithë skuadrën e stafin.

KUKËSI – SLAVIA SOFIE
Edhe Kukësi ka kaluar me sukses testet anti-Covid, ndërsa për të evituar rrezikun infektim skuadra e Skënder Gegës është grumbulluar në Elbasan, përpara ndeshjes që Blutë do të luajnë sot në mbrëmje në “Air Albania” me skuadrën e Slavias së Sofjes. Tekniku nuk ka preferuar të zbulojë asgjë sa i përket formacionit që ka në mendje, duke qenë se jo të gjithë lojtarët janë në formën e tyre më të mirë dhe kjo mund ta detyrojë teknikun të mos e nisë me ata që do të dëshironte. Dilema më e madhe mbetet sulmi, me Ezenë që është provuar si titullar dhe ka pëlqimin e Gegës, por trajneri mund ta përdorë si “as nën mëngë” në pjesën e dytë dhe t’ia besojë përkohësisht vendin e titullarit Kuperit. Një tjetër dilemë është edhe në krahun e djathtë të mbrojtjes, ku ka një balotazh midis Maliqit dhe Lulajt, për të cilët ndoshta vendoset në orët e fundit para ndeshjes. Në lidhje me pjesën tjetër të titullarëve, nuk priten surpriza, me Xhikën në portë, Horiç dhe Obanor në qendër dhe Musta në të majtë. Telushi me Musollin në qendër të mesit të fushës, Gavazaj dhe Rrocën nga krahët, ndërsa Limaj në qendër para sulmuesit të vetëm. Gjithsesi, deri në momentet e fundit gjithçka mund të ndodhë.

KESHLA – LAÇI
Skuadra e vetme që do të përballet në transfertë është Laçi, që në Azerbaixhan do të sfidojë Keshlan, ish-Inter Baku. Bardhezinjtë kanë kryer pasditen e djeshme seancën tradicionale në “Ask Arena” dhe sonte do të kërkojnë kalimin e raundit. Armando Cungu e di që do të jetë e vështirë, e megjithatë beson te kualifikimi. Forca e grupit është ajo që i jep shpresë, ndaj edhe futbollistëve ua ka bërë të qartë që të tregojnë të njëjtën etje dhe dëshirë që kanë shfaqur në kampionat. Ardhjet e reja në kampin kurbinas kanë rritur eksperiencën brenda organikës duke e bërë teknikun shkodran të besojë shumë se mund tia dalë të kualifikohet, edhe pse në transfertë.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *