• |
ide | kryesore

Çfarë po ndodh në Shtëpinë e Bardhë/ Beogradi: Po i bëhet presion Vuçiçit të njohë Kosovën

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit



Orë të tensionuara dhe negociata të vështira mes Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë. I thirrur si një takim për më shumë bashkëpunim ekonomik duket se palët po shkojnë më tej. Në Beograd thonë se presidentit Aleksandër Vuçiç i është vendosur përpara një platformë me 16 pika ku pika e 10-të bën fjalë për njohjen reciproke të të dyja vendeve.

Këtë e konfirmoi ministri i Financave i Serbisë, Sinisha Malli, i cili është pjesë e delegacionit në Uashington. Ai u ka thënë gazetarëve që Serbia “po lufton për çdo fjali dhe për çdo fjalë”.

“Temat ekonomike, është e dukshme që nuk janë përparësi, ashtu siç kemi pritur. Pika e dhjetë e listës që na është prezantuar, flet për njohjen e ndërsjellë, ndërkaq të 16 pikat janë politike dhe jo ekonomike, të cilat i kemi pritur”, tha Malli.

“Deri më tani, ky është propozimi më i keq që e kemi parë në historinë e bisedimeve tona me shqiptarët. Por, nuk do të sprapsemi dhe do të luftojmë”, – theksoi Malli gjatë një deklarate për gazetarë para Shtëpisë së Bardhë.

Amerikanët në krahun e tyre e mohojnë që të kenë vënë në tryezë një dokument të tillë. I dërguari i posaçëm i presidentit amerikan për bisedimet Kosovë-Serbi, Richard Grenell e ka hedhur poshtë lajmin për një dokument për nënshkrimin e njohjes së pavarësisë së Kosovës.

“E pavërtetë”, ka shkruar Grenell në profilin e tij në Twitter.

Para fillimit të bisedimeve të enjten, Grenell ka thënë se populli i Kosovës dhe ai i Serbisë meritojnë normalizimin ekonomik dhe mundësinë për të krijuar një ekonomi gjallëruese.

Ndërsa Këshilltari për Sigurinë Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Robert O’Brien tha se është arritur progres në ndërmjet dy liderëve, të Kosovës, Avdullah Hoti dhe atij të Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

“Liderët e Serbisë dhe të Kosovës janë duke arritur progres. Diskutimet tona këtë mëngjes janë fokusuar në përforcim të lidhjeve ekonomike dhe në normalizim ekonomik. Në pritje për diskutime të mëtejshme këtë pasdite”, – shkroi O’Brien në një postim në Twitter.

Mediat serbe shkruajnë se në ofertën e amerikanëve bëhet fjalë për marrëveshje ekonomike miliona eurosh për të dyja vendet, por drafti duhet firmosur në të gjitha pikat.

“Të dy palët janë të përkushtuara në njohjen reciproke, mbrojtjen e pakicave etnike, kthimin, zgjidhjen e statusit të individëve dhe pajtohen që të hapin zyra për mbrojtje dhe raporte vjetore për të drejtat e pakicave”- shkruhet në letrën e amerikanëve. Vuçiç nuk ka vendosur ende nëse do ta pranojë apo do të tërhiqet.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, para takimit në Shtëpinë e Bardhë të enjten, ka deklaruar se asnjë diskutim tjetër nuk bëhet me Serbinë, përveç se për njohje reciproke.

Ndërsa presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka thënë se pala serbe do të bëjë çmos për të arritur një kompromis për çështje të rëndësishme ekonomike. Ai i ka quajtur si arrogante deklaratat e zyrtarëve të Kosovës në lidhje me njohjen e Kosovës. ©LAPSI.al



1 Comment

  1. Ashtu e don puna per t’a mbajtur qiriun ndezur…!!!
    Serbia e ka njohur me kohe Kosoven…!!!
    Kjo gjendje do vazhdoje derisa qiriu te ndizet ne nje vend tjeter…!!!
    Sot vetem politike nuk ka me pasi, veprimet diplomatike jane krejt jashte çdo logjike diplomatike…!!!
    Njerez ne udhekryq Shqiptaret nder Shekuj…!!!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *