• |
ide | kryesore

KLSH: Zonës historike në Tiranë dhe asaj tek Liqeni i’u ndryshuan kufijtë për të ndërtuar

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit

Në Bashkinë e Tiranës janë ndryshuar kufijte për zonën historike të kryeqytetit për hir të ndërtimeve të reja.


Për herë të fundit kjo zonë ishte përcaktuar si e tillë me një vendim të vitit 2000 që bënte shpalljen Ansambël Monument kulture të aksit kryesor dhe qendrës historike të qytetit të Tiranës, duke specifikuar qartësisht konturet e zonës historike për qytetin e Tiranës, sipas planimetrisë dhe emërtesave të rrugëve dhe shesheve të identifikuara në VKM.


Këtë konstatim e ka bërë Kontrolli i Lartë i Shtetit në një nga auditimet e këtij viti. Sipas KLSH në vitin 2017 është miratuar një vendim që rivlerëson koordinatat duke argumentuar se do të ruhen të gjithë vlerat historike por hapësirat e lira mund të shfrytëzohen në harmoni me zonën.

Në vitin 2018 është rishikuar i njëjti vendim nën argumentin e një qasjeje të re ndaj ruajtjes dhe mbrojtjes së vlerave të trashëgimisë kulturore, terminologjisë së re në kategorizimin dhe tipologjitë e pasurive kulturore, klasifikimit të tyre.

Pra argumentohej se kjo pjesë bëhej për hir të harmonizimit me kuadrin ligjor. Në të vërtetë sipas KLSH vendimi ndryshon kufijtë e qendrës historike.

“Kjo VKM ka ndryshuar kufijtë e qendrës historike, nëse i referohemi hartës së zoonimit, pra justifikimi i objektit të ndryshimit për shkak të terminologjisë me ndryshimet e propozuara kanë sjellë ndryshime thelbësore të këtyre kufijve ku vërtet janë përfshirë objekte të reja të viteve 50-80 për të cilat nuk ka një relacion mbështetës se pse këto objekte konsiderohen me vlerë historike dhe duhen përfshire, në relacionin e miratuar nga KKR të datës 26.09.2018, konstatohet se nuk është shprehur qartësisht se cilat objekte hiqen nga qendra historike dhe arsyetimi përkatës për to, ndërkohë që nuk rezulton të kemi shprehje të Këshillit Shkencor (KSH) të IMK apo cilësim të opinionit të tyre lidhur me këto çështje. Nuk  evidentohet pse ndryshojnë koordinatat e zonës së mbrojtur Z 82-Z-83-Z80 në kufijtë e Liqenit artificial, nuk shpjegohet pse në qendrën e Tiranës janë shtyrë kufijtë e qendrës historike në zonën T83-T81apo T27-T28, etj. (qartësisht të dallueshme vetëm duke krahasuar hartën e zoonimit të miratuar në vitin 2017 krahasuar me hartën e zonimit të vitit 2018 dhe koordinatat e saj)” vlerëson KLSH në auditimin e tij.

Ky institucion ka ndjekur procedurën shkresore dhe atë të konsultimeve të bëra lidhur me këtë ndryshim dhe ka nënvizuar se procesi i miratimit apo dhe nevoja e ndryshimit apo përcaktimit të kufijve sipas koordinatave “nuk rezulton të jetë i plotë me argumente të qarta nga institucionet e përfshira në proces, si Këshilli Shkencor, Sekretariati teknik i Këshillit Kombëtar të Restaurimeve, Ministrin e Kulturës që është njëkohësisht dhe Kryetar i KKR, vetë KKR duke mos përmbushur funksionet institucionale dhe specifikat profesionale të tyre, vendim-marrjet e të cilëve në fakt janë përdorur si fasadë për të justifikuar veprimet e institucioneve (strukturave) që nuk kanë kapacitetet dhe njohuritë për vendimmarrje që prekin trashëgiminë kulturore dhe memorien historike të shqiptarëve në këtë rast Bashkia e Tiranës apo dhe KM”.

Institucioni më i lartë i kontrollit në vend ka marrë në vlerësim edhe planin e Përgjithshëm Vendor të Tiranës duke sjellë në vëmendje se ndërhyrjet e lejuara prej tij nuk bazohen në vendimin e vitit 2017 për zonën historike dhe në këtë rast ka sjellë si shembull Stadiumin “Qemal Stafa” që si monument duhet të kishte ndërhyrje konservuese por jo rizhvillim.

“Nga sa më sipër konstatohet se ndryshimet e ndodhura më pas me VKM Nr. 582, date 3.10.2018, në përcaktimin e kufijve të qendrës historike të qytetit të Tiranës, pra përcaktimin në thelb të zonave ku do lejohen ndërtime të reja e ku jo, reflektojnë kërkesat e Bashkisë Tiranë për zhvillime të reja në territor dhe nuk bazohen në studime e vlerësime të mirëfillta për përcaktimin dhe mbrojtjen e vlerave historike-kulturore të Qendrës Historike dhe zonës mbrojtëse në qytetin e Tiranës.

Si konkluzion KKR ka ndryshuar vlerësimin për zonat historike e kulturore të Tiranës e objekteve në to, në varësi të interesit për ndërtime të reja në këto zona e mbi këto objekte” shprehet KLSH në raportin e auditimit.

Rekomandimi pas precedentit me Teatrin

KLSH është ndalur edhe tek situata e shembjes së Teatrit Kombëtar duke theksuar se e IKTK (ish- IMK) në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës të merren masa të menjëhershme dhe të hartohen propozimet përkatëse për ndryshimin e ligjit Nr. 27/2018 “Për Trashëgiminë Kulturore dhe Muzeve”.

Konkretisht thuhet se “germat “a” dhe “ç” të pikës 3 të nenit 9; ku miratimi i planeve për ruajtjen, mbrojtjen dhe administrimin e pasurive kulturore të paluajtshme dhe deklarimi për pasuritë kulturore të paluajtshme, të grupuara sipas parashikimeve të këtij ligji të behet me propozim nga Këshilli i Ministrave dhe miratim në Kuvendin e Shqipërisë me Ligj të veçantë. /monitor

2 Comments

  1. Nuk është ndonjë gjë e re.Punë hajdutësh dhe para e pisët.Ka akoma dhe shumë të tjera.Problemi është kur do veprojë drejtësia e “re”!!!!

  2. Shkëlzen Berisha dha një intervistë, pas vendimit të Gjykatës së Floridas.

    Ashtu si babai, ai thotë se nuk e njihte mirrë burrin e tezes që u vra në Gërdec, ndërsa pranon se me Delijorgjin fliste në telefon.

    Në lidhje me akuzat e Luan Hoxhës, Shkëlzen Berisha thotë se ai i ka mohuar ato që i ka thënë privatisht ish-ambasadorit Withers (dhe kjo është e kuptueshme, pasi Hoxha kishte frikë për jetën e tij, dhe jo më kot shkoi në SHBA për azil).

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Kthehu