• |
ide | kryesore

Dërgohet në gjykatë dosja ndaj ish-kryetarit të bashkisë Kuçovë

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit



Ish-kryetari i bashkisë Kuçovë, Bardhyl Gjyzeli, ish-drejtori i Urbanistikës, Gentjan Islami dhe inxhinieri Gjergji Çërra dergohen për gjykim për “Shpërdorim Detyre” në Gjykatën e Beratit. Bashkë me ta në gjykim edhe qytetari që ata favorizuan në dhënien e lejes së një objekti, Arben Bilbili, që akuzohet për “Falsifikim dokumentash” dhe “Dëshmi të rremë”.

Bardhyl Gjyzeli, kryetari socialist nën drejtimin e bashkisë së Kuçovës në vitet 2011-2015 është dërguar për gjykim për “Shpërdorim Detyre” në Gjykatën e Shkallës së Parë të Rrethit Berat, së bashku me Drejtorin e Urbanistikës Gentjan Islami dhe inxhinierin urbanistik Gjergji Çërra, edhe këta në detyrë gjatë atyre viteve dhe të akuzuar për të njëjtën vepër penale.

Bashkë me ta në këtë dosje penale është edhe një qytetar nga Kuçova, Arben Bilbili ,i cili akuzohet për “Falsifikim Dokumentash” dhe “Deklarim të rremë para oficerit të policisë gjyqësore”. Procedimi penal me nr.806,në ngarkim të këtyre të pandehurve ndodhet prej disa ditësh në Gjykatën e Beratit, ku pritet tashmë hedhja e shortit dhe fillimi i gjykimit ndaj tyre. Kallzimi penal ndaj ish zyrtarëve të bashkisë Kuçovë dhe ndaj shtetasit Arben Bilbili ka filluar në datë 17 shtator 2019, pas denoncimit të bërë në Prokurorinë e Rrethit të Beratit nga dy qytetarët e Kuçovës, nënë e bir, Merjeme dhe Ervin Bilbili.

Ata akuzohen për dhënien e lejes së ndërtimit të një objekti dykatësh rreth 5-vite pasi ndërtimi kishte përfunduar. Sipas hetimeve të kryera nga prokurori Tasim Puci, rezulton se leja e ndërtimit është nxjerrë nga bashkia e Kuçovës pasi kishte përfunduar ndërtimi i objektit dhe se i gjithë dokumentacioni ku janë bazuar për të nxjerrë këtë leje, janë falso.

Në dosjen penale thuhet se në vitet 1992-1993 Merjeme Bilbili dhe bashkëshorti i saj Myfiti, që vdiq disa vite më vonë,kur të gjithë filluan të ndërtonin pa leje, kanë ndërtuar familjarisht një objekt në lagjen “Tafil Skëndo”, me funksion shërbimi “bar-kafe”. Më pas ata kanë ngritur edhe katin e dytë të ndërtesës, që ka përfunduar në vitet 1995-1996, duke menduar se do të fillonin proceset që të pajiseshin me dokumentacion të rregullt ligjor.

Në vitin 2004 ata janë njoftuar nga Drejtoria e Urbanistikës në bashkinë e Kuçovës në lidhje me mbledhjen që do të zhvillohej ,ku do të diskutohej pajisja me dokumenta e ndërtimeve që kishin bërë. Pas këtij njoftimi, ata ishin në pritje për të bërë dokumentacionet e duhura por në vitin 2005 lajmërohen nga bashkia Kuçovë se shtetasi Arben Bilbili kishte aplikuar për “regjistrim prone”, ku pjesë e dosjes është edhe leja e ndërtimit nr.34, datë 16.04.2008 dhe leja e përdorimit nr.312. datë 27.02.2015.

Pas rreth 9-muajsh hetime, prokurori Tasim Puci ka konkluduar se ekzistojnë prova të mjaftueshme që vërtetojnë se të akuzuarit: Bardhyl Gjyzeli, Gentjan Islami, Gjergji Çërra dhe Arben Bilbili kanë konsumuar elementet e veprën penale të “Shpërdorimit të Detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, ndërsa Arben Bilbili ka konsumuar elemente të veprave penale: “Falsifimim i dokumentave” dhe “Deklarimi i rremë para oficerit të policisë gjyqësore”, parashikuar nga nenet 186/1 dhe 305/b të Kodit Penal.



1 Comment

  1. Po noterja e kucoves kur do to hapet ceshtja se ajo I ka here te gjitha veprimet noteriale. Plus noterja e kucoves ne kundershtim me ligjin ka qene anetare e keshillit bashkiak per vite te tera me kohen e Bardh Gjjyzelit. Eshte denoncuar disa here po nuk e gjen gje…e mbron ministria e drejtesise

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *