• |
ide | kryesore

Lutfi Haziri do ti bashkohet Vjosa Osmanit në partinë e re

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit



Vjosa Osmani ka bërë të ditur se më nuk është pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe se po e shqyrton mundësinë e themelimit të një iniciative qytetare. Megjithëse nuk tha se me kë do të jetë në rrugën e re politike, mësohet se Osmani nuk është e vetme.

Burime të Mediafokus.info, portal i afërt me Lutfi Hazirin, kanë bërë të ditur se nënkryetari i LDK-së, Haziri dhe ish-nënkryetarja e partisë, Vjosa Osmani, para disa ditësh, në njërin nga lokalet e Prishtinës, kanë mbajtur një takim disaorësh, për t’i harmonizuar qëndrimet rreth rrugës së re politike, por pa LDK-në.

Haziri e Osmani, që janë dy figurat më të rëndësishme të LDK-së, pritet ta lëkundin partinë më të vjetër të Kosovës, kur edhe, siç mësohet, pritet ta bëjnë publike dyshen udhëheqëse të iniciativës së re qytetare.

Kryeparlamentarja Osmani tha të martën se kanë raporte shumë të mira me Hazirin, ndërsa në takimin e parë që e zhvilloi pas zgjedhjes në këtë pozitë, e përgëzoi të parin e Gjilanit që e bëri të mundur koalicionin LDK-VV.

“Falemnderit kryetar që e kreve punën e koalicionit. Mos t’kishe qenë ti, nuk pat me u kry”, i tha ajo Hazirit, në takimin që ishte zhvilluar në zyrën e këtij të fundit, në Gjilan.

Haziri, që prej kohës kur kjo e fundit është nominuar si kandidate për kryeministre nga radhët e LDK-së, është kujdesur të flasë në vazhdimësi në superlativ për “Nusen e Preshevës”.

“Nuk është marre me u rreshtu pas një gruaje. Përkundrazi, në rastin e Vjosa Osmanit është për mburrje. Beso!”, ka qenë njëri nga postimet e Hazirit, në profilin e tij në Facebook.

Sipas Gazeta Express, në zgjedhjet parlamentare të vitit 2010, Haziri ka këmbëngulur që Osmani të renditet në dhjetëshen e parë, ku edhe për herë të parë fitoi një vend në parlament.

Osmani ia ktheu ‘borxhin’ Hazirit, kur në një një tubim elektoral të vitit 2013, e kishte përkrahur fort.
Por, ata nuk i kanë pasur gjithmonë raportet e mira. Madje, më 11 shtator të vitit 2018, kishin polemizuar ashpër mes vete, nga distanca.

Acarimi i raporteve u ‘fashit’ shpejt dhe sot duket se do të rrugëtojnë bashkë, por jashtë partisë më të vjetër parlamentare të Kosovës.

Deri sot, nënkryetari i LDK’së nuk e ka thënë asnjë fjalë. Mediafokus.info shkruan se Lutfi Haziri pritet të deklarohet këto ditë rreth të ardhmes së tij politike.

Deri në këtë moment, vetëm deputeti Haxhi Avdyli e ka konfirmuar se do të largohet nga LDK për t’iu bashkuar nismës së re politike.

Përndryshe, nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, që ishte kumbara i koalicionit LDK-VV, ka qenë kundër rrëzimit të Qeverisë Kurti, ndërkohë që pak para se të zyrtarizohej si kryeministër, theksoi se nuk i beson Qeverisë Hoti.

“Kohëve të fundit jam më pak i angazhuar, sepse po ndërtohet një qeveri të cilës unë nuk i besoj. Një qeverie që i kam besuar më shumë, nuk arriti suksesshëm me e përballu mandatin”, – ka thënë Haziri për Mediafokus.info, më 2 qershor 2020.

Po ashtu, në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, ai ka votuar kundër shkarkimit të Vjosa Osmanit nga pozita e nënkryetares së partisë.



2 Comments

  1. SHUME SHPEJT DO TE JETE NJE QEVERI E RE ME ALBIN KURTIN KRYEMINISTER,DITMIR BUSHATIN OSE FATOS LUBONJA PRESIDENT-KURSE DULLA KOTI DO TE LEGALIZOJ MARTESEN ME RICHARD GRENELL thotë:

    BRAVO ZOTI LUTFI,SI DUKET DO TE MBETET VETEM DULLA KOTI ISA MORINA DHE BATON HAXHIU DHE HASHA

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *