• |
ide | kryesore

Ndalet futbolli: Liga kërcënon me bojkot absolut, Kokëdhima: “Nuk jemi ne që kemi skllavëruar futbollin, por qeveria ne”

-Instant, F1, Sport



Ka përfunduar me një vendim të rëndësishëm mbledhja e jastëzakonshme e Ligës Profesioniste: Nuk ka futboll pa u plotësuar nga Qeveria katër kushtet e kërkuara nga Liga profesioniste e futbollit. Ky është vendimi i pakthyeshëm i mbledhjes së jashtëzakonshme të klubeve të Superiores, që ka përshkallëzuar kështu krahun e hekurt me Qeverinë, duke mos u tërhequr aspak nga pozicioni që ka. Koco Kokëdhima, presidenti i Apolonisë dhe një prej anëtarëve të delegacionit të zgjedhur për të biseduar me Qeverinë ka shkuar rëndë me fjalët: “Sot presidentët e klubeve të Kategorisë Superiore vendosën në unanimitet të plotë që nuk do të rikthehen më në fushat e blerta, nuk do ta rinisin më kampionatin, deri në përmbushjen e kërkesave që i kemi parashtruar qeverisë. Ne nuk presim premtime, presim thjeshtë përmbushjen e kërkesave tona. Kërkojmë ato që i kanë të gjithë”.

Pikat që kërkojnë klubet janë ndryshimet në ligjin e sponsorizimeve, duke aplikuar sistemin e zbritjes nga tatim fitimi, pasi si funksionon deri më sot ka prodhuar zero sponsor në futboll, ose dicka më shumë. Një tjetër pikë është përfshirja e të gjitha veprimtarive ekonomike të klubeve të futbollit në TVSH-në e reduktuar në masë 6%, njësoj si sektorët e bujqësisë e turizmit. Ajo ku të gjithë bien dakord është falja e gjobave e kamat vonesave për detyrimet fiskale të klubeve, ndërsa në fund por jo për nga rëndësia zgjatja e periudhës së përjashtimit nga tatim fitimi mbi të ardhurat personale të futbollistëve nga 2 në 10 vjet.

Një vendim, që në rast se bie në vesh të shurdhët të qeverisë do të krijojë një tjetër handicap financiar për të gjithë të interesuarit, duke filluar nga futbollistët, stafet teknike e të gjithë ata që punojnë në botën e futbollit, por që për Kokëdhimën është një vuajtje që nuk mund të zgjasë përgjithmonë: Kjo vuajtje një ditë do të marrë fund. Lufta e drejt jep gjithmonë rezultate. Është tejkaluar çdo limit në Shqipëri, nuk mund të vazhdojë më kjo situatë. Palët duhet të marrin përgjegjësitë, qeveria duhet të marrë përgjegjësitë e veta, shteti të vetat, shoqëria të vetat, klubet të vetat, FSHF të vetat e kështu me radhë. Nuk mund të jetë bota e futbollit ashtu siç është rinia e vendit tonë, të braktisura nga qeveria dhe qeveritë e këtij vendi”.

Delegacioni i zgjedhur për të biseduar me qeverinë përbëhet nga Refik Halili, Gazmend Demi dhe Koço Kokëdhima, ndërsa Sekretari i përgjithshëm i Ligës, Dritan Kadia, do të negociojë me Fidel Yllin, që të lobojë pranë qeverisë për plotësimin e kushteve. Mbledhja e ardhshme, ku pritet të përshkallëzohe qëndrimet e Ligës, nëse kërkoesat nuk plotësohen, do të jetë pas datës 21 shtator.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *