• |
ide | kryesore

Historia/ Si i shpëtoi burgut Domart Konjari, superikërkuari i drejtësisë franceze

-Instant, Lajme, Të fundit



Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dënoi dje me 15 vite burg në mungesë Domart Konjarin, i arrestuar dhe gjykuar për një sërë veprash penale.

Ai akuzohet për “trafik ndërkombëtar droge”, “krijimi i organizatave kriminale”, por edhe një seri vrasjesh. Emri i Konjarit përmendet si i përfshirë direkt ose indirekt në disa vrasje për trafikun e drogës. Në dosjen e tij përmendet vrasja e 29 gushtit të vitit 1998, kur është ekzekutuar Gentian Dervishi, i njohur ndryshe me nofkën “Gent Kadaifi”. Vrasja ndodhi pranë Shkollës së Kuqe, në Tiranë. Më pas emri i Konjarit del në vrasjen e ndodhur në vitin 2003, në qytetin Rene të Francës, ku u vra Erion Murati për një mosmarrëveshje për trafikun e drogës. Lista e atentateve ku dyshohet se ishte përfshirë Konjari vijon me ngjarjen e 3 gushtit të vitit 2005 në Tiranë, ku u ekzekutua Fatjon Naxhaku.

LIRIMI NGA BURGU

Domart Konjari arriti të fitojë lirinë nga Gjykata e Apelit për Krime të Rënda, vendim i cili solli përplasje mes Shqipërisë dhe Francës. Ambasadori francez në Shqipëri në atë kohë reagoi ashpër ndaj drejtësisë shqiptare. Edhe ministri i atëhershëm i Drejtësisë, Ylli Manjani, kërkoi ndjesë për vendimin e Apelit, duke nisur një inspektim për mënyrën se si u ndryshua masa e sigurisë ndaj Konjarit. Por megjithatë Gjykata e Lartë në maj të vitit 2016 i dha të drejtë Apelit të Krimeve të Rënda duke rrëzuar rekursin e prokurorisë.

ARRESTIMI

Domart Konjari ishte person në kërkim kur më datë 04. 11. 2015, rreth orës 17:40, në pikën e kalimit kufitar Kapshticë, Korçë, janë paraqitur në hyrje shtetasit Elton Çela, si drejtues mjeti dhe shtetasi me dokumente me identitetin Arben Lazri, si pasagjer. Pasi punonjësi i policisë (kontrollori) ka vijuar procedurën e regjistrimit të shtetasve në pikën e kalimit ka evidentuar se me të njëjtin identitet, Arben Lazri, me numër personal të njëjtë, por me fotografi tjetër është i regjistruar në TIMS. Po ashtu, punonjësi i Policisë ka evidentuar se po i njëjti i asaj dite, shtetasi Arben Lazri, kishte dalje për në Greqi në orën 17:11. I intervistuar për këtë fakt, shtetasi i paraqitur me identitetin Arben Lazri i ka prezantuar faktin se pasi ka dalë në pikën e kalimit në territorin grek, nga punonjësit e kësaj pike është kthyer pas, sepse i kërkonin disa dokumente të tjera. Në këto rrethana shtetasi i paraqitur me këtë identitet ka kaluar për një kontroll më të detajuar në vijën e dytë dhe ndërkohë që shoqërohej nga punonjësi i Policisë për në zyrën përkatëse, shtetasi i paraqitur si Arben Lazri i ka premtuar punonjësit të Policisë për t’i dhënë 50 euro, me qëllim që të mos e vononin me procedurat e verifikimit, veprim të cilin e ka kundërshtuar punonjësi i Policisë dhe e ka bërë prezent si fakt tek eprorët e tij. Gjatë një verifikimi të hollësishëm të pasaportave lëshuar të njëjtit identitet dhe nga një verifikim i gjurmëve të gishtave të këtij shtetasi është evidentuar se shtetasi i paraqitur me identitetin Arben Lazri ka paraqitur identitet të rremë, pasi ky shtetas i përket identitetit të të pandehurit Domjart (Domart) Konjari i datëlindjes 11. 07. 1973.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *