• |
ide | kryesore

Përshkallëzohet protesta e klubeve: të shtunën kthehen në fushë… jo për të luajtur

-Instant, F1, Sport



Përshkallëzohet qendrimi i klubeve, pas vendimit të mbledhjes së jashtëzakonshme të Ligës së Futbollit, që konsiston në refuzimin për të luajtur më në fushë, pa u plotësuar katër kushtet e kërkuara ndaj Qeverisë. Kështu, të shtunën kanë ndërmend të zbresin në fushë, por jo për të luajtur. Ky rifillim nuk është aspak tregues i zgjidhjes së ngërcit mes Ligës Profesioniste të klubeve dhe Qeverisë, por një shenjë proteste, për të treguar se futbolli nuk mund të luhet në të tilla kushte. Klubet e kanë marrë në mënyrë unanime këtë vendim, gjë që e tregon edhe ndryshimi i planeve, si në rastin e Partizanit, që do kthehet të premten nga Ohri. Sipas asaj që ka mësuar RTSH Sport, bëhet fjalë për skuadrat që do të zbresin në fushë, por pa pasur qëllim të luajnë e në shenjë proteste do të rikthehen në dhomat e zhveshjes.

Sidoqoftë, në kohën kur është marrë ky vendim, delegacioni i përzgjedhur nga klubet, i formuar nga Presidenti i Partizanit Gazmend Demi, ai i Tiranës Refik Halili dhe ai i Apolonisë Koço Kokëdhima, janë duke lobuar me ndihmën e Fidel Yllit, përfaqësuesit të Qeverisë, për të negociuar direkt dhe vetëm me Kryeministrin Rama. Gjithësesi, edhe në këtë tryezë, për të cilën ende nuk ka shenjë që palët do ulen së shpejti, i panegociueshëm është plotësimi i pikave, si e vetmja mënyrë që futbolli të rikthehet.

Ajo cfarë kërkon futbolli, është ndryshimi në ligjin e sponsorizimeve, duke aplikuar sistemin e zbritjes nga tatim fitimi. Një tjetër pikë është përfshirja e të gjitha veprimtarive ekonomike të klubeve të futbollit në TVSH-në e reduktuar në masë 6%, njësoj si sektorët e bujqësisë e turizmit. Ndërsa, ajo ku të gjithë bien dakord është falja e gjobave e kamat-vonesave për detyrimet fiskale të klubeve. Në fund, por jo për nga rëndësia, është zgjatja e periudhës së përjashtimit nga tatim fitimi mbi të ardhurat personale të futbollistëve nga 2 në 10 vjet.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *