• |
ide | kryesore

Veton Surroi: Dhjetë pika për të kuptuar gjithçka nga marrëveshja Kosovë-Serbi

-Instant, Arkiva, Ide, Kryesore, Lajme



Një analizë e shkurtër e rrjedhës së negociatave Kosovë-Serbi

Negociatat mes Kosovës dhe Serbisë po hyjnë në një nivel të ri të shpejtësisë dhe thellësisë. Për shumicën e qytetarëve të Kosovës, përfshirë tërë Kuvendin e Kosovës dhe shumicën dërrmuese të Qeverisë, është pothuajse e paqartë se për çka po negociohet. Ndoshta këto vërejtje sqaruese, prej një personi të përfshirë në negociatat paraprake, mund të ndihmojnë.

1. Vuçiqit duhet besuar…

Presidentit të Serbisë, Vuçiq, duhet besuar kur thotë se në “dialogun me Prishtinën” Serbia nuk ka hyrë për “njohje të ndërsjellë” dhe se nuk e ka ndërmend ta njohë pavarësinë e Kosovës. Ky është një qëndrim konsekuent të cilin e ka mbajtur ç’prej kohës kur ishte zëvendëskryeministër i Serbisë, dhe nga Marrëveshja e Brukselit më 2013 hoqi formulimin e propozuar nga ndërmjetësit evropianë e të pranuar nga kryeministri i atëhershëm Daçiq për të drejtën e anëtarësimit të Kosovës në OKB.

Pra, kur presidenti i Serbisë thotë se nuk e ka ndërmend ta njohë Republikën e Kosovës, përfaqësuesit e Kosovës nuk kanë pse dhe si t’ua shpjegojnë qytetarëve të vet se ai në të vërtetë mendon ndryshe.

2. Karota e madhe që mungon

Konteksti i negociatave Serbi-Kosovë prej vitit 2011 e këtej ka qenë një nënkuptueshmëri se të dy vendet duan të jenë anëtare të BE-së, dhe për t’u bërë duhet të zgjidhin problemet e ndërsjella, pra të arrijnë marrëdhënie normale mes dy shteteve të pavarura. Nënkuptueshmëria nuk përbën mjet të duhur presioni apo nxitje: sot për sot, pas nëntë vjetësh, Serbia nuk mund ta dijë se kur mund të jetë anëtare e BE-së, e Kosova edhe më pak. Serbia nuk ka kurrfarë motivacioni për të këmbyer njohjen e pavarësisë së Kosovës me anëtarësim në BE, për arsye të thjeshtë, se ky anëtarësim mund të mos jetë fare në agjendë në dhjetë vjetët e ardhshëm.

Në mungesë të karotës së madhe, Serbia ka shfrytëzuar karotat e vogla. Prej vitit 2011, Serbia ka përmirësuar dukshëm ekonominë e saj, është shndërruar në fuqi ushtarake regjionale, dhe prej shtetit të izoluar në marrëdhëniet me Perëndimin është bërë një shtet që respektohet prej vendeve kryesore të BE-së, tash edhe prej SHBA-së. Të gjitha këto i ka arritur jo duke thënë se do ta njohë pavarësinë e Kosovës, por duke thënë se nuk do ta njohë. Serbisë po i shpaguhet pozicioni të cilin e ka marrë dhe i konvenon të vazhdojë me karota të vogla, derisa të paraqitet, kurdo të paraqitet, karota e madhe.

3. Një gjeopolitikë e re

Gjatë dhjetëvjetëshit të kaluar të negociatave Kosovë-Serbi, Serbia ka shfrytëzuar garën gjeopolitike në Evropë. I ka afruar fuqitë joevropiane, Rusinë e Kinën në radhë të parë, por edhe Turqinë, si baraspeshë ndaj Perëndimit. “Perëndimi”, ndërkaq, ka pësuar transformim: nuk ekziston, së paku përkohësisht, boshti SHBA-Evropë në shumicën e çështjeve evropiane, ndërkohë që BE-ja po transformohet me largimin e Britanisë së Madhe.

Serbia ka kaluar prej pozicionit të palës prej së cilës kërkohet diçka në palë së cilës i ofrohet diçka: BE-ja tashmë është disa vjet në pozicion të joshjes së Serbisë më afër saj, në mënyrë që të mos i afrohet Rusisë. Kosova, ndërkaq, është tash në pozitë të shtetit prej të cilit kërkohet diçka që ta akomodojë Serbinë, dhe këto negociata janë të formuluara me këtë parim.4. Përputhja ruse

Deklarimi i presidentit Vuçiq se nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës përputhet po ashtu me interesin e Rusisë që në Ballkanin Perëndimor të mbeten çështje të papërmbyllura. Përderisa ka çështje të hapura, Rusia mund të gëzojë rol gjeopolitik; në çështjen e Kosovës, interesi strategjik i Rusisë është që të mos ketë marrëveshje me Serbinë që do t’i shpjerë të dy vendet drejt Perëndimit. Pra, interesi i Rusisë është që të ketë, në rastin më të keq, një marrëveshje të ndërmjetme mes Kosovës dhe Serbisë që çështjen ta çojë më tutje në vlerësim në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

5. Dobësimi i Kosovës (1)

Gjatë dhjetëvjetëshit të fundit pozitat negociatore të Kosovës dhe Serbisë kanë qenë të një asimetrie në rritje. Serbia ka shënuar një stabilitet gjithnjë e më të madh politik, Kosova ka pësuar destabilizim gjithnjë më të madh politik. Gjatë dhjetë vjetëve Kosova është sunduar nga një aleancë mes krimit të organizuar, korrupsionit dhe paaftësisë negociatore. Për më tepër, bashkësia ndërkombëtare paralelisht me negociatat me Serbinë ka formuar, në bashkëpunim me paaftësinë politike kosovare, Gjykatën Speciale. Gjatë dhjetë vjetëve Kosova ka negociuar duke pasur kërcënimin objektiv të Gjykatës; në muajt në vijim është duke negociuar, ndërsa pritet të ngrihen aktakuzat kundër presidentit të vendit dhe personaliteteve të tjera politike.

6. Dobësimi i Kosovës (2)

Prej vitit 2011 Kosova ka pranuar të marrë pjesë në çfarëdo që i është kërkuar. Më 2011 ka pranuar që të rihapet i tërë procesi Ahtisaari, dhe dy vjet më vonë pranoi Bashkësinë e komunave serbe si rrafsh të tretë të pushtetit, në kundërshtim me Kushtetutën e vendit. Ky zotim u ratifikua në Kuvend dhe dy vjet më vonë u ripranua po në Bruksel.

Siç u pa në Washington, pushteti i Kosovës është në gjendje të zhvillojë negociata për çdo gjë dhe të pranojë çfarëdo që t’i kërkohet.

Kjo e vendos vendin në pozitë dobësie negociatore, dobësi që do të sfidohet edhe më tej në Bruksel.

7. Ahtisaari plus

Procesi negociator nëpër të cilin po kalon tash Kosova me ndërmjetësimin e M. Lajçakut është rivizatim i çështjeve tashmë të negociuara në ato të Vjenës më 2006 dhe 2007, me ndërmjetësimin e presidentit Ahtisaari. Konceptualisht, kjo e vë Kosovën në pozitë të vazhdimësisë së koncesioneve, vazhdimësisë së filluar që para negociatave, me decentralizimin e komunave në baza etnike.

Kjo, po ashtu, i vë negociatat në mundësinë e kurthit të njëjtë çfarë u përjetua në Vjenë. Asokohe, ndonëse me parime udhëheqëse, presidenti Ahtisaari i vijoi negociatat me premtimin e Rusisë se do të pajtohej me rezultatin e tyre. Rusia u tërhoq në momentin e fundit, ndonëse kishte qenë pjesë aktive e negociatave. Këso here, pa parime udhëheqëse, ndërmjetësi M. Lajçak shpreson se Serbia (dhe Rusia) do të pajtohen me rezultatin përfundimtar të negociatave. As Serbia e as Rusia nuk kanë kurrfarë motivi, qoftë si joshje, qoftë si presion, për ta bërë.

8. Faktori i panjohur SHBA

SHBA-ja me presidentin Trump ka hequr dorë prej rolit tradicional të zgjedhjes së problemeve të “forta” të sigurisë, çfarë është konflikti i papërfunduar mes Kosovës dhe Serbisë. Në marrëveshjen e Washingtonit u tregua interesim për çështje dytësore e të dorës së tretë. Nëse zgjedhjet presidenciale e vazhdojnë mandatin e presidentit Trump, atëherë mund të jenë edhe vazhdues të këtij roli jovendimtar të SHBA-së. Në rastin e fitores së kandidatit Biden, SHBA-ja mund të ketë politikë të re të jashtme, më afër asaj tradicionaleje e vendimtareje në çështjet e vështira në Evropë dhe gjetiu. Por, në rastin më të mirë, vendi do të ketë një administratë funksionale në politikë të jashtme deri në fundpranverë apo fillimverë të vitit të ardhshëm. Kjo do të thotë se procesi i ndërmjetësuar nga M. Lajçak do të jetë kryesori dhe pa ndonjë shtytje për ndryshim.

9. Kosovën mund ta ndihmojë vetëm vetja

E vetmja gjë që mund ta ndihmojë Kosovën është vetja. Janë dy gjëra themelore që duhet t’i bëjë, dhe që të dyja janë të lidhura mes vete. Së pari, duhet të definojë se si do të krijojë rrugëtim tjetër negociator prej këtij ku është nisur tani me inerci e ku do të përfundojë me një rezultat të parashikueshëm, jopozitiv. Së dyti, duhet të definojë se si të përfshijë një përkrahje të madhe politike, pothuajse konsensuale, për atë rrugëtim, në mënyrë që sa më shumë forca politike në vend të marrin përgjegjësi për procesin, i cili tani menaxhohet nga hollësia më e madhe e mundshme e një koalicioni i cili ka fuqinë më të hollë të mundshme qeverisëse.

© KOHA



4 Comments

  1. Shkrim i sakte politikan si Thaçi e mustaf spiuni Kosova ka humbur 1 qeveri qe qendrone me votat e serbëve çfarë munde te presesh

  2. Me Dora Bakojanis kemi kaluar shumë momente bisedash, është një zonjë shumë serioze. Nuk është një njeri që bën blof, nuk provokon, një diplomate shumë klasike, e një stature që duhet marrë seriozisht.Kam bindjen të them se Dora Bakojanis nuk flet kot.Besnik Mustafaj

  3. Pasluftë. Kosova udhëhiqet nga misioni ndërkombëtar i UNMIK-ut. Dhe, si çdo administratë e vendosur në një vend të huaj edhe UNMIK-u kishte nevojë për shqiptarë. Shumica punësoheshin si përkthyes. Të tjerë në pozicione tjera me më shumë rëndësi. Ndër ata që ishin bërë pjesë e këtij misioni ishte edhe Argita Berisha, bija e Sali Berishës. Si bija liderit opozitar të Shqipërisë, natyrisht që ajo do të binte në sy. Do të dallohej nga të tjerët, me apo pa dëshirën e saj. Por, më shumë se për këtë të fakt të kontrollueshëm, ajo do të binte në sy për një dëshirë të saj pothuaj të pakontrollueshme. Argita donte shumë që ta vizitonte Beogradin. Kishte bërë disa herë kërkesa, por i ishin refuzuar. Megjithatë, pas një kohe insistimi i saj shpaguhet. I mundësohet vizita në Beograd. Bashkë me të udhëton edhe Nje kolege perkthyes nga Kosova. Entuziazmi i Argitës gjatë vizitës në Beograd ishte gati i pabesueshëm, do të tregonte më vonë Kolegu i Argites. Ajo ishte e mrekulluar nga qyteti. “Do t’ia kryej porosinë nënës Milicë, ta vizitoj parkun, qendrën e qytetit, Hotel Moskën dhe kam për t’i ble edhe “tentene””, i kishte thënë ajo para se të niseshin. I habitur nga ajo që kishte dëgjuar, ai instinktivisht e kishte pyetur: Ti nënën nga Beogradi e ke? Po, do të pohonte ajo, pa dhënë më shumë shpjegime.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *