• |
ide | kryesore

Video/ Wolfsburg kualifikohet, jo pa drithërima: Kukësi humb pernallti e godet traversën

-Instant, F1, Sport, Video



Ishte një ndeshje si Davidi kundër Goliathit e askush nuk u cudit që në Air Albania përballë Kukësit fitues doli 0-4 Wolfsburg, që kualifikohet në raundin e tretë të Europa League. Gjermanët kishin status e kualitet që të bënte të frikësoheshe, por skuadra e Gegës luajti me kokën lart, duke përdorur faktin që nuk kishte asgjë për të humbur si armën më të mirë. E në fakt Wolfsburg u kualifikua, por jo pa drithërima me Rrocën që humbi një penallti e Gashi që tronditi traversën.

Elezaj në portë në vend të Xhikës ishte ndryshimi nga sfida e raundit të parë, por të imponohesh kundër Wolfsburg është e pamundur, edhe pse Kukësi e provoi. Telushi me goditje dënimi, por edhe ndonjë inisiativë e Eze japin idenë se verilindorët duan ta luajnë. Por fati nuk është me ta e në minutën e 20 i jep avantazhin kundërshtarit. Obanor u mundua të largojë rrezikun, por topi përplaset në trupin e Telushit dhe përfiton Veighorst që shënoi golin e parë. Sulmuesi me vlerë 30 milionë euro është gjithnjë lider i Ujqve.

Asgjë nuk ndryshoi në mentalitetin e skuadrave, sepse Kukësi nuk u drojt nga goli i pësuar dhe provoi të shtyhej përpara, por u ndëshkua përsëri nga një dalje e gabuar e portierit Elezaj, që i lejoi Lacroix të shënonte të dytin në minutën e 32. Kukësi tregon se është në fushë edhe pasi mori goditjen e dytë e në fakt mund të futej në lojë dy minuta më pas, kur Rroca fitoi penallti, por e shpenzoi po vetë, duke u magjepsur nga portieri Casteels.

Në pjesën e dytë Kukësi kishte një tjetër mundësi, por në të 57 Gashi ishte i pafat me topin që u ndal nga traversa. Dy raste të shpenzuara e gjermanët nuk mund të lejojnë tjetër shans për ti lejuar kundërshtarit të rikthehen në lojë, kështu që weghorst shënoi dygolshin personal dhe të tretin për Wolfsburg 15 minuta nga fundi i takimit.

Në fund ka lavdi edhe për Mehmedin, që shënoi golin e katërt për gjermanët, që shkojnë qetësisht në raundin e tretë të Europa League dhe janë kandidatët e mëdhenj për kalimin në fazën e grupeve të kompeticionit.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *