• |
ide | kryesore

Me një numër të pazakontë, prezantohet Kulusevski: “Dua të fitojë gjithnjë, do mësoj nga Ronaldo”

-Instant, Sport



Dejan Kulusevski ka zgjedhur fanellën numër 44, atë që mban përsipër aventurën e re me bardhezinjtë. Sigurisht i ka idetë e qartë për objektivët e tij: “Kam ardhur këtu për tu përmirësuar brenda e jashtë fushës. Sa herë zbres në fushë dua të bëhem më i fortë se një ditë më parë. Pastaj jam këtu për të fituar ndeshjet, për të ndihmuar shokët e të bëj të lumtur tifozët. Jam me fat që jam tek Juventus e dua të fitoj kampionatin, dua të fitoj cdo ndeshje në stërvitje e zyrtare”.

Në konferencën e shtypit të prezantimit, sulmuesi suedez ka folur edhe për ndeshjen e ardhshme me Sampdoria e emocionin për të luajtur me Cristiano Ronaldon: “Të dielën është një ndeshje shumë e rëndësishme, jam i gatshëm të luaj nëse trajneri më fut në fushë. Do të jetë e para dhe mezi pres të luaj. Cristiano është fantastik, jam me shumë fat, mund të mësoj prej tij e të luaj me të. Eshtë shumë tip, flet me të gjithë e kemi folur shumë edhe për gjëra jashtë fushës, më ndihmon ti bëj gjërat në mënyrën më të mirë e shpresoj ta ndihmoj në fushë”.

Një tjetër temë e nxehtë është pozicioni në fushë: “Kam luajtur në shumë role në këto vite e të them të vërtetën, aty ku të më vendosë trajneri do të ketë të drejtë. Kështu, ku të më vendosë do të luaj, si në mesfushë, i jashtë, qendërsulmues, sulmues i dytë, fantazist, varet kundër kujt luajmë e si luajmë. Unë ndihem mirë në të gjithë rolet e nuk ka një që ta preferoj”. Nëse flitet për Suedinë, nuk mund të mos flitet për lojtarin më përfaqësues të vendit të tij: “Ibra ka hapur dyert që askush nuk i kishte hapur më parë në Suedi. Ka qenë idhulli im sepse e dimë të gjithë cfarë ka bërë në karrierë. Më ka shkruar, kemi folur e ishte e rëndësishme për mua. Nuk do kisha menduar kurrë kur isha i vogël se mund ti flisja”.

Të luash tek Juventus është një përgjegjësi e madhe: “Cdo ditë është një luftë, nëse nuk je plotësisht i përqendruar, të gjithë e shohin, nuk mund të mendosh tjetër gjë, këtu duhet të jesh në 100% e të përmirësohesh. Pirlo? Si lojtar më kujtohet që e kam parë shumë, si trajner është njësoj, është fantastik, shumë i qetë. Është një nder të stërvitesh prej tij, më flet shumë, më ndihmon shumë e jam me shumë fat që e kam për trajner, më jep këshilla të vogla që bëjnë diferencën”.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *