• |
ide | kryesore

Grenell u përgjigjet akuzave të Vetëvendosjes për marrëveshjen Kosovë – Serbi

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit



I dërguari Special i Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell është shprehur krenar për arritjen e marrëveshjes ekonomike mes të Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë. Kritikat e Vetëvendosje i quan me natyrë politike dhe thekson se koha do të tregojë se marrëveshja ishte e duhura.

“Është një kritikë e pavend. Marrëveshja ekziston dhe zbatimi po fillon. Kjo është ditë shumë e mirë”, – tha Grenell pas takimit me kryeministrin Avdullah Hoti.

“Unë e kuptoj që njerëzit politikë dëshirojnë që të jenë politikë dhe të jenë kritikë. Ne jemi super-krenarë për këtë marrëveshje dhe me kalimin e muajve dhe viteve do ta shihni që këto nuk janë deklarata boshe”, – theksoi ai.

Me marrëveshjen e nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë, Kosova është pajtuar që brenda një viti të mos kërkojë anëtarësim në organizata ndërkombëtare, kurse Serbia në anën tjetër, ka rënë dakord që brenda një viti të ndalë fushatën për çnjohjen e pavarësisë së Kosovës.
Në bazë të marrëveshjes, Kosova do t’i bashkohet “zonës së mini-Schengenit”, që është krijuar më 2019 dhe ku tashmë marrin pjesë, Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.

Në marrëveshje gjithashtu përmendet edhe Liqeni i Ujmanit, ku thuhet se palët do të punojnë me Departamentin amerikan të Energjisë për një studim fizibiliteti, me qëllim të përdorimit të përbashkët të këtij liqeni, si furnizues i sigurt i ujit dhe energjisë.
Kosova dhe Izraeli e pranuan njëra – tjetrën dhe se Serbia do ta zhvendosë ambasadën nga Tel Aviv në Jerusalem.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *