• |
ide | kryesore

Show me projektin për Teatrin, KPP rrëzon ankimimin për tenderin, i jep të drejtë Bashkisë

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit



Komsioni i Prokurimit Publik ka rrëzuar ankimimin e  “Gjeokonsult & Co” sh.p.k. & “Archispace” sh.p.k depozituar pranë tij për procedurën e “Studim-Projektim “Ndërtim i Teatrit Kombëtar me autoritet kontraktor Bashkinë e Tiranës.

Në vendimin e zbardhur së fundmi Komisioni nënvizon se nga ana e kompanisë që ka kërkuar të shohë vlerësimin e ofertës teknike nga Komisioni përkatës si dhe të sigurojë procesverbalin për këtë vlerësim nuk është respektuar afati kohor për të bërë ankesën.

“Referuar materialeve të administruara, përkatësisht dokumentacionit të dorëzuar nga BOE ankimues, pjesë e ankimit pranë Komisionit të Prokurimit Publik, konstatohet se është dorëzuar gjithashtu edhe akti administrativ nr.28483/1, datë 31.08.2020, trajtim i ankesës së autoritetit kontraktor, në të cilin konstatohet se Komisioni i Shqyrtimit të Ankesave, ngritur pranë këtij të fundit, nuk ka pranuar ankesën e ankimuesit, pasi kjo e fundit nuk është paraqitur brenda afateve ligjore pranë autoritetit kontraktor” thuhet në vendim.

Vonesa në paraqitjen e ankimimit duket se ka bërë që edhe Komisioni i Prokurimit Publik të mos e marrë parasysh atë duke rrëzuar këtëë dhe duke lënë në fuqi vendimin e Bashkisë së Tiranës që ende nuk ka bërë publik emrin e kompanisë fituese që do të bëjë studimin e dhe projektimin e Teatrit Kombëtar.

“Duke mbajtur në konsideratë faktin që, sipas ligjit në fuqi, shqyrtimi administrativ i nënshtrohet dy fazave: asaj të shqyrtimit paraprak (në të cilin vlerësohen forma e ankimit, legjitimimi, juridiksioni, kompetenca dhe nuk i jepet zgjidhje në thelb ankimit) dhe asaj të shqyrtimit në themel të ankimit, në rastin në fjalë, ankimi administrativ i paraqitur nga operatori ankimues pranë Komisionit të Prokurimit Publik nuk mund të konsiderohet si ezaurim i afateve ligjore që duhet të ndjekë një ankim administrativ pasi, për faj të vetë ankimuesit, ankimimi nuk është realizuar sipas kritereve të domosdoshme të përcaktuara në ligjin nr. 9643, datë 20.11.2006 “Për prokurimin publik” thuhet në vendim.

Vendimi i KPP i ka hapur rrugë Bashkisë që të vazhdojë me procedurat e saj që do të thotë lidhje kontrate me operatorin fitues si dhe autorizimin e kësaj të fundit për të nisur studim-projektimin për Teatrin e ri Kombëtar.

Tenderi për studim-projektim të Teatrit

Bashkia e Tiranës u përzgjodh si institucioni që do të zhvillonte dhe ndiqte të gjitha procedurat e ndërtimit të Teatrit të ri Kombëtar. Me një vendim të veçantë, qeveria i kaloi atributet Bashkisë duke i dhënë edhe truallin që më herët ishte tek asetet e Ministrisë së Kulturës. Në korrik, bashkia nisi procedurën ku kërkonte një kompani private që do të bënte studimin dhe projektimin me një fond limit 60.3 milionë lekë.

Objekti i studimit dhe projektimit do të ishte ndërtimi i godinës së re të “Teatrit Kombëtar”, propozohet për ndërtim në truallin ekzistues, sipas të gjitha standardeve kombëtare dhe ndërkombëtare të projektimit të objekteve të ngjashme.

“Në arkitekturën e godinës së teatrit duhet të pasqyrohet jo vetëm koncepti bazë i të projektuarit sipas standardeve, por edhe kërkesat urbanistike- arkitektonike të vendit tonë, si dhe arkitektura me materialet bashkëkohore. Arkitektura e jashtme e teatrit përcaktohet para së gjithash nga ndërtimi vëllimor i tij, në të cilën duhet të jetë pasqyruar përmbajtja e brendshme, struktura e godinës dhe rëndësia urbanistike. Sallat e mëdha të teatrit që përbëjnë bazën kompozicionale të godinës duhet të shprehen qartë në formën e tij të jashtme duke u bërë kështu elementi kryesor formulues i fasadës.

Ndërtimi logjik dhe i lirë i volumeve të godinës, përpjesëtimet e tyre dhe lidhja organike me sheshin e ndërtimit janë drejtimet kryesore sipas të cilave duhet të zhvillohet arkitektura e godinës së teatrit. Arkitektura, duke plotësuar kërkesat funksionale, duhet të plotësojë njëkohësisht edhe kërkesat estetike, prandaj zgjidhja e interierit të sallës së shfaqjeve si ambient i brendshëm hapësinor duhet t’i plotësojë të dyja këto kërkesa”, thuhet tek specifikimet teknike ku përfshihen edhe detaje të tjera.



1 Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *