• |
ide | kryesore

UN75: E ardhmja që duam, OKB-ja që duam

-Instant, Lajme



Mes pandemisë së KOVID-19, Kombet e Bashkuara nisën konsultimet globale për të shënuar 75-vjetorin e tyre. Përmes anketash dhe dialogjesh, ato i pyetën njerëzit për shpresat dhe frikërat e tyre për të ardhmen, gjë që përbën përpjekjen më ambicioze të Kombeve të Bashkuara deri më sot për të kuptuar pritshmëritë e tyre nga bashkëpunimi ndërkombëtar dhe nga Kombet e Bashkuara në veçanti.

Kjo ishte, gjithashtu, edhe anketa më e madhe deri më sot në lidhje me prioritetet e rikuperimit nga pandemia e KOVID-19. Deri më 21 shtator 2020 kanë marrë pjesë më shumë se një milion vetë nga të gjitha vendet dhe nga të gjitha fushat e jetës. Përgjigjet e tyre thellohen tek ajo çka dëshiron publiku në këto kohë shumë të vështira për botën. Ato po bëhen të njohura sot, ditën që përkon me përkujtimin zyrtar nga Asambleja e Përgjithshme të 75-vjetorit të Kombeve të Bashkuara nën logon: e ardhmja që duam, OKB-ja që duam.

Të anketuarit nga të gjitha rajonet, moshat dhe grupet sociale ishin gjerësisht të bashkuar në prioritetet për të ardhmen. Mes krizës aktuale të KOVID-19, prioriteti më i afërt për pjesën më të madhe të të anketuarve ishte përmirësimi i aksesit në shërbimet bazë – kujdes shëndetësor, kanalizime, ujë të sigurt dhe arsim, pasuar me rritjen e solidaritetit ndërkombëtar dhe rritjen e mbështetjes për më të prekurit. Këtu përfshihet edhe adresimi i pabarazive dhe rikrijimi i një ekonomie më gjithëpërfshirëse. Sa i takon së ardhmes, shqetësimet më dominuese janë kriza klimatike dhe shkatërrimi i mjedisit natyror.

Prioritete të tjera janë: garantimi i një respektimi më të madh të të drejtave të njeriut, zgjidhja e konflikteve, adresimi i varfërisë dhe ulja e korrupsionit. Mbi 87% e të anketuarve besojnë se bashkëpunimi global është jetësor për adresimin e sfidave të sotme dhe se pandemia e ka bërë edhe më urgjente nevojën për bashkëpunim ndërkombëtar. 75 vjet pas themelimit, gjashtë në dhjetë të anketuar besojnë se OKB-ja e ka bërë botën një vend më të mirë.

Sa i takon së ardhmes, 74% e shohin OKB-në si ‘thelbësore” në adresimin e këtyre sfidave. Megjithatë, të anketuarit duan që OKB-ja të ketë ndryshime dhe risi: të jetë më gjithëpërfshirëse e diversitetit të aktorëve në shekullin e 21-të dhe të bëhet më transparente, më e përgjegjshme dhe më efikase.

“Gjatë gjithë këtij viti përvjetori, jemi angazhuar në një bashkëbisedim global. Dhe rezultatet janë mbresëlënëse. Njerëzit mendojnë thellë – ata shprehin, gjithashtu, edhe një dëshirë të madhe për bashkëpunim ndërkombëtar dhe solidaritet global. Tani është momenti që t’u përgjigjemi këtyre aspiratave dhe t’i përmbushim këto qëllime. Në këtë përvjetor të 75-të, jemi përballë momentit tonë të 1945-ës. Dhe ne duhet t’i përgjigjemi këtij momenti. Duhet të demonstrojmë unitet si kurrë më parë për kapërcimin e emergjencës së sotme, ta bëjmë botë që të lëvizë, të punojë e të begatohet sërish dhe të ruajmë vizionin Kartës”. – u shpreh Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të bashkuara, António Guterres.

Deri më sot, në këtë anketë një-minutëshe kanë marrë pjesë më shumë se 1 milion vetë në të gjitha Shtetet Anëtare dhe Vëzhguese të OKB-së dhe janë zhvilluar më shumë se 1,000 dialogje në 82 vende të botës. Përveç kësaj, 50,000 vetë nga 50 vende morën pjesë në anketimin e pavarur nga Edelman dhe Pew Research Center dhe u krye analiza e inteligjencës artificiale të mediave sociale dhe atyre tradicionale në 70 vende, së bashku me hartëzimin kërkimor akademik she shkencor në të gjitha rajonet. Së bashku, ato përfaqësojnë përpjekjen më ambicioze të OKB-së për realizimin e një verifikimi të realitetit në shkallë globale dhe për të dëgjuar nga “ne, njerëzit” mbi prioritetet dhe zgjidhet e sugjeruara të sfidave globale, duke dhënë kështu përgjigje të thelluara mbi të ardhmen që duam dhe OKB-në që na duhet.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *