• |
ide | kryesore

“Jam kundër bojkotit, por nuk ka rrugë tjetër” Presidenti i FSHF presion për Ligjin e Sponsorizimit

-Instant, F1, Sport



Liga Profesioniste e Futbollit dhe FSHF kanë bërë një tjetër lëvizje në kërkim të zhbllokimit të ngërcit të krijuar mes futbollit dhe Qeverisë që ka sjellë bojkotin për javën e tretë radhazi të sportit më popullor në vend. Në konferencën për mediat ku janë prezantuar propozimet e saj për ligjin e sponsorizimit si edhe kërkesat e tjera të Ligës drejtuar Kryeministrit numri 1 i Ligës, Edvin Libohova, shpjegoi edhe thelbin e kërkesave të klubeve dhe theksoi faktin se nga këto ndryshime ligjore përfiton i gjithë sporti shqiptar: “Një grup pune i përbërë nga ekspertë ka punuar këto ditë dhe ka përgatitur një kornizë të plotë me propozime konkrete se si duhet të jetë legjislacioni në mbështetje të sportit dhe jo vetëm futbollit. Zemra e paketës ligjore është Ligji i Sponsorizimit pa përjashtuar edhe faktorët e tjerë. Ligji bazë i Sponsorizimit do të ndihmojë në zhvillimin, në fuqizimin dhe në mbështetjen e sportit që sporti të zërë vendin që i takon në një ekonomi të zhvilluar, në një shtet demokratik”, – tha Libohova.

Në të njëjtën linjë ka qenë edhe Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, i cili analizoi 4 kërkesat që i kanë bërë qeverisë, duke i sqaruar me detaje e duke u ndalur veçanërisht te propozimet për ligjin për sponsorizimit, por edhe te përfitimet që do të ketë sporti shqiptar në përgjithësi dhe fëmijët në të ardhmen: “Ne kemi bërë 4 kërkesa dhe kryesorja nga këto është Ligji për Sponsorizimin, siç e thashë që qeveria të shprehë një vullnet. Deri sot nuk ka legjislacion fiks për të zhvilluar, nuk ka një strategji aq më pak, nuk ka një institucion për sportin në Shqipëri. Nga këto katër kërkesa që ka bërë Liga, e para dhe më e rëndësishmja është Ligji i Sponsorizimit. Nëpërmjet tij ne tentojmë që të aktivizojmë biznesin shqiptar në sport, që atraksioni që mund t’i japë sporti biznesit, të ketë mundësi që të gjenerojë disa para për të rritur cilësitë sportive, për të rritur masivitetin, për të përmirësuar infrastrukturën dhe pse jo këto të kthehen shumë më shumë në buxhetin e shtetit në të ardhmen. Siç e thashë edhe në fillim, përpjekjet tona nuk kanë filluar sot dhe Liga nuk mori një vendim për bojkot pa pasur një lëvizje të mëparshme”, – tha Presidenti Duka, duke shtuar se që në vitin 2016, kur Shqipëria pati sukses dhe mori pjesë në Europianin e Francës, vëmendja për sportin dhe për futbollin kryesisht u bë akoma më e madhe dhe pikërisht në atë kohë edhe vetë politika dukej sikur kishte vullnetin për të bërë ndonjë gjë më tepër.

Duka është futur në sistem krahasimor, duke marrë shembull vendet e rajonit: “Ligji që ne propozojmë është i thjeshtë, i prekshëm dhe jep rezultat. Nuk do të japë rezultatin maksimal, padyshim që do kohën e vet, por jep rezultat. Nuk është shpikje, është njëlloj kopje e fqinjëve tanë, mos shkojmë më larg. Ne i kemi propozuar qeverisë dhe mund të heqim dorë nga kjo që themi sot nëse qeveria pranon propozimin tonë të parë, ligjin hungarez, por është konsideruar si një ligj që do të gjenerojë shumë para. Atëherë propozojmë ligjin e Kosovës, ligjin e Maqedonisë, që janë e njëjta gjë. Që do të thotë, 30 për qind e tatimit të bizneseve të ketë të drejtë të shkojë për sponsorizim. Kjo nuk do të thotë që i gjithë 30% i tatimit të buxhetit shqiptar do të sponsorizohet në sport”.

“Sipas shifrave të 2020 – vazhdoi Duka -, tatimi mbi fitimin në buxhetin e shtetit është 280 milionë euro. Ne propozojmë, që jo i gjithë tatimi, por vetëm 30% e tatimit të bizneseve që prodhojnë më shumë sesa 20 milionë lekë të reja fitim dhe kjo shifër në buxhetin e shtetit shqiptar të parashikuar të këtij viti, që ka gjasa të mos realizohet është i barabartë me 165 milionë euro. Dhe 30% e tij është një vlerë maksimale 50 milionë euro. Kjo është një vlerë ideale, që do të thotë i gjithë 30% të realizohet. Nuk ndodh që ky 100% të realizohet, as në rastin më të mirë. Por maksimalja që mund të arrihet është 60% e tij që është e barabartë me 30 milionë euro. Por kjo jo vitin e parë, vitin e parë nëse arrijmë 10% të shifrës do të jemi të suksesshëm, vitin e dytë 20 % deri sa të shkojmë te 60%. Dhe ky buxhet që mund të parashikohet maksimalisht 30 milionë euro, ne mendojmë që duhet të shpërndahet në 3 kolona, 50 për qind të jetë për infrastrukturë sportive, 25 % të jetë për sportin e bazës dhe fëmijëve dhe federatat jo elitare dhe 25% për sportin elitar.

Në fund edhe një sulm kundër Ministres së Financave Danaj: “Jam kundër bojkotit, por nuk ka gjetur rrugë tjetër. Uroj të zgjidhet. Nuk duhet ngjyrosur politikisht. E dëgjova Ministren e Financave dhe më erdhi keq për arsyetimin e saj. Ajo nuk mund ta shohë futbollin si armik. Futbolli është i të gjithëve dhe nuk mund të thotë që nuk e sponsorizon njeri”.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *