• |
ide | kryesore

Merkel kërkon ashpërsim masash për COVID-19, kundërshtohet nga disa udhëheqës rajonalë

Lajme, Planet

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, do të kërkojë që 16 landet e Gjermanisë të bien dakord për masa më të ashpra kundër pandemisë, nëse rriten rastet e infektimeve me koronavirus.


Merkel, do të bisedojë me udhëheqësit e landeve të martën për masat që mund të përfshijnë mbajtjen e maskave dhe ndalimin e alkoholit, në mënyrë që autoritetet të mos detyrohen të bllokojnë gjithë Gjermaninë, si në muajin mars.


“Qëllimi kryesor duhet të jetë mbajtja hapur e shkollave dhe mjediseve të kujdesit për fëmijët, si dhe funksionimi i vazhdueshëm i ekonomisë pas kufizimeve në fillim të këtij viti dhe në verë”, thuhet në një dokument të qeverisë gjermane të cilin e ka parë agjencia AFP.

Por, përpara takimit, disa udhëheqës rajonal kanë shprehur kundërshtim ndaj ashpërsimit të masave.

Kryeministri i landit të Saksonisë, Michael Kretschmer, tha se rregullat më të rrepta kanë kuptim vetëm në vendet ku numri i të infektuarve po rritet ndjeshëm.

Kancelarja gjermane do të nxisë udhëheqësit rajonal të bien dakord për vendosjen e një tavani për numrin e njerëzve që mund të tubohen, nëse shkalla e infeksionit do të ngrihej mbi pragun e 35 rasteve të reja për 100,000 banorë, gjatë shtatë ditëve.

Të hënën, gjatë një takimi me partinë e saj CDU, Merkel kishte paralajmëruar që nëse vazhdon trendi aktual, numri i të infektuarve në baza ditore mund të arrijë në 19.200″, kanë thënë burime të agjencisë AFP.

Gjermania filloi të lehtësojë masat nga fundi i muajit prill, pasi disa javësh izolimi mbarëkombëtar.

/REL

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Kthehu