• |
ide | kryesore

Vuçiç: Duhet të zbatohet marrëveshja me Kosovën

Lajme, Të fundit



Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç deklaroi se e gjitha marrëveshjet me Kosovën, të nënshkruara në Bruksel, duhet të zbatohen. Sipas tij, ato duhet të zbatohen jo “në përputhje me rregulloret e Kosovës”, sepse, sipas tij, “nëse gjithçka shikohet në këtë mënyrë, që të jetë në përputhje me rregulloret e Prishtinës ose Beogradit dhe të mos ndryshohet asgjë”, atëherë “është e pamundur të arrihet ndonjë kompromis”.

Vuçiç i bëri këto komente duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në Beograd nëse është sinjal i mirë deklarata e zëdhënësit të Qeverisë gjermane, Steffen Seibert, se gjithçka që është nënshkruar më 2013 dhe 2015 duhet të realizohet dhe se Asociacioni i komunave me shumicë serbe duhet të zbatohet me rregulloret e Prishtinës. Vuçiç tha se në Bruksel nuk është biseduar për zbatimin në bazë të rregulloreve, sepse në atë rast, negociatat, sipas tij, nuk do të ishin as të nevojshme.

“Kemi negociuar, sepse jo gjithçka është në përputhje me rregulloret. Mesazhet e Prishtinës shpesh nuk janë të qarta për mua, sepse nuk janë racionale”, tha Vuçiç. Formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë është paraparë me Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013, të arritur në dialogun Kosovë-Serbi.

Në vitin 2015, dy vendet, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, kanë arritur edhe një marrëveshje shtesë për themelimin e këtij Asociacioni. Por, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar se parimet për të nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, edhe pse ka thënë se ato mund të harmonizohen me një akt ligjor të Qeverisë së Kosovës. Derisa Kosova thotë se nuk dëshiron ta hapë më çështjen e Asociacionit, Serbia insiston që të bisedohet për të. Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, përsëriti të hënën se çështja e Asociacionit është një temë tashmë e mbyllur. Të hënën, në Bruksel është dashur të mbahet një raund i ri i dialogut Kosovë-Serbi, në nivel ekspertësh, por është shtyrë, për shkak të, siç kanë thënë zyrtarët evropianë, situatës së krijuar me koronavirus.



1 Comment

  1. Kosova nuk mund te jete Bosnje.
    Kosova asht shtet,sepse e bani populli i saj me ndihmen e SHBA dhe BE-se.
    Shtojcat e tjera krijojne humnere.Dhe e dijme tash ma se cfare asht HUM N’ERE.
    Europes nuk i intereson te merret ma vone me problemet asociacionea(ndarje defacto) territoresh,brenda kufijve.
    Jo Bosnje ne Kosove.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *