• |
ide | kryesore

Banorët e prekur nga HEC-et kërcënojnë me revoltë

-Instant, Lajme, Të fundit

Si pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme për mbrojtjen e lumenjve nga digat në Shqipëri, organizata mjedisore Eco Albania, zhvilloi të martën në Tiranë një konferencë me praninë e banorëve të komuniteteve të prekura nga ndërtimi i HEC-ve.


“Neve nuk na pyet kush,” u ankua një banor i zonës së Bicajt, mbi pasojat dhe dëmet që ndërtimet e digave kanë mbi jetën e tyre. “Njerëzit e zonës janë hallexhinj, gjithsesi ata janë të disponueshëm për të mbrojtur vendin e tyre,” shtoi ai.


Në Shqipëri ka aktualisht 227 HEC-e të planifikuara dhe 100 të tjera në ndërtim, ndërkohë që në Ballkan janë pothuajse 700 HEC-e ekzistuese. Shqipëria konsiderohet si vendi me dendësinë më të madhe të HEC-eve në rajon.

“Eco Albania ka tashmë shtatë vite që punon në mbrojtje të lumenjve, dhe jemi munduar përherë të jemi sa më pranë komuniteteve, të cilat ka raste që këlthasin për ndihmë,” u shpreh drejtori ekzekutiv i Eco Albania, Olsi Nika.

“Natyra jonë po degradon nga politikat e gabuara,” shtoi Nika.

Përfaqësuesit e Eco Albania i bënë thirrje banorëve të që të bëjnë rezistencë dhe të këmbëngulin në përpjekjet e tyre për të kundërshtuar në mënyrë ligjore këto ndërtime që ato i cilësuan shkatërruese – jo vetëm për natyrën por edhe për jetën e familjeve të tyre.

“Betejat ligjore të komuniteteve të prekura nga HEC-et kërkojnë këmbëngulje. Duhet të jeni të shumtë në numër dhe me të njëjtin zë”, u shpreh avokatja Elvana Tivari, mbi rëndësinë e të qenit të bashkuar dhe mbështetjes së ndërsjellë midis komuniteteve.

“Pengesat tona shpeshherë kanë filluar që në fazën e parë në gjykatë. Jo të gjithë gjykatësit bien dakord për çështjet që mund të ngrenë organizatat mjedisore, prandaj është shumë e rëndësishme që ju si komunitet të bëheni bashkë dhe të paraqiteni të vendosur,” shtoi ajo.

Megjithatë shumë prej banorëve të komuniteteve të prekura nga ndërtimi i HEC-eve u shprehën pesimistë se mund t’a ndalonin ndërtimin e digave, pasi sipas tyre prapa fasadave të kompanive fshihen të afërt të kryebashkiakëve dhe njësive administrative përkatëse.

Resul Baleta, kryeplaku i fshatit të Gurit të Bardhë, tha gjatë fjalës së tij se jo vetëm ai por të gjithë banorët e fshatit i kishin humbur shpresat se institucionet e drejtësisë do të ishin në krahun e tyre për të shmangur ndërtimet e digave.

“Natën nuk flemë gjumë,” tha ai. |Unë tek shteti dhe tek ligji nuk besoj më,” shtoi Baleta.

Edhe Naim Mehmetaj, nga fshati Bicaj i Kukësit, u shpreh se banorët janë të revoltuar në lidhje me premtimet boshe që u bëhen nga qeveritarët e që më pas nuk gjejnë zbatim.

Shumë prej personave të pranishëm në sallë, u shprehën se ishin të gatshëm të përballeshin në mënyrë të dhunshme me autoritetet përkatëse për të kundërshtuar ndërtimin e HEC-ve. Për to, dhuna ka mbetur e vetmja zgjidhje në mënyrë që ata të dëgjohen nga politikanët.

Dhimitër Koleci, banor i komunitetit të Zall Gjocajt, tha se pavarësisht se vinin nga zona të ndryshme, të gjithë këta banorë ndanin të njëjtin hall – atë të shkatërrimit të habitatit nga ndërtimet e HEC-eve dhe rënia në vesh të shurdhër e kërkesave të tyre.

“Kur bëjmë takim me ministrat na thonë keni të drejtë. Më pas del që janë familjarë të kryetarit të Bashkisë Mat. Problemi është si të zgjidhet çështja ligjërisht, se këta i blejnë të gjithë me lekë,”, u shpreh ai disa herë i indinjuar.

Olsi Nika, duke pranuar se Shqipëria është e varur për prodhimin e energjisë elektrike prej hidroenergjetikës, u shpreh se ka ardhur koha të shihen edhe mundësi të tjera zhvillimi për vendin, duke ruajtur kështu edhe pasuritë natyrore të cilat përbëjnë njëkohësisht edhe bazën për zhvillimin e turizmit në vendin tonë.

“Shumë prej këtyre hidrocentraleve janë të paleverdishme, si nga pikëpamja ekonomike, ashtu edhe nga pikëpamja hidroenergjetike”, tha Nika.

“Duhet rezistencë dhe persistencë”, përfundoi drejtori ekzekutiv i Eco Albania, duke iu dhënë zemër banorëve për të mos u dorëzuar në përpjekjet e tyre në mbrojtje të tokës ku jetojnë./ Reporter.al

2 Comments

  1. Hajde artikull VK hajde.

    Problemet e katnarve te Bicajt jane komplet te ndryshme nga “problemet” e ketyre bythqirave te ECOS. As per njeren e as per tjetren nuk behet fjale. As edhe se ku do ndertohen HECet. KOT.

  2. Ish-anëtarja e Kryesisë së PD-së, Endira Bushati, ka reaguar me tone të ashpra për Lulzim Bashën, teksa deklaron se kryesia e PD do të votëbesohet në degët e partisë në Tiranë.

    Bushati pretendon se mesazhi që Basha po ju jep demokratëve me këtë lëvizje është “Ju jeni hiça, ju kam në dorë, bëj çfarë dua me ju…”

    Ajo bën një thirrje të fortë për demokratët, të cilëve i kërkon të mos e pranojnë këtë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Kthehu