Lëvizjet në merkato të Teutës, ndonëse qetë e pa zhurmë, por gjithnjë në funksion të një objektivi të qartë, po formonin në mënyrë graduale një mozaik që kishte në majën e saj, emrin më të rëndësishëm të transfertave të kësaj vere, ose edhe vjeshte duke parë kohëzgjatjen e dritares. Dejvi Bregu vishet me fanellën e kaltër të Teutës dhe është një detaj që shpall hapur kandidaturën e durrsakëve për titullin kampion. Bregu është lojtari që mund të bëjë diferencën, bashkë me 10 lojtarët e tjerë që kanë mbërritur në Niko Dovana në merkato.
AFRIME
Dejvi Bregu Sulmues
Silvio Zogaj Sulmues
Aldrit Oshafi Sulmues
Blerim Krasniqi Sulmues
Iran Gonçalves Mesfushor
Asion Daja Mesfushor
Vasil Petani Portier
Erando Karabeci Mesfushor
Denis Pjeshka Mbrojtës
Brendon Smajlin Mbrojtës
Ledjon Xhymertin Mesfushor
Nëse vlonjati, me teknikë fine e goditje precize mbush boshllëkun e lënë nga ikja e Kallakut, Krasniqi, po nga Skënderbeu, i jep sulmit goleadorin e munguar e po ti shtosh këtu, talentin e Kapllanit, Hebajn, në sezonin e dytë e Oshafin e Zogajn të sapoardhur, Martini ka në dorë një skuadër plot alternativa ku tekniku nuk ka më frikë të kthejë kokën nga pankina. Jo tani, skuadra fituese e Kupës e Superkupës, ajo që mundur kampionët në fuqi në të dy rastet nuk mund të fshihet më. E kupton qartë në bilancin e shpejtë, ku të larguar janë vetëm 6, por edhe sepse në mesfushë kanë ardhur njerëz të eksperiencës si Karabeci e Daja, një lojtar krejtësisht për tu zbuluar si Goncalves, një siguri si Pjeshka e të rinj premtues.
LARGIME
Sherif Kallaku Mesfushor
Xhonatan Lajthia Mesfushor
Arlind Kalaja Mesfushor
Arbër Çyrbja Mesfushor
Idé Colubali Sulmues
Kenan Hreljic Mbrojtës
Tekniku shkodran ka formuar ekipin e tij e nuk ka humbur absolutisht asnjë lojtar, që e kishte konsideruar të rëndësishëm për skemën e tij apo ekipin. Tani, Teuta mund të matet lehtësisht me të gjithë rivalët e tjerë për titull, se për merkaton, të paktën në letër i ka kaluar…