• |
ide | kryesore

A ka ndryshuar me Trump, politika amerikane ndaj shqiptarëve?

-Instant, 2, Arkiva, Ide
Arbër Zaimi



Duke filluar që prej perceptimit tejet manikeist të gjeopolitikës, si një përplasje mes Superfuqisë së Mirë e Superfuqisë së Keqe, e deri te krijimi i bindjes se Superfuqia e Mirë është mëshiruesja dhe mbrojtësja jonë e përjetshme, e cila kurrë nuk mund ta ndryshojë raportin ndaj nesh, sepse ne jemi adhuruesit e saj të përulur e jemi gati të bëjmë gjithçka për të, përherë…

Shkruan: Arbër ZAIMI, Tiranë

Duhet të ketë qenë tronditëse për botëkuptimin mesjetar evropian kur disa dijetarë, Koperniku, Galileu etj., nisën të dëshmojnë, përmes eksperimentesh e teorish, se, ndryshe nga ç´ishte besuar zyrtarisht për një kohë të gjatë, Toka nuk ishte qendra e botës. Ajo sillej rreth diellit. Ç´është më e rënda, as dielli nuk ishte qendra e botës dhe e qiejve, por veç një yll i rëndomtë, ndër miliona yje të një galaktike të rëndomtë, ndër miliona galaktika të tjera. Edhe sot, në shekullin XXI, një mendim i tillë trishton, aq shumë e aq thellë është rrënjosur tek të qenit njeri antropocentrizmi ose bindja se njeriu është qenia më e rëndësishme e botës materiale, qenia që i jep kuptim asaj bote e rreth të cilit ajo botë sillet.

Arti e shkenca, filozofia, etika e feja janë të përshkuara tejendanë nga botëkuptime antropocentrike. Sigurisht ka pasur artistë, shkencëtarë, filozofë, eticienë e teologë që kanë ndërtuar dije jo-antropocentrike, si p.sh. rabini i shquar mesjetar, Moisi Maimonidesi nga Al-Andaluzi arabo-hispanik, i cili thoshte se «njeriu s´është gjë tjetër, përveçse një pikëz uji e pikuar padashje prej një kove që po bartet». Mirëpo, imagjinoni sa e vështirë do të ishte për besimtarin e zakonshëm të përkushtohej pas një feje, e cila do të pohonte se ai nuk është aspak i rëndësishëm në sytë e Zotit, se Zoti i cili ekziston njëherazi e gjithherazi në çdo kohë, kudo e gjithkund, nuk ka se si të ketë vëmendje të veçantë për njeriun e vogël, që është kaq i kufizuar e kaq arrogant. Një entitet të tillë hyjnor e indiferent e imagjinon shkrimtari Kurt Vonnegut në librin e tij fantastiko-shkencor «Sirenat e Titanit», ku sajon një religjion të quajtur «Kisha e Zotit më se Moskokëçarës» (The Church of God the Utterly Indifferent). Por, le të jemi të sinqertë: përveç disiplinës së fortë të disa mistikëve, shkencëtarëve, artistëve, ne të tjerët që përditë veprojmë në suaza të antropocentrizmit, besimtarë apo ateistë qofshim, të arsimuar apo jo, do të binim në kriza ekzistenciale po të mos mëkonim vetveten me nga pak antropocentrizëm, me nga pak besim se bota ka vëmendje për ne, është e mëshirshme ndaj nesh, e se ne nuk mundet të jemi tërësisht të parëndësishëm e pa domethënie për të.

Një besim analog më ngjan se e shoh, të zhvendosur e të transformuar në albanocentrizëm fëminor, në raportet e shqiptarëve në Ballkan me superfuqitë e botës. Duke filluar që prej perceptimit tejet manikeist të gjeopolitikës, si një përplasje mes Superfuqisë së Mirë e Superfuqisë së Keqe, e deri te krijimi i bindjes se Superfuqia e Mirë është mëshiruesja dhe mbrojtësja jonë e përjetshme, e cila kurrë nuk mund ta ndryshojë raportin ndaj nesh, sepse ne jemi adhuruesit e saj të përulur e jemi gati të bëjmë gjithçka për të, përherë. I tillë ka qenë raporti ynë me Perandorinë Osmane, prej së cilës u shkëputëm të fundmit, kur kishte më se një shekull që ndihej që ajo po binte e që nuk ishte më në gjendje të na mbronte, të tillë raport u përpoq Zogu të ndërtonte me Italinë (në atë kohë ishte ende sistemi i Fuqive të Mëdha e Italia ishte një e tillë, ndërsa SHBA-të e largëta ende nuk kishin marrë vendimin të imponoheshin në këtë anë të Atlantikut, të tillë raport u përpoq të ndërtonte Enveri me BRSS-në staliniste (enveristët hoqën dorë nga mbajtja në pushtet e stalinizmit vite pas vdekjes së Enverit e dekada pas vdekjes së Stalinit), e fatkeqësisht edhe sot shohim se si pushtetarë e opinionistë vendas, të Shqipërisë, Kosovës apo Maqedonisë së Veriut, përpiqen të ndërtojnë një botëkuptim të tillë në raport me SHBA-të. Çështja është se, ndryshe prej gjithë shembujve paraprakë, SHBA-të janë një demokraci elektorale, gjë që ua vështirëson pushtetarëve vendorë shqiptarë instalimin e kultit albanocentrik fëminor, për SHBA-të që zgjohen e flenë me mendjen te mbrojtja e zhvillimi i shqiptarëve.

Në librin e tij të fundit (Hegel in a Wired Brain), filozofi Slavoj Zizek shkruan se «Ideologjia nuk është edhe aq rrëfimi i shpikur prej atyre në pushtet që të mashtrojnë të tjerët. Ajo, në radhë të parë, është rrëfimi i shpikur prej vetë të sunduarve që të mashtrojnë vetveten». Pikërisht në këtë rend qëndron albanocentrizmi, që pushtetarët e opinionistët tanë i mveshin SHBA-ve, një rrëfim i rrejshëm, mistifikues, jo i shpikur prej tyre për të na sunduar, por i shpikur prej nesh që të gëlltisim më lehtësisht gjithçka që na jepet. I tillë është edhe albanocentrizmi ynë fëminor, i sajuar nga vetë ne (opinionistët e pushtetarët tanë), për të paraqitur kinse si pro-shqiptare edhe politika që haptazi janë në dëm të projektit e zhvillimit tonë kombëtar.

Një prej pohimeve më të shpeshta të këtyre mistifikuesve të opinionit publik, për vite me radhë, ka qenë se politika e jashtme e Amerikës nuk ndryshon kurrë, se ajo është në mënyrë inherente pro-shqiptare e anti-serbe, për shkak se është anti-ruse. Ky pohim nuk merr parasysh se në SHBA ka pluralizëm të shkollave të mendimit politik, edhe mbi diplomacinë. Po ashtu nuk merr parasysh se bota ndryshon e se historia nuk ka mbërritur fundin e saj (nuk është i mbërritshëm fundi i historisë, së paku jo pa u shuar njerëzit). Superfuqia pa pluralizëm e pa demokraci, e cila nuk ndryshon kurrë qasje ndaj nesh, si edhe bota e cila nuk ndryshon kurrë, janë karakteristika të përfytyrimit që kemi pasur edhe për superfuqitë e shkuara. Historia vazhdimisht na ka treguar se ka qenë perceptim i gabuar. Vazhdimisht po këmbëngulet në botëkuptime të tilla që janë, në analizë të fundit, shenjë dembelie ekstreme e trashësie intelektuale.

Po të studionim me seriozitet shkollat e mendimit politik amerikan, sidomos në raport me politikën e jashtme, do të vinim re se mes tyre ka përplasje të forta e të kahmotshme, e se fenomenet të cilat na surprizojnë neve sot, nuk janë të reja e as të papritura. Në një skicë të thjeshtuar të këtyre shkollave të mendimit, do të evidentonim së paku tetë syresh, katër në gjirin e Partisë Republikane e katër te ajo Demokratike.

Te republikanët, së pari, hasim wilsonianët e djathtë ose neo-konservatorët, të cilët si origjinë vijnë nga fraksione djathtiste të Partisë Demokratike, prej së cilës u shkëputën të zhgënjyer prej kryengritjeve shoqërore-kulturaliste të 1968. Neo-konservatorët janë përgjithësisht neo-liberalë në aspektin ekonomik. Ata besojnë te përdorimi i forcës ushtarake për të shpërndarë demokracinë nëpër botë, gjë që i bën jehonë qëndrimit të W. Wilson-it pas Luftës së Parë Botërore, se «shpërndarja e demokracisë sjell stabilitet». Demokracia sipas tyre është sistem detyrimisht pro-amerikan, e neo-konservatorët janë për prezencën ushtarake amerikane kudo që ka nevojë, në Irak, Afganistan, në bazat e ndryshme nëpër botë, e njëkohësisht për ndërhyrje në Siri, Iran, Afrikë etj.

Së dyti, janë jacksonianët e djathtë ose ata që mbështesin nuanca e shkallë të ndryshme të izolacionizmit. Ata, nga vetë përkufizimi, janë skeptikë ndaj aleancave dhe nuk e kuptojnë termin «aleancë e përhershme» ose «miqësi e përjetshme», siç do kishin thënë mistifikuesit shqiptarë. Tradita e tyre politike është e gjatë dhe e lavdishme, me themele të tilla si vetë ati i Amerikës, G. Washington-i, i cili në fjalimin e tij të lamtumirës lë porosi që «Brezat e ardhshëm të mos i lidhin këmbët me aleanca». Izolacionizmi, në forma e gradacione të ndryshme, ka qenë gjithnjë prezent gjatë historisë amerikane, madje ka qenë dominues deri në Luftën e Dytë Botërore. Brenda jacksonianëve të djathtë mund të dallohen: klasikët – SHBA rrallë duhet të ndërhyjnë jashtë kufijve të veta; të moderuarit – SHBA duhet të ndërhyjë jashtë vetëm kur nevojitet që të parandalohen fenomene të rrezikshme që mund të na vijnë edhe brenda. Izolacionistët, prej vetë termit, janë për masa më të forta kundër imigrantëve, për ndërtimin e gardheve ose mureve kufitare. Ata janë kritikë dhe e kundërshtojnë angazhimin e SHBA-ve në marrëveshjet e tregtisë së lirë (p.sh. NAFTA etj.), dhe janë proteksionistë (për veten e tyre, ndërsa për vendet e tjera inkurajojnë uljen e barrierave tregtare). Pjesë e kësaj rryme, por me identitet të tyrin të veçantë, janë edhe libertarianët, të cilët kanë një vizion më anarkik për botën dhe këmbëngulin që paratë amerikane nuk duhet të shpenzohen në vende të tjera.

Së treti, janë konservatorët radikalë, apo «Hard-Line Cons». Në qasjen e tyre ndaj politikës globale ata karakterizohen nga ultranacionalizmi. Parimi i tyre është se «Duhet ruajtur pre-eminenca globale e SHBA-ve me çdo mjet e kusht». Nga ky parim ata nxjerrin konkludimin se fuqia amerikane konfirmohet prej vendimeve të njëanshme, e jo prej organizmave ndërkombëtarë. Pra, ata janë në politikë të jashtme unilateralistë – përkundër multilateralizmit, që shfaqet në shkolla të tjera të mendimit. Synimi i tyre gati i vetëm e obsesiv është që të ndalojnë vendet e tjera që të arrijnë në ndonjë pozitë prej ku mund ta sfidojnë supremacinë e ShBA-ve. Për pasojë, ata nuk kanë armiq të përhershëm, por janë të prirë të shohin si armik kryesisht fuqinë e dytë botërore pas SHBA-ve e të bëjnë aleancë me të tretën ose me të katërtën kundër saj. Ndonjëherë ata kanë politika të ngjashme me neo-konservatorët, mirëpo ndryshe prej tyre, te konservatorët radikalë precedencë merr përdorimi i ushtrisë dhe i fuqive të tjera (sanksioneve) për të mbrojtur interesat amerikanë, e jo shpërndarja e demokracisë.

Së katërti, sërish te republikanët, janë realistët klasikë ose internacionalistët tradicionalë. Ata besojnë në një politikë të jashtme aktive, që u shërben interesave amerikane. Parimi i tyre i punës është realpolitik-a: stabiliteti global vjen nga balanca e pushteteve në botë. Në botëvështrimin e tyre rendi ndërkombëtar është terren i rrezikshëm, andaj duhet një gërshetim delikat force, diplomacie dhe multilateralizmi për të ruajtur pozitën e interesat e SHBA-ve. Ata janë kundër unilateralizmit dhe kundër veprimeve që i dëmtojnë aleancat (mes tyre do të mund të përmendnim H. Kissinger-in, C. Powell-in, etj.). Aleancat janë të rëndësishme për realistët klasikë, ndër të tjera, sepse zvogëlojnë kostot financiare e ushtarake të nevojshme për ruajtjen e rendit ndërkombëtar. Ata janë të vetëdijshëm se hegjemonia ndërkombëtare nuk mund të mbahet vetëm me ushtri e para, por nevojiten edhe institucione, aleanca e vlera.

Te demokratët, së pari, hasim wilsonianët e majtë ose internacionalistët liberalë. Ngjashëm me neo-konservatorët, edhe këta besojnë se shpërndarja e demokracisë është e domosdoshme për stabilitetin global. Por, ata dallojnë prej neo-konservatorëve, sepse mendojnë se demokracia duhet promovuar në radhë të parë paqësisht, përmes organizmave ndërkombëtare, e jo doemos me ushtri. Këta kanë të përbashkët edhe me internacionalistët tradicionalë ose realistët klasikë, sepse besojnë se SHBA-ja është më e fortë kur është në krye të aleancave të forta, e jo kur vepron unilateralisht. Internacionalistët liberalë, pra, po ashtu janë pasues të mendimit realpolitik, mirëpo besojnë se multilateralizmi është në themel të interesit të tyre kombëtar (mes tyre do të mund të përmendnim F. D. Roosevelt, J. F. Kennedy, B. Clinton, J. Biden, Z. Brzezinski etj.).

Së dyti, gjejmë proteksionistët, të cilët mendojnë se burimet e mjetet duhen përqendruar brenda vendit. Ata janë jacksonianë të majtë. Shpesh ndodh që ata ta mbështesin ndonjë ndërhyrje jashtë vendit, por vetëm nëse është në interes të punëve të brendshme. Jacksonianët e majtë janë mbështetës të aleancave, sepse kështu mendojnë që ulen kostot dhe shpenzimet amerikane jashtë vendit. Ata janë për mbështetjen financiare të programeve ndërkombëtare, të cilat e rrisin sigurinë për vetë amerikanët, p.sh. për programet që luftojnë pandemitë kudo në botë. Midis këtyre jacksonianëve të majtë do të mund të citonim regjisorin aktivist M. Moore: «përzierja e SHBA-ve në çështjet e vendeve të tjera më shumë prish punë sesa ndreq». Në radhët e tyre janë edhe proteksionistët e moderuar, të cilët besojnë se izolimi megjithatë është i pamundur, sepse «siguria në izolim është iluzion». Ngjashëm me jacksonianët e djathtë, edhe këta janë kundër marrëveshjeve të tregtisë së lirë, por janë edhe kundër legjislacionit të brendshëm për tregti të lirë. Ata çojnë përpara nocione si «Fair Trade» ose Tregti e Drejtë.

Së treti, brenda demokratëve, gjejmë një grup-jo grup, fort heterogjen, të cilët karakterizohen nga fokusimi në çështje të ndryshme sociale, kundër diskriminimeve etj., e që shpesh bëjnë aleanca fluide me njëri-tjetrin për të çuar përpara agjendat e tyre. Në anglisht këta quhen «Single issue groups», të cilat së bashku etiketohen si «social welfare internationalists» ose internacionalistë të mirëqenies sociale. Është e vështirë të përkufizosh një qasje të tyre ndaj politikës së jashtme amerikane, mirëpo në vija të trasha mund të thuhet se ata janë që SHBA-ja të jetë sa më aktive në çështjet ndërkombëtare, siç janë çrrënjosja e varfërisë, lufta ndaj sëmundjeve, racizmit, diskriminimit gjinor etj. Përfaqësuesit e këtyre grupeve kanë probleme me politikën e jashtme tradicionale dhe me realpolitik-ën, për shkak se asaj, sipas tyre, i mungon komponenti moral. Ata janë përgjithësisht kundër përdorimit të forcës, përveçse në raste humanitare (kujtoni p.sh. përfaqësuesin e këtij grupi, B. Sanders, i cili ishte mbështetës i zëshëm i ndërhyrjes amerikane në ndihmë të Kosovës në vitin 1999, pikërisht për shkak të dimensionit të rëndësishëm moral e humanitar që pati ajo ndërhyrje për të ndalur gjenocidin serb). Internacionalistët e mirëqenies sociale besojnë se politika e jashtme amerikane e ka mundësinë që të jetë e moralshme, e garantuar nga vetë statusi i superfuqisë që gëzon SHBA, si dhe nga historia e idealet e saj unike në botë (siç përvijohen ato p.sh. tek «American Exceptionalism» i A. De Tocqueville). Po ashtu, një pjesë e tyre besojnë se obligimi i politikës së jashtme amerikane për të pasur komponent moral bazohet edhe te idealet protestante e puritane të themeluesve të Amerikës si një shtet misionar.

Së katërti, e për ta mbyllur, te demokratët hasim edhe një rrymë të fundit, që është ajo e aktivizmit kundër luftës ose e pacifistëve. Ata, nisur nga pikëpamje morale, shpesh edhe religjioze, kundërshtojnë gati me çdo kusht angazhimin luftarak të Amerikës, me përjashtim të rasteve kur është një luftë mbrojtëse, pra kur dikush sulmon vetë SHBA-të. Por, disa syresh kanë edhe pikëpamje të politikave siguritare kur e kundërshtojnë angazhimin në luftëra të huaja. «Lufta na e shton pasigurinë» thonë ata, duke marrë si shembull se si angazhimi amerikan në Lindjen e Mesme ndikoi në kundërpërgjigjjen terroriste, e cila dëmtoi rendin ndërkombëtar, por edhe vetë sigurinë e brendshme në SHBA. Po ashtu, kundërshtimi i tyre bazohet edhe te obsesioni i kahershëm amerikan me liritë individuale e qytetare. «Lufta na i kufizon liritë», thonë ata, duke vënë në dukje se si me luftën lindin fenomene të brendshme si censura, propaganda nacionaliste, kufizimi i lirive tregtare e ekonomike, e kështu me radhë.

Nëse dikush i studion me vëmendje këto rryma, të ekspozuara shumë shkurt në këtë shkrim, ose edhe rryma e nënrryma të tjera, vë re se ato nuk janë thjesht «masturbime teorike», por kanë prodhuar forma institucionale e të prekshme. Rrallë ka presidentë që të karakterizohen vetëm nga ndjekja e njërës prej rrymave, sepse duke qenë se ato të gjitha kanë përfaqësues në senat e kongres, gjithnjë është e nevojshme që t´i bëhen lëshime njërës ose tjetrës, në mënyrë që të kalojë legjislacioni ose të miratohen vendime e dekrete presidenciale.

Mirëpo, çka bie në sy më së shumti, është se nëpër këto rryma gjejmë edhe të tilla që nuk besojnë në aleanca e miqësi të përjetshme, e as në angazhim afatgjatë të SHBA-ve në vende të huaja. Kësisoj, presidenti aktual, D. Trump, i cili karakterizohet nga unilateralizmi i fortë amerikan e nga denoncimi i organizmave ndërkombëtarë si OKB, OBT, OBSH, nga tërheqja prej marrëveshjeve të tregtisë së lirë si NAFTA etj., nga ndalja e negociatave për partneritetin tregtar me SHBA dhe BE, TTIP e kështu me radhë, ndoshta është presidenti që më së forti e përfaqëson jacksonianizmin e djathtë, qysh prej Luftës së Dytë Botërore. Me qasjen e tij dobësuese ndaj aleancave e me indiferencën e tij ndaj demokracisë nëpër botë, ai ka bërë kundërshtarë disa prej realistëve klasikë e neo-konservatorëve (psh. C. Powell e C. Rice, zyrtarë të lartë republikanë gjatë administratës Bush kanë dalë publikisht kundër tij). Me qasjen e tij për të tërhequr sa më shumë ushtarë amerikanë prej bazave nëpër botë, ai përpiqet të joshë edhe grupet e pacifistëve, që zakonisht votojnë demokratët. Por, Trump gëzon edhe mbështetje të madhe të konservatorët hard-line, radikalët e djathtë, të cilët siç pamë më lart, të fokusuar te ruajtja e pre-eminencës amerikane, synojnë gjithnjë të dobësojnë fuqinë e dytë botërore, qoftë edhe duke bërë aleanca me fuqinë e tretë e kështu me radhë. Duke qenë se fuqia e dytë botërore është Kina, e cila me vëllim ekonomik ia ka kaluar tashmë SHBA-ve (por jo me mirëqenie e as me ushtri), atëherë sipas kësaj rryme të të menduarit, është i kuptueshëm, madje i këshillueshëm një rirreshtim i aleancave, një rikompozim i rendit botëror. Fokusi i diplomacisë trumpiane në këtë aspekt ka qenë një farë përpjekjeje për ta joshur Rusinë sa më larg Kinës. Vërtet, nëse Rusia do të atashohej me SHBA-të, Kina do të humbte shumë, duke pasur parasysh jo vetëm territorin e popullsinë e Rusisë, por edhe burimet e saj të shumta, të cilat janë vitale për Kinën, e cila ka teknologji e përpunim të përparuar, por nuk është vetë e pasur në burime.

Ky afrim i mundshëm amerikano-rus po trondit zonat e brishta, ku rendi ndërkombëtar mbahej me delikatesë, siç janë Azia Qendrore e Lindja e Mesme, por valë të tronditjes ndihen edhe në Ballkan, Evropë Lindore e Balltik. Vetë Bashkimi Evropian mund të bjerë pre e një rirreshtimi të tillë gjeopolitik, nëse ai rezulton i suksesshëm.

E, megjithatë, pushtetarët shqiptarë, diplomatët e opinionistët, vazhdojnë të flasin në tym për aleanca të përjetshme e për miqësi të patundshme. Ata nuk guxojnë të shohin se midis pluralizmit amerikan jo të gjitha shkollat e mendimit janë në favor të shqiptarëve. Sipas tyre, edhe këngët e Grenellit në jahtin mbi Danub, teksa darkonte me Vuçiqin e Bërnabiqin, janë shenja të pro-shqiptarizmit të Trumpit. Edhe marrëveshja e shtatorit 2020 në Uashington, ku haptazi u vendos për implementimin e një projekti të rrezikshëm anti-shqiptar, siç është mini-shengeni, sipas tyre është në favor të Kosovës. Paçka se Kosova në atë projekt reduktohet vetëm në një hapësirë tranzit, ku do të kalojnë udhët e shinat që lidhin Serbinë me Durrësin. Çka mendojnë këta mbështetësit e asaj marrëveshjeje, që Serbia do dalë në Durrës që të eksportojë teknologjinë e saj nëpër botë? Po çfarë teknologjie ka Serbia? Asgjë hiç. Në Durrës Serbia do të importojë lëndë të parë, të cilën do ta përpunojë, për ta shitur në tregun që po ia falim ne, në tregun e Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut e Bosnjës. Mini-shengeni nuk është thjesht marrëveshje tregtare, pra nuk është FTA. E tillëështe CEFTA, e cila tashmë prej vitesh ekziston, andaj s´kishte nevojë për mini-shengen. Mini-shengeni është hap i parë për krijim të një tregu të përbashkët, ndërsa dallimi mes marrëveshjeve të tregtisë së lirë me tregun e përbashkët është se tek e para kemi të bëjmë thjesht me njësim të politikave të vendeve ndaj njëri-tjetrit, kurse tek e dyta do të kemi edhe njësim të politikave të vendeve ndaj palëve të treta. E në atë treg të përbashkët hegjemoninë do ta ketë prodhuesi e shitësi më i madh. Pra, Serbia do ta sundojë mini-shengenin, ashtu siç dihet që Gjermania udhëheq BE-në.

“Po ç´të bëjmë?”, do të mund të thotë dikush. “Jemi të vegjël, s´kemi nga ia mbajmë.” Çështja është se të vegjël nuk jemi vetëm ne. Të vegjël janë edhe Izraeli e Gjeorgjia përballë Amerikës ose Serbia e Armenia krahasuar me Rusinë. Të gjitha këto vende as që do të mund të mbijetonin kështu siç janë, pa tutorimin e «vëllezërve të mëdhenj». Megjithatë, politika e tyre reflekton racionalitet e objektivizëm. Fundja ata e ndjekin interesin e vendit të vet dhe nuk përtojnë të kundërshtojnë superfuqitë herë pas here, kur politika e të madhit nuk e merr parasysh të voglin. Frika për të kritikuar politikat e administratës Trump, kur ajo bie ndesh me interesat tona kombëtare, po ashtu reflekton një lloj besimi a thua se Amerika nuk ka demokraci, e se ajo do të sillej ndaj kritikuesve njësoj sikur të ishte ndonjë diktaturë staliniste ose putiniane. Megjithatë, po e përsërisim se është e rëndësishme, Amerika nuk është diktaturë, por demokraci, dhe na përket neve që brenda asaj demokracie të mbështesim politikat që shkojnë në drejtimin e drejtësisë e zhvillimit që synojmë ne si komb.

Në vend që të mbronin një marrëveshje të pambrojtshme e të kërkonin me qiri pro-shqiptarizëm e anti-rusizëm te Grenell-i e te Trump-i, në vend se të besonin se cilado politikë e cilitdo amerikani karakterizohet nga albanocentrizmi fëminor, shqiptarët do të bënin mirë të shihnin objektivisht se cilat janë shkollat e mendimit politik amerikan që u leverdisin shqiptarëve e të çonin sa më shumë mbështetje, përmes diasporës shqiptare në Amerikë, por edhe përmes parave të shpenzuara për lobim, pikërisht te ato shkolla, të cilat edhe nëse nuk kanë aktualisht presidentin, kanë ndikim të madh politik, ndërsa herët a vonë do ta kenë një të tillë. Këtë gjë ka bërë për vite me radhë Serbia, ndërkohë që tanët paguanin para për të bërë foto dhe vazhdonin të refuzonin qasjet racionale të Shqipërisë ndaj politikës së jashtme
Shenja TV/ Titulli origjinal: “Albanocentrizëm fëminor (dhe i sajuar)”



3 Comments

  1. Janë akuza të rënda, por që nuk janë artikuluar nga media por nga njeriu që e njeh shumë mirë Ilir Metën, vetë Sali Berisha, i cili nga viti 2009 e deri më 2013 ka bashkëqeverisur me të. Por dhe tani marrëdhëniet e tyre janë tepër të ngushta.

    Pak më vonë, në vitin 2015, Berisha e akuzoi Metën se kishte porositur vrasjen e dy deputetëve. Berisha foli edhe për një dosje që ndërkombëtarët kishin përgatitur për Metën.

    “Jep dorëheqjen, sepse je person i akuzuar për dy vrasje. Na i nxirr pak ato që të ka sjell Edi Rama nga institucionet ndërkombëtare. Sepse ata të njohin më mirë ty se çfarë përfaqëson ti për vendin”, tha Berisha. Në atë kohë Meta ishte Kryetar Kuvendi. Disa javë më pas, doli një raport sekret i OSBE për kriminalizimin e krerëve të politikës shqiptare.

    Por akuzat e Berisha ndaj Metës kanë qënë me të vërtetë të forta dhe deri më tani presidenti aktual nuk është përgjigjur, për t’i hedhur poshtë.

    Por, megjithatë ia ka “arritur” që teksa “merret” me punët e mbrojtjes së Kushtetutës, përplasjes me Edi Ramën, alpinizmin dhe plazhin, ta “sfumojë” parashikimin e Berishës.O arber ti mire ke bere qe shkruan por valle do ta kuptojne keta shpellkaret e pd dhe lapsit,keta kuptojne vetem filozofin me origine serbe salih karaxhic berisha

  2. dy dokumente që vertetojnë se makina që përdor kreu i PD Basha, ka qenë në pronësi të kompanisë Viktoria Invest. Çështja bëri bujë, pasi PD dukej se kauzën e vet e kish ngritur te protesta në ASTIR, ndërkohë që vetë kryetari i saj pranonte dhuratë nga kompania që ish ngarkuar të kryente punimet në segmentin e Unazës së Tiranës, ku zhvilloheshin protestat.

    Por, çështja nuk mbaron me kaq. Nga një dokument i siguruar, dhe pikërisht Leja e Qarkullimit të makinës, vërtetohet se makina Mercedes Benz, Tipi: 221, Modeli: S 350, Nr. VIN: WDD2211581A293860, dhe me targë AA 111 EN, më së pari ka ndërruar targë dhe ajo rezulton në Elbasan dhe jo në Durrës siç deklaron Lulzim Basha. Targa e mëparshme ka qenë EL 3870 C, pra e regjistruar në Elbasan.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *