• |
ide | kryesore

Trump me Covid heq maskën në Shtëpinë e Bardhë, mjekët ‘gati të vjellin’

-Instant, Arkiva, F1, Planet



Pak pasi doli nga spitali ku u trajtua për koronavirusin, Presidenti Trump u ngjit të hënën në një ballkon të Shtëpisë së Bardhë, hoqi maskën e tij dhe përshëndeti me duar. Më pas u fut brenda ambienteve të Shtëpisë së Bardhë, me maskën në xhep.</div.

Mjekët, pak të tmerruar për shëndetin e presidentit gjatë ditëve që ai u shtrua në spital, u shqetësuan edhe më tepër me këtë gjest të Trump. Futja në një dhomë të frekuentuar nga stafi i Shtëpisë së Bardhë i la ata edhe më të irrituar.

“Cili punonjës i Shtëpisë së Bardhë do të donte të punonte nesër? ” –shkruan Eric Feigl-Ding, një epidemiolog dhe ekonomist shëndetësor me Federatën e Shkencëtarëve Amerikanë, në rrjetet të hënën në mbrëmje. “Epidemiologët thjesht duan të vjellin.” – citon The Washington Post epidemiologun.

Shumë profesionistë u bënë jehonë shqetësimeve të epidemiologut Feigl-Ding të hënën në mbrëmje, duke kritikuar ashpër presidentin për futjen në brendësi të  Shtëpisë së Bardhë pa maskë, edhe pse ai vuan ende simptomat e Covid-19.Disa ekspertë nuk ishin të shqetësuar vetëm për stafin e Shtëpisë së Bardhë, por për vetë presidentin Trump.Ilan Schwartz, një profesor asistent në Universitetin e Alberta, për sëmundjet infektive, tha se presidenti në video dukej se po luftonte për të marrë frymë.

Schwartz shkroi në Twitter se pamjet kur Trump qëndron në ballkon duke hequr maskën tregojnë më së qarti frymëmarrjen e munduar.

Nga Shtëpia e Bardhë nuk vonoi përgjigja. Një zëdhënës iu përgjigj kritikave të përhapura të hënën, duke thënë se Shtëpia e Bardhë po merr “çdo masë paraprake të nevojshme” për të mbrojtur presidentin, familjen dhe stafin e tij.

Aksesi fizik te Presidenti do të jetë i kufizuar në mënyrë të konsiderueshme dhe njerëzit rreth tij do ruhen, tha zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Judd Deere në një email. “Presidenti Trump do të vazhdojë të marrë kujdes dhe monitorim mjekësor gjatë gjithë ditës nga mjeku i tij dhe një ekip i mjekëve dhe infermierëve të përkushtuar në njësinë mjekësore të Shtëpisë së Bardhë do sigurojnë që Presidenti të shërohet plotësisht dhe mund të vazhdojë të kryejë detyrat e tij.” 

Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve rekomandojnë që njerëzit e diagnostikuar me Covid-19 të presin të paktën 10 ditë pas shfaqjes së simptomave dhe të kalojnë të paktën 24 orë pa ethe para se të kenë kontakte me njerëz të tjerë.  Dhe ata që vuajnë një rast të rëndë të covid-19 mund të kenë nevojë të izolohen më gjatë, deri në 20 ditë pasi sëmuren.

Momenti pa maskë ​​i Trump në Shtëpinë e Bardhë dhe një udhëtim i shkurtër që ai bëri të dielën me disa agjentë të Shërbimit Sekret për të përshëndetur mbështetësit jashtë spitali ‘Ualter Reed’ ku ishte i shtruar, duket se shkelin këto rekomandime.

Korrespondenti kryesor mjekësor i CNN, Sanjay Gupta, ishte gjithashtu mes mjekëve të shqetësuar nga veprimet e presidentit.

“Ka gjëra që janë të pamatura, por një pikë që janë absurde. Një person me sëmundje të njohur vdekjeprurëse, pa maskë, po futet në një rezidencë. Njerëz të tjerë janë rreth tij. ” – theksoi Gupta.

Sipas të dhënave të ‘The Washington Post’, shumë prej mazhordomëve, kuzhinierëve, rojeve e punonjësve të tjerë që punojnë atje janë njerëz të moshuar zezakë dhe latinë. Ata mund të jenë në rrezik të madh për shkak të komplikimeve potencialisht vdekjeprurëse që shkakton virusi Covid-19. ©LAPSI.AL 



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *