• |
ide | kryesore

“Në ndeshjen me Lituaninë nuk ishim ne”: Manaj e Bare i kanë idetë të qarta “t’i fitojnë të dyja”

-Instant, F1, Sport



Dëshirë për të fituar, për të treguar se disfata me lituanezët ishte një rastësi, për të rritur moralin e besueshmërinë e humbur. Ky ishte thelbi i asaj që Rey Manaj e Keidi Bare kanë thënë në konferencën për shtyp, në përgatitjet e zgjatura për shkak të anullimit të miqësores me Armeninë, përpara dy takimeve kualifikuese me Kazakistanin e Lituaninë në transfertë.

“Besoj se këto dy ndeshje janë ndeshje shumë të rëndësishme, sepse në ndeshjen me Lituaninë nuk ishim 100% ne – tha Manaj -. Në ndeshjet e kaluara që kemi bërë, besoj se grupi kishte arritur një ekuilibër dhe këto dy ndeshje shpresojmë që t’i fitojmë të dyja, por duhet të futemi në fushë të përqëndruar dhe të dimë që edhe nëse në letër mund të jemi më të fortë, fusha tregon gjëra të tjera”.

Sulmuesi, në xhiron kombëtares që prej 5 vjetësh është gati të marrë përgjegjësitë, në mungesë të shumë lojtarëve me peshë: “Besoj se të gjithë lojtarët në kombëtare duhet të marrin një përgjegjësi që në klubet e tyre nuk e kanë. Për një futbollist është gjëja më e lartë dhe normalisht që kur një lojtar vjen në kombëtare, duhet të japë 100% dhe akoma më shumë se ky është niveli më i lartë i futbollit”.

Bare, në anën tjetër, është më racional dhe kërkon ti bëjë gjërat me radhë, duke filluar nga Kazakistani: “Pikë së pari duhet të mendojmë për ndeshjen e parë që është me Kazakistanin që të bëjmë lojën tonë, të futemi në fushë me qëllim për të fituar dhe të zhvillojmë një lojë sa më të mirë. Pastaj çdo gjë e tregon fusha, se çfarë pozicioni duhet të ketë Shqipëria”, përfundoi mesfushori i sapo transferuar tek Espanyol.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *