• |
ide | kryesore

E PLOTË/ Të gjitha kunjat që shkëmbyen sot Rama dhe Meta

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit



Përplasja mes Presidentit të Republikës Ilir Meta dhe kryeministrit Edi Rama është ndezur ende pa nisur mirë fushata elektorale e zgjedhjeve të 25 prillit të vitit të ardhshëm. Kreu i shtetit ka dalë hapur kundër mazhorancës aktuale duke u shprehur i bindur që “opozita do të fitojë zgjedhjet”, ndërsa kryeministri e quan tashmë “kryetar të shtabit të opozitës”.

Këtë të premte pati një sërë replikash mes tyre që lapsi.al i rendit të gjitha më poshtë. Ishte i pari kreu i shtetit që e nisi ditën me një letër drejtuar anëtarëve të Asamblesë Kombëtare të PS të cilëve u kërkonte të reflektojnë për atë që po ndodh në këtë parti dhe të flakin jashtë saj personin që e morën si refugjat dhe që tani po pengon integrimin e vendit.

“Ju e dini shumë më mirë se unë, se si ky njeri i papërgjegjshëm, përjashtoi nga kjo parti profesorët dhe intelektualët më të spikatur të vendit, për t’i zëvendësuar ata me trafikantë dhe kriminelë, të cilët ju skuqin sot nga turpi. Ky njeri pa Atdhe, pa nder, pa vlera më akuzon sot se kam takuar skutave subjekte të OFL-së. I kërkoj publikisht të bëjë publik emrin, skutën dhe orën kur e kam takuar këtë personazh të botës së krimit dhe unë do të jap menjëherë dorëheqjen” – shkruante ndër të tjera Meta në Facebook.

Nuk vonoi përgjigjja e Ramës nga Twitter.

“Ilir çfarë borxhi të ka Shqipëria që të bëri kryeministër, kryeparlamentar, president dhe duhet të durojë shkallimet e tua të përditshme, që sekëlldisin jo veç të gjallët po edhe të rënët për liri të këtij vendi, të cilëve u je qepur me dekoratat e me fjalimet e tua qesharake!” – shkroi Rama.

Meta replikoi menjëherë duke e sfiduar me një debat.

“Sapo i kam konfirmuar z.Blendi Fevziu gatishmërinë time për të dalë në “Opinion” me Kryeministrin në detyrë, i cili mund të marrë edhe përforcime me vete. Transparenca e vetmja rrugë! Dil në përballje ose largohu!” – shkroi Meta sërish në Facebook.

Pak orë më pas Rama u mor gjerë e gjatë me Metën në Asamblenë Kombëtare të PS-së ku i ktheu përgjigje për letrën, akuzat për OFL-në dhe debatin në TV të cilin e refuzoi publikisht.

“Ilir Meta thotë që juve më keni marrë mua refugjat dhe më keni bërë ministër. Kjo është një shprehje që tregon sa shumë i do Meta emigrantët në thelb. Meta, Monika, Saliu dhe Luli nuk duan të dinë fare jo për emigrantë, po për askënd tjetër që nuk hyn në rrethin e tyre. Po nuk ishe i LSI, ose i korruptueshëm nga LSI, ti nuk ekziston për Ilir Metën, fare!” – tha Rama

“Iliri do video, unë me video nuk merrem fare, s’më interesojnë fare videot dhe llafet për videot. Kërkon video për skutat ku ai futet, por është e sigurt që President në botë, në Shqipëri, as Saliu që ishte President partiak, as ka pas, as ka për të pasur më, që dergjet skutave, për të bërë fushatë kundër qeverisë për zgjedhjet e ardhshme”, – tha Rama

Menjëherë sapo Rama mbaroi fjalën, Meta replikoi sërish në Facebook.

“O shoku thirri mendjes! Unë e dua më shumë Margaritën se Monikën! E di pse? Se Monika braktisi Parlamentin kundër dëshirës dhe vullnetit tim, ndërsa Margarita në moshën 16-vjeçare shkruante në hartim: “Më pyet shpesh vëllai më i vogël: Motër përse na duhet Atdheu? Dhe unë i përgjigjem: Atdheu na duhet që të jemi të lirë!” Nuk ka Atdhe në botë pa Dëshmorë dhe Heronj o Spiropalist ordiner!” – shkroi Meta që më pas bëri edhe një koment tjetër.

“O shakaxhinjtë e integrimit! Unë nuk bëj aktrime me historinë e kombit tim dhe familjes time! As politikë për vota o palaço dhe të pa Atdhe! Unë kam lindur në Çepan, 1000 metra mbi nivelin e detit dhe u jam shumë mirënjohës prindërve të mi. O ordinerë, shtëpia ku linda unë në 24 mars 1969 ishte spital partizan për Jugun e Shqipërisë. Në këtë shtëpi erdhën dhjetëra partizanë, pa këmbë e pa krahë. Në themelet e kësaj shtëpie edhe sot është gjaku i tyre. Unë isha ndër udhëheqësit e Lëvizjes Studentore, por kurrë nuk e vura në diskutim gjakun e tyre. Se gjaku nuk bëhet ujë o hajdutë ordinerë! Jam Ilir Meta dhe përballë do më keni gjithmonë!” –e mbylli Meta.

Rama në krahun tjetër i vijoi thumbimet.

“Ilir mos e mërzit Elisën se kur të dekorosh Skënderbeun në kulmin e luftës për liri s’ke kujt tjetër t’ia dorëzosh medaljen, se Lulit i takon ajo e Hamzait, Saliu e ka hallall atë të Ballabanit dhe Monës i bie medalja e e Teutës së Ilirisë që bie me të kushërirë nga burri ilir!” – shkroi Rama, por edhe Meta nuk e la pa thënë fjalën e fundit me pak rreshta.

“O shoku, ku e lamë debatin për OFL? Në cilën ditë, orë, studio dhe gazetarë? Malet tona më të larta!” – shkroi Meta.

Gjithë sa lexuat më sipër ishte përplasja e një dite. Më shumë pritet të shohim deri në 25 prill sepse siç e tha dhe Rama: “Kjo fushatë do të jetë shumë interesante”. ©LAPSI.al



6 Comments

  1. Sot, kur Ilir Meta është në kulmin e shkatërrimit nervor të tij, kur poston çdo pesë minuta nga një të sharë nga nëna, për kryeministrin dhe këdo i del para, sot kur gjithë shqiptarët diskutojnë me humor shfaqjet e tij si i pirë në ekran, në PD debati më i madh është nëse do ketë dhe një shans të dytë Klevis Balliu, apo do iki në LSI.

    Madje as për Jamarbër Malltezin që nuk e ka vënë Lul Basha në listë, nuk ka debat.

    Kaq debat ka në PD, ndërkohë që Ilir Meta ngjan sikur po i merret fryma nga betejat, orë pas ore me Edi Ramën, që argëtohet me të.

  2. Ilir Meta eshte bere si ata qente e lagjes qe i ngacmon dhe lehin gjithe diten, kjo ndodh dhe me keta Edi Rama I fut spicat dhe Like K**i leh pa pushim
    Edi argetohet me Meten e ka nxjere nga shinat

  3. Ne 25 prill LSI perfundon misionin e saj per grabitjen e pasuris Shqiptare
    Kjo ne bashkpunim me PS , PD kjo eshte ne favor te 2 partive kryesore PD , PS por dhe te Shqiptareve

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *