• |
ide | kryesore

Kosova mbetet ende shumë larg dokumentimit të krimeve të luftës

-Instant, Lajme



Kanë kaluar dy dekada që nga përfundimi i luftës në Kosovë dhe shteti ende nuk ka një institut i cili për të hulumtuar dhe dokumentuar krimet e luftës. Ekspertë të kësaj fushe, nevojën për themelimin e një institute të tillë e konsiderojnë urgjente dhe kërkojnë që krimet e luftës të dokumentohen. Në muajin shtator të këtij viti do të duhej të dorëzohej analiza për themelimin e Institutit për hulumtimin e krimeve të luftës, nga grupi punues i formuar prej ish-ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Ky proces ka ngecur meqë qeveria Kurti ishte rrëzuar me mocion mosbesimi në Kuvendin e Kosovës, ndërkohë qeveria aktuale ende nuk i ka dhënë mandat grupit të ri të ekspertëve për themelimin e Institutit. Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi e ka dërguar në Qeveri propozimin për themelimin e grupit punues për përgatitjen e analizës për themelimin e Institutit për hulumtimin e krimeve të luftës.

“Unë rishtazi e kam dërguar kërkesën në qeveri për të themeluar grupin e ri, për të treguar se si do të bëhet, apo kur do të bëhet Instituti për krime të luftës, shpresoj që në mbledhjen e ardhshme të qeverisë të paraqitet ky propozim dhe të fillojë ky grupi që mund të bëjë hulumtimin e domosdoshëm për themelimin e Institutit. Pozicioni im politik dhe si bartës i institucionit është që të kemi një institut për hulumtimin e krimeve të luftës që do t’i shërbejë memories kolektive tonë dhe brazave të ardhshëm”, deklaroi Selimi në seancën e 25 shtatorit. Por ish-ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu nuk ka besim se qeveria aktuale do të shtyjë përpara këtë çështje. Sipas saj, nëse ministri aktual do të vazhdonte punën e qeverisë paraprake, drafti i parë për formimin e institutit do të ishte i gatshëm në muajin që shkoi.

 “Në vend që me të njëjtën qasje të punoj edhe qeveria aktuale ,sidomos për çështjet e krimeve të luftës, është e pafalshme që Kosova ende nuk i ka të dokumentuara krimet e luftës, të gjitha çka mund t’i kemi janë nga organizatat qoftë vendore apo ndërkombëtare ku bazohemi… dhe padyshim që unë nuk kam besim duke parë qasje ne tyre në raport, qoftë me temën që adresuam sot barazimin e të pagjeturve me të zhvendosurit, qoftë me tërheqjen e projektligjit që adreson gjykimin në mungesë”, thotë ajo.

Një institut për hulumtimin e krimeve të luftës ishte themeluar në vitin 2011, por me vendim të Qeverisë së Kosovës, drejtuar nga Ramush Haradinaj, i njëjti ishte mbyllur në vitin 2018, me arsyetimin se nuk ka treguar rezultate të mjaftueshme. Institutin e kishte drejtuar profesori i së drejtës penale, Ismet Salihu, i cili thotë se i njëjti duhet urgjentisht të hapet dhe mos të rekrutohet staf politik por ekspertë të fushës. Ai shton se duhet bërë një plan që parasheh brenda një periudhe prej pesë vjet të hulumtohen të gjitha krimet e luftës në Kosovë. Sipas Salihut, hulumtimet duhet botuar të veçanta sa i përket masakrave të kryera, dhe të njëjtat fakte të publikohen edhe në mënyrë digjitale. /KosovaPress/



1 Comment

  1. Eshte mire qe instituti ne fjale te mbushet me ekspert me arsimin perkates per fuksionet e ketij instituti. Shpresoj qe prane keti instituti mos te ofrohen njerezen qe flasin shume e s’thojne e s’bejne asgje.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *