• |
ide | kryesore

Si po na vjedh inceneratori i Tiranës?

-Instant, Blog

Kam pasur bindjen që në shkurtin e 2018-ës, kur në emër të PD-së ftova në interpelancë Ministrin e Energjitikës, për inceneratorët, se sa më shumë të gërmosh aq më shumë prova zbulon për këtë krim korruptiv. Përmbledhtazi duhet të shpjegoj faktet përballë shpikjeve:


– Një kompani guaskë me qendër në parajsa fiskale, pa asnjë ditë eksperiencë në fushën e mbetjeve dhe në shkelje të çdo ligji për prokurimet, sot duhet të kishte mbyllur gojën, por del dhe flet për një koncesion, që paguhet me paratë e Buxhetit, sikur t’i kish paratë personale.


– Skema, përmes së cilës mbetjet e Durrësit u dërguan në Inceneratorin e Tiranës është tipike mafioze. Siç edhe investigimi i BIRN-it zbulon, fillimisht qeveria kërcënoi dhe detyroi mbylljen e venddepozitimit të Porto Romanos, pastaj e mbyti qytetin në plehra ndërsa i bënte bashkisë presion që këto mbetje të dërgoheshin tek Inceneratori Tiranës. Sipas vetë përllogaritjeve të bashkisë së Durrësit, në 5 vitet e ardhshme, kostot për këtë lëvizje të detyruar nga qeveria – PPP janë rreth 14 milionë euro.

 – Nëse vëllezërit tanë nga Kosova, gjatë fatkeqësisë së tërmetit erdhën dhe madje paguan taksën e Rrugës së Kombit për të sjellë ushqime dhe njësi shpëtimi, qeveritarët që fshihen pas inceneratorëve, e taksuan bashkinë e drobitur të Durrësit me 24 euro për ton për lëvizjen e inerteve. Fytyra e vërtetë e atyre që edhe në tragjedi bëjnë biznesin e preferuar, rrjepjen e shqiptarëve.

– Sot e kësaj dite, Inceneratori i Tiranës po menaxhon plehrat e Durrësit, ndërsa qytetarët e Durrësit shumë shpejt do të vuajnë mbi kurriz rritjen e tarifave të pastrimit. Shifrat e buxhetit flasin vetë.

– Sakaq, sipas të dhënave të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, kompania e inceneratorëve duhet të investonte për periudhën 2018 – 2019, vlerën e 93 milionë eurove, por në të vërtetë ajo ka investuar vetëm 12 milionë euro (12% të vlerës që duhet të kishte investuar).

Së fundi, por jo nga rëndësia, banorët dhe bizneset e Tiranës shohin shtrenjtimin me mbi 30% të tarifës së pastrimit vetëm nga kjo PPP.

Një biznes i vogël paguan 1500 lekë më shumë, një biznes i madh paguan 7500 lekë më shumë, ndërsa bizneset e mesme paguajnë 11 mijë lekë më shumë.

Vetëm biznesit, tarifat i janë rritur 15% pa përllogaritur kostot për qytetarët e Tiranës, të cilët praktikisht vidhen dy herë, në fillim nga paratë e Buxhetit të Shtetit që shkojnë për Inceneratorin e Tiranës (vlera totale 400 milionë euro) dhe së dyti, nga tarifa e rritur abuzivisht që shkon po për Inceneratorin e Tiranës. Me të dy duart në xhepat e varfër të shqiptarëve.

Prandaj nuk përbën ndoshta habi, ngatërrimi i administratores së kompanisë pas të cilës fshihen pronarët Mireli – Ahmetaj – Rama, e cila nuk dallon dot ende se kush janë paratë e shqiptarëve dhe kush ato të kompanisë së inceneratorëve.

Ajo na tregon se si tanimë haptazi, qeveria – PPP dhe anëtarët e saj nuk po bëjnë më dot dallim se kush janë paratë e tyre dhe kush të shqiptarëve.

1 Comment

  1. SOT U KUJTOVE ? PO NE KEMI ME SHUME SE DY VJET QE PO ULERIME. APO TANI JU ERDHI VEZA DHE JU DUHET PER FUSHATE . SE SAPO TE VINI NE PUSHTET DO TI HARRONI TE GJITHA . JE GRUA DHE NUK TE SHAJ DOT POR TE GJTIHE POLITKANEVE MESHKUR ROPT KU TI KINI , MAJTAS DJATHTAS DHE ATA PSEUDOQENDRORET .

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Kthehu