• |
ide | kryesore

Emgjenca e ngritjes së Gjykatës Kushtetuese / Përplasja e ndërkombëtarëve me politikanët shqiptarë

-Instant, Arkiva, Të fundit



Urgjenca për ngritjen e Gjykatës Kushtetuese në Shqipëri ka mbërritur në një pikë që asnjë autoriteti shtetëror nuk i falet asnjë lloj vonese.

Brukseli, në Progres-Raportin e publikuar pak javë më parë, ia bëri të qartë autoriteteve shqiptare se pa Gjykatë Kushtetuese nuk ka hapje të bisedimeve për negociatat me Bashkimin Europian.

Këto këmbana alarmi iu drejtuan të gjithë institucioneve kryesore shqiptare, të cilat kanë përgjegjësi për procesin e verifikimit dhe emërimit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

Nën këtë frymë, edhe kancelaritë perëndimore në Tiranë kanw nisur lëvizjet e tyre, për t’u siguruar që autoritetet shqiptare të arrijnë konsensusin për të plotësuar vakancat në gjykatën më të lartë të vendit.

Burime diplomatike të “Lapsi.al” deklarojnë se zyrtarë të rëndësishëm ndërkombëtarë presin nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi dhe Presidenti i Republikës dhe Parlamenti që të plotësojnë sa më shpejt vakancat.

Titullarët e institucioneve kushtetuese, përfshirë Presidentin, Kryeministrin dhe Kryetarin e Kuvendit, kanë nxitur, madje edhe kritikuar Këshillin e Emërimeve në Drejtësi për vonesat e treguara në shqyrtimin e kandidaturave për në Gjykatën Kushtetuese.

Nga ana tjetër, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi ka evidentuar si shkak të vonesave, ndër të tjera, edhe mungesën e angazhimit të plotë nga ana e strukturave shtetërore, në dorëzimin e shpejt të informacionit për kandidatët.

Nën këtë situatë “hidh e prit” mes institucioneve, duket se një rol të dorës së parë kanë marrë diplomatët në Tiranë, të cilët, si përherë, arrijnë të bindin institucionet shqiptare të gjejnë gjuhën e përbashkët.

Nën këtë “nxitje” ndërkombëtare duket se janë edhe qëndrimet publike të Presidencës dhe Kuvendit, të cilët kërkojnë nga juristët me përvojë në Shqipëri për të aplikuar për postet vakante në Gjykatën Kushtetuese.

Presidenti i Republikës dhe Kuvendi kanë shpallur së fundmi vakancat për dy poste në Gjykatën Kushtetuese, pasi kandidatët e mëparshëm u rrëzuan gjatë verifikimit të kryer nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED).

Ndërkohë, KED është në fazën përfundimtare të shqyrtimit të kandidaturave për vendin vakant, të krijuar nga shkarkimi i gjyqtarit Besnik Muçi.

Për këtë vakancë aplikuan 10 kandidatë, ndërkohë që u kualifikuan vetëm dy prej tyre.

Numri dy i kandidatëve është më i ulët se parashikimi kushtetues, i cili përcakton se “anëtari i Gjykatës Kushtetuese zgjidhet nga një listë 3 emërore….”.

Pikërisht, ky përcaktim mund të përfshijë në një tjetër ngërç plotësimin e vakancave në Gjykatën Kushtetuese.

Madje, duket se për këtë arsye, partnerët ndërkombëtarë që asistojnë autoritetet shqiptare sugjerojnë një zgjidhje sa më të shpejt, duke vijuar me emërimin e anëtarit të ri, ndër dy emrat që tashmë janë kualifikuar.

Sugjerimi ndërkombëtar është konform Opinionit të Komisionit të Venecias.

Ky institucion ndërkombëtar, në Opinionin e tij për Shqipërinë, të publikuar në Qershor 2020, u sugjeroi autoriteteve shqiptare që të tejkalojnë çështjet teknike dhe të angazhohen maksimalisht për bashkëpunim mes tyre, me qëllim ri-ngritjen dhe vendosjen në funksionim të Gjykatës Kushtetuese.

Situata me vakancën e krijuar nga shkarkimi i ish-gjyqtarit Besnik Muçi përfshihet pikërisht në terrenin e sugjeruar nga Komisioni i Venecias.

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi ka aktualisht në dispozicion dy kandidatë potencialë. Është në dorën e këtij institucioni dhe më tej të Presidentit të Republikës, si organ emërtese, të vlerësojnë nëse do të listojnë kandidatët e më pas të zgjidhet anëtari i ri i Gjykatës Kushtetuese.

Në rast se Këshilli i Emërimeve në Drejtësi ose Presidenti i Republikës do të presin plotësimin e numrit 3 të kandidaturave, atëherë plotësimi i kësaj vakance në Gjykatën Kushtetuese do të realizohet, më së paku, pas 9 muajve.

Nga praktika e deritanishme e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (KED) për verifikimin e kandidaturave, rezulton se procesi ka kërkuar të paktën 8-10 muaj kohë.

Por, pikërisht kjo hapësirë e gjerë kohore që duhet për të zgjedhur të paktën një kandidaturë të tretë, ka nxitur kancelaritë perëndimore në Tiranë që të nxisin strukturat vendimmarrëse shqiptare që të operojnë me kandidatët e gatshëm që kanë aktualisht në dispozicion.



2 Comments

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *